Morën 4 gola nga Erzeni, Bruka “shkund” Besëlidhjen: Pashë vetëkënaqësi, gabime amatoreske

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2021 | 11:15

Morën 4 gola nga Erzeni, Bruka “shkund” Besëlidhjen: Pashë vetëkënaqësi, gabime amatoreske

Humbja në miqësoren e fundit përballë Erzenit nuk është pritur mirë në Lezhë. Katër golat e pësuar kanë shqetësuar trajnerin. Ishte ky shkaku që dje ai bëri edhe një analizë, para se të niste stërvitjen. Alban Bruka është shfaqur i ashpër dhe kritik, pasi pret që skuadra të mobilizohet para Bylisit. Ai ka evidentuar se asnjë nga repartet nuk funksionoi, çka shkaktoi edhe humbjen e thellë.

alban bruka

“Përbërja e ekipit dhe eksperienca nuk e justifikon fare humbjen. Duhet që të reflektohet realisht te gabimet e shumta dhe amatoreske që u vërejtën gjatë asaj miqësoreje. E kam përsëritur gjithmonë që nuk duhet ta mbivlerësojmë veten, pavarësisht suksesit, qoftë edhe me ekipe të mëdha.

Vetëkënaqësia na uli shumë poshtë. Nuk e meritonim atë humbje. Erzeni është ekip me të cilin do të ndeshemi në kampionat, pra është i nivelit tonë dhe ajo humbje është e pafalshme. Gjithçka që ka kaluar duhet të studiohet dhe analizohet me përgjegjësi nga ne të gjithë, që të mos përsëriten gabimet e vërejtura gjatë rrugës.

Në fundjavë, nisim kampionatin zyrtarisht, ndaj duhet që kjo javë stërvitore të vlerësohet maksimalisht për të marrë ngarkesat e plota nga të gjitha pikëpamjet. Të gjitha ekipet do të luftojnë për të njëjtin objektiv, ngjitjen një kategori më lart, ndaj duhet që çdo sekondë të lojës ta vlerësojmë maksimalisht.

Nuk na toleron koha dhe as rregullorja për rikuperim, ndaj na duhet që të gjitha ndeshjeve pa përjashtim t’u japim rëndësi të madhe. Formacionin bazë e formatoni ju dhe jo unë, pasi përzgjedhjen do ta bëjë vetëm meritokracia dhe jo emrat”, u tha Alban Bruka mes të tjerash të tijve.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"