Monopolizimi i papranueshëm i kryeqytetit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2022 | 19:45


Monopolizimi i papranueshëm i kryeqytetit

NGA BESNIK DIZDARI
Nuk e kam fjalën te sundimi i kampionatit kombëtar të futbollit, çka tani për tani, këtë 2021-‘22 po e kryeson sportklub Tirana me epërsinë e saj bindëse. E kam fjalën për te sundimi kryeqytetas që po e quaj “arbitral” (i arbitrit). Pra, te sundimi i arbitrave, delegatëve, vëzhguesve e deri te klani i ri i të ashtuquajturit VAR. Ky sundim është i përjavshëm. Më saktë, ky është monopolizim i papranueshëm i kryeqytetit.

gjyqtare superiore1111

U ndala vetëm te javët më të fundit (12, 13, 14 shkurt) të tri kampionateve: atij parësor që përherë i kemi thënë kampionati kombëtar dhe dy të tjerëve të Kategorisë I (II) dhe atij II (III).

Kështu, në javën 20 të kampionatit të parë kombëtar në të 5 ndeshjet e vetme të tij nuk ndodhi që të paktën në vetëm 1 ndeshje të mos kishte gjyqtarë, vëzhgues apo delegatë nga Tirana! Në tërësi ishin plot 7 gjyqtarë kryeqytetas nga 15, që do të thotë thuajse 50 për qind! Siç kuptohet, jam ndalur duke marrë në konsideratë vetëm 3 arbitra për çdo ndeshje, se po të shkoj tek i katërti, kushedi se çfarë kryeqytetomanie të mëtejshme mund të “zbulojmë”.

Por sundimi kryeqytetas nuk ndalon këtu. Madje, gjithnjë përparon. Nga 10 delegatët e vëzhguesit e kampionatit parësor kombëtar 7 ishin nga kryeqyteti Tiranë! Plot 70 për qind! Është pak t’i thuash monopolizim. E kushedi ku mund të mbërrijmë po të përimtojmë edhe VAR-in.

Kur shkojmë mandej te kampionati tjetër, ai i Kategorisë II që e quajnë rrejshëm I, prapë ka plot gjyqtarë po kryeqytetas: e pakta nja 6 gjyqtarë e po nja bukur 7 delegatë e vëzhgues. Dhe po kështu, edhe në kampionatin e Kategorisë III, që po rrejshëm e quajnë II, gjej 10 arbitra nga Tirana (kryeqyteti), ndërsa vëzhgues e delegatë, për fat, diçka më pak, vetëm nja 4. Por e rëndësishme është që as këtu sundimtarët “kryeqytetas” nuk mungojnë thuajse në asnjë “klon kufitar” ndeshjesh.

Kështu, në tërësi në tri kampionatet e javës që shkoi, duke na falur ndonjë pasaktësi të vogël, kemi plot 23 arbitra nga Tirana kryeqytet!

Kjo njëanshmëri nuk ngjet në asnjë vend të botës. Është një monopolizim i paparë!

Atëherë, përse ndodh kështu? Thjesht për popullsinë e madhe të kryeqytetit Tiranë? Nuk e besoj. Kurrë caktimi i arbitrave të paanshëm nuk ka të bëjë me popullsinë. Dihet, gjithmonë arbitri vjen nga një qytet tjetër, asnjanës. Në ndërkombëtaret detyrimisht ai vjen prej një shteti tjetër.

Them se në Shqipërinë tonë kjo ka të bëjë me ngushtimin njëanësor, që po e quaj civil dhe kulturor, të administrimit të caktimeve të gjyqtarëve në kampionatet e saj.

Ndërkaq, interesante është se askush nuk e kundërshton këtë monopolizim! Kjo është forca e precedentit të gabuar. Për shembull:

Nuk kuptohet përse në ndeshjen Skënderbeu – Partizani vëzhgues dhe dy arbitra të jenë nga kryeqyteti Tiranë, kur Partizani është skuadër kryeqytetase. Pa shkuar edhe te nja 2 kryeqytetas të tjerë te VAR-i. Apo që në ndeshjen Dinamo – KF Laçi me arbitra, vëzhgues e delegat janë kryeqytetas, kur Dinamo është po skuadër kryeqytetase.

Apo kjo tjetra: që te Besëlidhja – Korabi, vëzhguesi dhe delegati të jenë nga kryeqyteti Tiranë, ndërkohë që shumë mirë mund të ishin nga Shkodra. Apo që në ndeshjen Maliqi – Shkumbini arbitrat dhe vëzhguesi të marrin rrugën e gjatë nga Tirana, ndërkohë që mund të ishin nga Korça e afërt.

Më tej: Përse të tre arbitrat e ndeshjes Butrinti – KS Lushnja janë nga kryeqyteti Tiranë, në vend që të ishin, bie fjala, nga Vlora më e afërt? Ec e gjeje mandej përse në ndeshjen Turbina – Erzeni delegati është po nga kryeqyteti Tiranë, kur fort bukur mund të ishte nga Elbasani. Apo që në ndeshjen Tomori – KF Vora vëzhguesi e delegati janë gjithashtu nga kryeqyteti Tiranë në vend që mund të ishin, për shembull, nga Kavaja, Lushnja apo Fieri. Dhe po kështu, nuk të bind fakti përse në ndeshjen Bulqiza – Iliria, edhe vëzhguesi, edhe delegati janë nga kryeqyteti Tiranë, në vend që mund të ishin nga Peshkopia apo Burreli. E po deshe po t’i largoj edhe më, duke të të kujtuar se ata mund të vinin edhe nga Laçi a Kruja. Po kështu, nuk është bindës as “kompozimi” që në ndeshjen Oriku – Luzi 2008 të jenë arbitra nga kryeqyteti Tiranë, kur shumë mirë ata mund të ishin nga Vlora. Po aq, në ndeshjen KF Gramshi – KF Klosi arbitrat mund të mos ishin nga kryeqyteti Tiranë pra, por shumë thjesht ata mund të ishin nga Elbasani më i afërt.

Dhe prapë mendja na rri te kampionatit “i madh” kombëtar i vetëm 5 ndeshjeve ku me dëshirë të parealizueshme nuk përjetojmë të shijojmë të paktën vetëm 1 ndeshje ku të mos kishte gjyqtarë, vëzhgues apo delegatë nga kryeqyteti Tiranë! Nuk po shkoj tek i ashtuquajturi VAR, se vërtet, kushedi ku dalim…

E pra? Përse kjo njëanshmëri? Miqësi kryeqytetase? Trysni e madhe e “fqinjësisë së mirë” kryeqytetase? Kompromentim shoqëror, miqësi federaliste e banorëve të një qyteti të vetëm, në këtë rast të kryeqytetit Tiranë? Shokë me njëri-tjetrin pra, të gjithë njëherësh? Ai që punon në FSHF, ai “që e ka shtëpinë aty afër” me shokun apo kolegun apo ai që vjen përherë orë e pa orë në zyrat e FSHF-së që me sa duket, mund ta ketë si shtëpinë e vet? Një sociolog i arbitrimit ka lënë sentencën që thotë se për hir të “Fair Play”-t të paanësisë së gjykimit, “arbitri nuk shkon kurrë në federatë”.

Nuk kam të drejtë të akuzoj askënd që kjo mund të jetë edhe punë honorarësh apo pagesash, por punë kursimi patjetër që është. Dhe jo vetëm të atyre që vijnë prej mënjanimeve të udhëtimeve të gjata, duke u mbështetur te asnjanësia kundërkryeqytetase, çka do t’i kursente jo pak financat. Pa shkuar mandej te ajo tjetra: shpërndarja e baraspeshuar e këtyre pagesave. Ndonëse kur është fjala për të ruajtur paanësinë e arbitrimeve, nuk të shkon fort mendja te kursimi fanatik financiar.

Sidoqoftë, nuk po më pëlqen fort të merrem me këtë dukuri që më duket temë për dike tjetër…

Ajo që më pëlqen të merrem, ose më qartë: që është më e drejtë që të merrem – në të vërtetë që ia vlen që të merremi – është diçka tjetër.

Është zhvillimi, si të thuash, përhapja kulturore-sportive e formimit të arbitrave, sidomos, por edhe e delegatëve e vëzhguesve në të gjitha krahinat, qytetet, rrethet, prefekturat e Shqipërisë. Kjo do të thotë se monopolizimi i kryeqytetit Tiranë deri në këtë shkallë po pengon formimin e arbitrave, delegatëve e vëzhguesve – e tash së fundi me sa duket, edhe të gjendjes së re të “varistëve”.

Ndërkaq, historia na thotë se kryeqyteti Tiranë ka pasur arbitra të mrekullueshëm, që nuk mund të harrohen. Mirëpo, ndërkaq, ajo na thotë edhe këtë tjetrën: që nuk mund të harrojmë dukurinë jokryeqytetase që shfaqte paanësinë dhe kundërmonopolizimin që vinte prej anëve të tjera të jetës futbollistike të Shqipërisë. Kjo, përmes emrave si, bie fjala, Shazivar Gruda, Met Myshku, Bakir Dibra, Faik Bajrami, Dhori Prifti, Tahir Kalaci, Arsen Hoxha, Astrit Canaj, Tef Prela – të gjithë jo kryeqytetas – të cilët mbanin pikërisht peshën e asnjanësisë të ndeshjeve më të rëndësishme të kampionateve të Shqipërisë.

Jemi larg nga kjo paanësi. Për fat, jemi shumë afër një monopolizimi të papranueshëm të kryeqytetit Tiranë, çka deri më sot nuk ka qenë kaq i fuqishëm. Ia vlen të prishet një orë e më parë. Kjo, sepse pengon një zhvillim dhe formim mbarëkombëtar në këtë fushë. Pra, të arbitrave, vëzhguesve, delegatëve, “varistëve” të cilët kudo janë mbarëkombëtarë, jo kryesisht të një qyteti të vetëm, qoftë ky dhe kryeqytet, në këtë rast Tiranë i Shqipërisë.

PANORAMASPORT.AL