“Mos mendoni se do të parkojmë autobusin me Apoloninë”, sulmuesi i Besëlidhjes: Eliminojmë gabimet, kalojmë “stacione” në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2022 | 10:12

“Mos mendoni se do të parkojmë autobusin me Apoloninë”, sulmuesi i Besëlidhjes: Eliminojmë gabimet, kalojmë “stacione” në Kupë

Icaro Nunes e ka gjetur direkt veten në Lezhë. Erdhi gjatë merkatos së verës, por shumë shpejt u ambientua.

Burreli-Beselidhja

Sulmuesi e di se çfarë kërkohet nga Besëlidhja dhe nuk ngurron që t’i premtojë.

Është i sigurt që do të jenë pretendentë për ngjitjen dhe në të njëjtën kohë do të shkojnë larg në Kupën e Shqipërisë.

Këto braziliani i thotë gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ku nuk harron të analizojë edhe 270 minutat e para.

“Erdha vetëm gjatë verës në Lezhë, por jam integruar kaq shpejt. Jo vetëm me ekipin, por edhe në qytet. Deri tani kemi zhvilluar tri ndeshje, por fatkeqësisht të fundit e humbëm.

Lushnja na ndëshkoi në momentin kur e menduam se do ta mbyllnim barazim. Por unë shoh gjithnjë të mirat, edhe në rezultate të tilla.

Pozitiv është fakti se barazimin dhe humbjen i kemi konsumuar në transfertë, ndaj jam i bindur se në shtëpinë tonë nuk falim askënd.

Kampionati është në hapat e parë, ndaj renditja ndryshon shumë vetëm me një ndeshje, kështu jemi të qetë. Duke qenë se këtë fundjavë kemi pushim, po e shfrytëzojmë për t’u rikuperuar dhe karikuar maksimalisht.

Duam që të kthehemi më të fortë, por që kjo të ndodhë kemi pak punë. Duke eliminuar sa më shumë të metat dhe dobësitë që janë parë deri tani, do të shkojmë ku duhet”, u shpreh fillimisht Nunes.

KUPA – Nuk kishte si të mos ndalej te Kupa e Shqipërisë dhe Apolonia, kundërshtar i turit të parë. I presin të dielën në shtëpi dhe synimi është vetëm fitorja. Një rezultat që jo vetëm jep shanse kualifikimi, por edhe moral për Kategorinë e Parë.

“Kemi dy ndeshje në shtëpi, të dielën presin Apoloninë për llogari të Kupës dhe të shtunën ndeshemi me Tërbunin për javën e katërt të kampionatit.

Pavarësisht se objektivat i kemi në Kategorinë e Parë, pasi luftojmë për t’u ngjitur në Superiore edhe në Kupë kemi pretendime tona. Jemi të vendosur për të mos e parkuar autobusin këtu, por do të luftojmë për të kaluar sa më shumë stacione.

Kam besim se ky grup e ka të qartë misionin dhe se do ta kryejmë me sukses duke nisur që me dy fitoret e javës së ardhshme”, përfundoi 24-vjeçari.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"