Mori kreun e golashënuesve, Danaj: E dua “Këpucën e Artë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2022 | 23:14

Mori kreun e golashënuesve, Danaj: E dua “Këpucën e Artë”

Redon Danaj nuk po di të ndalet. Me dopietën që i shënoi Tomorit (në barazimin e çmendur 3-3), ai mori sërish kryesimin e golashënuesve të Kategorisë së Parë. Aktualisht ka shkuar në kuotën e 14 golave dhe kur janë edhe 270 minuta për t’u luajtur, i mbetet për detyrë që të ruajë këto pozita dhe marrë atë titull që aq shumë e lakmon.

redon danaj

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori flet për “Këpucën e Artë”, analizon lojën ndaj beratasve dhe ndalet te pjesa e mbetur e garës. “Nuk heq dorë nga ai titull personal. Kurrë nuk kam qenë kaq afër, ndaj në tri ndeshjet e mbetura do bëj çmos që të shënoj dhe jem unë fituesi i ‘Këpucës së Artë’. E megjithatë, prioritet mbeten pikët. Për t’u kthyer te Tomori, do ta quaja një ndeshje me dy standarde. Ndonëse e dominuam ne në fillim, gjatë gjithë pjesës së parë, por edhe 25 minutat e para të së dytës nuk arritëm të shënonim, përkundrazi pësuam 3 gola.

Disavantazhi prej 3 golash, madje deri në 20 minutat e fundit, është i frikshëm, por jo për një ekip si Besëlidhja. Shpërdorimi i shumë rasteve dhe për ironi të fatit edhe pa portier në portë na penalizoi, por mobilizimi ynë total në 20 minutat e fundit ishte vrastar për beratasit që jo vetëm humbën 2 pikë, por rrezikuan të humbnin gjithë takimin. Rezultati përfundimtar iu afrua standardit të lojës. Ne duhet të ishim minimalisht ndër ekipet e zonës ‘play off, por siç duket, fati është kundër nesh. Barazimi ndaj Tomorit na e ka tronditur atë pozicion.

Gjithsesi, ne do të luftojmë deri në fund për pikët maksimale, ndonëse varemi edhe nga rezultatet e rivaleve tona. Tri sfidat e mbetura ne do t’i konsiderojmë finale, ndaj po punojmë për të marrë energjitë maksimale gjatë stërvitjes. Sa për golat që shënova, jam i lumtur pasi u përmbys një disavantazh i frikshëm dhe morëm 1 pikë që na mban në lojë. Besëlidhja meriton më shumë, por kemi ende dhe tri ndeshje për të luajtur. Shpresoj të kemi ndonjë fat, ndonëse jemi në limitet e matematikës. Tani po mendojmë seriozisht për transfertën ndaj Butrintit”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"