“Mos luani me shpirtin dhe zemrën e një populli”, apeli i ish-futbollistit për Erzenin: Reagoni sa nuk është vonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2022 | 15:57

“Mos luani me shpirtin dhe zemrën e një populli”, apeli i ish-futbollistit për Erzenin: Reagoni sa nuk është vonë

Erzeni dhe Bylisi ishin dy ekipet që siguruan ngjitjen nga Kategoria e Parë duke fituar të drejtën që në sezonin e 2022-2023 të militojnë në Kategorinë Superiore. Gëzimi i shijakasve po vjen duke u venitur dita ditës, pasi që nga përfundimi i edicionit të shkuar dhe deri më sot skuadra e Erzenit ndodhet “e ngrirë”.

Erzeni

Situata mbetet e paqartë dhe mungon transparenca rreth të ardhmes së ekipit të Superiore. Edhe sensibilizimi i shijakaseve për fatin e ekipit të futbollit më së shumti po zhvillohet virtualisht, kryesisht në rrjetet sociale.

I fundit që i është bashkuar kësaj beteje duke shprehur edhe shqetësimin e tij për skuadrën është ish-sulmuesi i Erzenit, Justin Bespalla. Përmes një postimi në rrjetet sociale 43-vjeçari u ka bërë thirrje faktorëve dhe aktorëve përgjegjës që të reagojnë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të mos luajnë me shpirtin dhe zemrën e sportdashësve shijakas.

Ja apeli i ish-lojtarit të Erzenit, Justin Bespalla, në rrjetet sociale: “Reagoni sa nuk është vonë! Mos luani me shpirtin dhe zemrën e një populli të tërë”.

bespalla

Lajmet e fundit janë kontradiktore dhe vetëm sa e shtojnë tymnajën në kampin shijakas.

Zërat e merkatos e zhvendosnin dje trajnerin Nevil Dede te Dinamo, që praktikisht i bie që tekniku kryeqytetas që i ngjiti në Superiore të mos vazhdojë më me Erzeni. Gjersa nuk ka asnjë vendim zyrtar nga klubi dhe vetë trajneri, i bie që gjithçka të jetë në kuadrin e zërave të merkatos.

Gjithsesi, pasiguria mbetet tek Erzeni dhe ata që po e vuajnë më shumë situatën, janë tifozët shijakas, pse jo edhe lojtarët që ishin pjesë e ngjitjes së ekipit në Superiore pas 19 viteve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"