Mone drejt rikthimit, Sefa me këmbë në tokë: Lushnja jo 100% gati…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2019 | 20:34

Mone drejt rikthimit, Sefa me këmbë në tokë: Lushnja jo 100% gati…

Lushnja është një skuadër me peshë në Kategorinë e Parë, me pretendime serioze për ngjitjen në Superiore, por në merkato ka pasur jo pak vështirësi. Trajneri Gjyla ka pohuar për gazetën ditë më parë se fakti që klubi lushnjar nuk jep një shumë të caktuar për lojtarët që kërkon, e pengon jo pak në merkato.

lushnja

Madje, ai u shpreh se Lushnjës po i ikin lojtarët për 1 milion lekë. Megjithatë, verdhejeshilët janë pranë afrimit të radhës. “Panorama Sport” mëson se fieraku Arbër Mone është shumë pranë rikthimit në stadiumin “Roza Haxhiu”. Ai ka luajtur dy sezone me Lushnjën, 2016- 2018.

arber mone

“Po, jam pranë rikthimit te Lushnja. Kaq mund të them tani për tani”, është shprehur Mone, duke lënë të kuptohet se për zyrtarizmin e marrëveshjes priten vetëm detajet e fundit, që duket se janë formale. Fieraku që luan në linjën e majtë, mbrojtje dhe mesfushë, iu bashkua Lushnjës në janar të 2017- ës, por u largua me rënien e kësaj skuadre nga Superiorja. Tani ai ka në plane një aventurë të dytë me verdhejeshilët. Sezonin e fundit Mone ka luajtur me Ferizajn në kampionatin kosovar.

sEFA2

SEFA – Lushnjarët kanë pushuar një ditë pas miqësores së Kavajës, ku barazuan 1-1 me Besën. Ishte miqësorja e tretë për skuadrën e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla, që tregoi një formë të mirë dhe për këtë kapiteni Fatjon Sefa u shpreh: “Ekipi po reagon mjaft mirë në fushë.

Po e përballon me sukses ritmin dhe ngarkesën që po jep stafi teknik. Jemi të lumtur për punën që kemi bërë deri më tani, edhe pse e dimë që duhet më shumë, sepse tani vjen më e vështira. Kemi edhe pesë javë kohë deri në fillimin e kampionatit dhe ekipi duhet të marrë formën e duhur për të qenë një pretendent i denjë për Superioren. Çdo gjë është ‘ok’, çdo gjë është në rrugën e duhur”. Javën e ardhshme pritet që lushnjarët të lënë qytetin e tyre dhe të zhvillojnë një fazë përgatitore dyjavore në kushte grumbullimi.

Sefa dhe Cela

“Na është dhënë mbështetja nga presidenca dhe presin të fillojmë fazën tjetër, që do të jetë jashtë Lushnjës. Skuadra do të grumbullohet për një fazë përgatitore dhe meqë do të jepet më shumë forcë, shpresojmë të jetë në kushte optimale.

Nuk na mbetet gjë tjetër, veçse t’ia bëjmë shërbimin punës në këto pesë javë që kanë mbetur dhe ta fillojmë mbarë”, ka shtuar sulmuesi Sefa. Kapiteni pohon se grupi i futbollistëve është i përqendruar të bëjë sa më mirë në këtë periudhë, pa u marrë me rivalët. “Nuk dua të flas për rivalët, por dua të mbështetem vetëm tek aftësitë e Lushnjës.

Nuk na interesojnë ekipet e tjera. Në ndeshjet miqësore nuk shohim rezultatin, por shohim si t’i përshtatemi grupit, të zbatojmë detyrat që na thotë trajneri Gjyla”, thekson Sefa, i cili e mbyll prononcimin për “Panorama Sport” me një mendim për merkaton: “Po, e kam thënë se Lushnja ka nevojë për lojtarë cilësorë, sepse kështu rritet edhe më shumë konkurrenca. Nuk jemi 100% të plotësuar, le të flasim me këmbë në tokë. Kemi mungesa në të tria repartet dhe shpresoj që me ndonjë afrim të mbyllim sadopak problemet që kemi”, përfundoi 35-vjeçari Sefa, pika e referimit në sulmin lushnjar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"