Morata e Pogba drejt rikthimit te Juventusi, media angleze zbulon shifrat e ofruara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2018 | 11:19

Morata e Pogba drejt rikthimit te Juventusi, media angleze zbulon shifrat e ofruara

“Unë nuk jam një nga ata që besojnë shumë te formula e rikthimeve, por për Alvaro Moratën dhe Pol Pogbanë mund të bëj dy përjashtime në ndërgjegjen time. Janë dy futbollistë fantastikë, që mbi të gjitha kanë lënë një gjurmë të fortë dhe të rëndësishme te Juventusi, prandaj gjithçka mund të ndodhë”.

Pogba Morata

Me këto fjalë, drejtori i përgjithshëm i bardhezinjve, Xhuzepe Marota, u përgjigjet zërave që kanë nisur të qarkullojnë në këtë muaj, mbi rikthimin e sulmuesit të Çelsit apo me edhe mesfushorit të Mançester Junajtid në Torino.

Me pak fjalë, këto që kanë dalë së fundmi nuk kanë qenë vetëm thashetheme, sepse në Torino, sidomos trajneri Masimiliano Alegri, këmbëngul për të pasur një mesfushor dhe një sulmues për të tentuar Champions-in sezonin e ardhshëm dhe Pogba e Morata janë dy alternativa të rëndësishme.

Media angleze ecën në sinkron me atë italiane, duke konstatuar se mundësia e një rikthimi të bujshëm, ndoshta edhe e një dopio rikthimi, mund të ekzistojë vërtet, por me kushtin që bardhezinjtë nuk do të bëjnë çmendurira në merkato. Njeriu i merkatos juventine po bisedon me Çelsin, hipotezën e një huazimi njëvjeçar me të drejtë blerjeje të Alvaro Moratës.

Morata dhe Pogba

Oferta për londinezët ka qenë një shumë prej 10 milionë eurosh, plus pagesën e gjysmës së rrogës së lojtarit, një strategji kjo për të futur në marrëveshje pse jo edhe kartonin e mbrojtësit të majtë të torinezëve, Aleks Sandro, i cili pëlqehet shumë nga blutë. E njëjta shifër, 10 milionë euro, i është ofruar edhe Mançester Junajtid për Pol  ” Pogbanë, me këtë të fundit që është nxjerrë në shitje nga trajneri Zhoze Murinjo, pas përplasjeve të shumta.

Këtu Juventusi mund të fusë në “skenë” marrëdhëniet e shkëlqyera që ka me menaxherin e mesfushorit francez, Mino Raiola, edhe pse ky i fundit ka nisur punën për t’i gjetur një tjetër skuadër, si PSG-ja apo Reali i Madridit. Gjithsesi, një rikthim në Torino mund të ndodhë, duke qenë se vetë Pol Pogba e ka theksuar shpeshherë se aty ka lënë një pjesë të zemrës dhe mbi të gjitha, do ta bënte këtë për të përqafuar sërish mikun e tij, Paulo Dibala. Tani, pritet vetëm sesi do të avancojnë bisedimet mes palëve, në pritje të merkatos së verës.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"