“Mos e braktisni Dinamon!” Allmuça kërkon të frenojë largimet nga ekipi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2019 | 21:27

“Mos e braktisni Dinamon!” Allmuça kërkon të frenojë largimet nga ekipi

Dinamo zhvilloi një kampionat shumë të mirë sezonin që shkoi, edhe pse nuk ia doli të kthehej në Superiore. Kryeqytetasit u renditën në vendin e dytë dhe për këtë ecuri ka meritë pa dyshim edhe trajneri Igli Allmuça, i cili është duke menduar për sezonin e ardhshëm. Me largimin e sponsorëve dhe të disa lojtarëve, ai është vënë në vështirësi, megjithatë nuk trembet dhe vazhdon të punojë me këmbëngulje që Dinamo të jetë kompetitive në kampionatin e ardhshëm. Ai është i fokusuar te stërvitja, duke ia lënë çështjet e tjera presidencës.

Igli Allmuca

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i shumë skuadrave në Shqipëri, pretendon se nga grupi aktual nuk do të ketë më rrjedhje dhe se me kalimin e kohës do të ketë një strategji të qartë për sezonin e ri. “Si trajner i Dinamos, së pari do të doja që të ruanim grupin e futbollistëve që kishim kampionatin e fundit. Kemi bërë një punë të mirë sezonin e fundit, si në planin sportiv, ashtu edhe në atë menaxherial.

Afruam lojtarë me cilësi dhe krijuam një grup kompakt. Të paktën boshtin e skuadrës duhet ta ruajmë dhe besoj se do t’ia arrijmë, duke përjashtuar lojtarët që kanë ikur. Ne kemi parashikuar që më 22 korrik të nisim stërvitjen dhe më pas do të shohim se ku do të jemi. Do të flasim me drejtuesit për strategjinë e sezonit të ri, duke bërë të gjitha përpjekjet për një Dinamo pretendonte”, ka thënë mes të tjerash trajneri Allmuça.

Dinamo

THIRRJA – Nga Dinamo janë larguar disa lojtarë të rëndësishëm, si Markovanbasten Çema, Sheta dhe kushërinjtë Nuri. Disa të tjerë në radhë për t’u larguar, por trajneri Allmuça ka një thirrje për të tijtë: “Është e vërtetë se disa futbollistë janë larguar nga Dinamo dhe thirrja ime në këtë moment është kjo: kushdo që largohet drejt një kategorie më lart, bën shumë mirë, por jo të largohet për një skuadër të së njëjtës kategori.

Është normale që ne nuk mund t’i pengojmë futbollistët tanë të largohen për më mirë, por kjo gjë nuk duhet të ndodhë që ata të kalojnë në skuadra të tjera në Kategorinë e Parë. Ky është gabim, pasi Dinamo është emër i madh i futbollit shqiptar dhe mund të përdoret si trampolinë për futbollistët e talentuar që të shkojnë goxha më lart. Nuk ia vlen të ndërrohet Dinamo me një ekip të Kategorisë së Parë”.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"