Moqi i bindur: Nëse Besëlidhja fiton dy ndeshjet e radhë, atëherë ndryshon gjithçka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2020 | 13:48

Moqi i bindur: Nëse Besëlidhja fiton dy ndeshjet e radhë, atëherë ndryshon gjithçka

Besëlidhja rinisi dje përgatitjet për ndeshjen e javës së 19-të të kampionatit, që është edhe e para e fazës së tretë. Pret të njëjtin kundërshtar me atë të ndeshjes së fundit, Erzenin që fitoi 1-2 në Lezhë rreth 10 ditë më parë, duke tronditur skuadrën e Plorit. Largimi me 9 pikë nga Kastrioti kryesues pas dy humbjeve radhazi e ka kompromentuar objektivin e Superiores, por asgjë nuk ka përfunduar.igli moqi

Pas largimit të mbrojtësit Sheta, vendin e tij e ka zënë mbrojtësi vlonjat, Igli Moqi, i cili ndaj Erzenit shënoi golin e vetëm. Për “Panorama Sport”, Moqi thekson se Besëlidhja e ka të ndaluar qoftë edhe barazimin. “Nisim fazën e tretë që është më kryesorja dhe më e vështira, pasi të gjitha skuadrat duan të konkludojnë objektivat e tyre. Besëlidhja synon ngjitjen ne Superiore, por dy humbjet e fundit na kanë larguar 9 pikë nga Kastrioti.

E kemi të ndaluar çdo hap fals. Matematika na lejon të besojmë në rikuperimin e kësaj diference, prandaj gjithçka varet nga këmbët tona. Nëse nuk do të ketë ndikim nga jashtë fushe, mund t’ia dalim. Jemi të fokusuar vetëm te sfida e radhës ndaj Erzenit, pasi duam që gjithçka ta kryejmë me kujdesin më të madh.

Fati ynë varet te dy ndeshjet e para të kësaj faze që po i vlerësojmë drejt dhe nëse marrim maksimumin, i afrohemi objektivit. Jemi optimistë, por gjithçka do ta tregojë fusha”, ka theksuar mbrojtësi vlonjat, Igli Moqi.

Preng GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"