“Momenti të tregojmë forcën”, rrëfimi i Teqjas: Kukësi për titull …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2019 | 22:04

“Momenti të tregojmë forcën”, rrëfimi i Teqjas: Kukësi për titull …

Kukësi e nisi mjaft mirë kampionatin, por më pas erdhën uljengritjet në rezultate. Verilindorët humbën në transfertën e fundit në Laç, por ishte një episod që vendosi takimin, pasi përgjithësisht ndeshja ishte e ekuilibruar. Është pikërisht protagonisti i rastit të njëmbëdhjetë metërshit në Laç, Olsi Teqja, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” shprehet se është më se i sigurt që topin nuk e ka prekur me dorë. 

olsi teqja

Sa i përket ulje-ngritjeve të ekipit, ai thekson se çdo gjë do kohën e duhur, ashtu dhe lojtarët e ardhur rishtazi në merkaton e verës te Kukësi. Po nga ana tjetër, Teqja është i bindur se Kukësi do të rikthehet të shkëlqejë, pasi i ka të gjitha mundësitë në çdo aspekt. Me largimet e senatorëve të Kukësit, sidomos në mbrojtje, si ish-kapiteni Ylli Shameti e Ardian Cuculi, tashmë përgjegjësia i ka rënë Teqës, i cili duket se ka bërë mirë gjatë kësaj kohe.

Mbrojtësi e pranon se tashmë përgjegjësia është më e madhe e jo vetëm tek ai, por çdo pjesëtar i ekipit kërkon, mundohet të bëjë dhe të japë më të mirën për ecurinë e skuadrës. Kukësi pret Bylisin këtë javë, ndeshje të cilën Teqja e konsideron si shumë të rëndësishme. Ai kërkon prej të gjithë ekipit, të japin maksimumin më qëllim, që skuadra të marrë tri pikët për t’u rikthyer qetësia në grup.

Një Kukës me oshilacione, çfarë mendoni se nuk ka funksionuar në këto 12 javë kampionat?

Kukësi ka në përbërje lojtarë të rinj që duan kohën e tyre të përshtaten, plus mungesat kanë qenë të rëndësishme. Nuk mund të them që ekipi nuk ka funksionuar, madje në shumë prej këtyre javëve kemi bërë ndeshje mjaft të mira. Kemi krijuar shumë raste shënimi, kemi bërë volum loje, kemi dominuar në lojë. Pra, mund të themi që kemi gabuar në dytre ndeshje, jo që kemi pasur oshilacione të mëdha. Skuadra është aty, pikët janë aty. Duhet të kishim më shumë? Padyshim, por futbolli nuk është matematikë, ndaj dhe është i bukur. Unë kam shumë besim se ne do të ecim përpara, pasi kemi një skuadër me djem të shkëlqyer, një staf teknik mjaft të aftë dhe mbi të gjitha një president shumë të aftë, që investon e kërkon gjithmonë më të mirën prej ekipit e prej të gjithëve ne.

 Nga reparti mbrojtës janë larguar shumë lojtarë të sezonit të kaluar. E ndieni tashmë presionin dhe a mendoni se është shtuar më tepër përgjegjësia?

Është e vërtetë që përgjegjësia është më e madhe, si dhe gjej mundësinë të falënderoj çdo lojtar që ka qenë te Kukësi. Përgjegjësia është e ndryshme, në kohë dhe situata të ndryshme. Mundohemi të bëjmë më të mirën.

Pas asaj penalltie në Laç, i bëtë apel presidentit Safet Gjici të merrte situatën në dorë, mirëpo ai tha se nëse ekipi nuk reagon, s’do të ketë paga. Si e komentoni?

Mbaj përgjegjësi që prekje të topit me dorë nuk ka pasur, kështu që nuk ishte penallti. Nuk dua të komentoj arbitrin. Për sa i përket presidentit janë gjëra që do të zgjidhen brenda klubit.

Të shtunën prisni Bylisin. Një ndeshje ku fitorja bëhet domosdoshmëri. Mendoni se do të merrni tri pikë?

Këtë javë kemi një ndeshje të rëndësishme. Duhet të jemi serioz edhe të sillemi mirë taktikisht. Kam besim tek ekipi që do të rikthehet qetësia e munguar edhe trepikëshi.

Partizani kryeson renditjen, por edhe Kukësi e Tirana mbeten afër kreut. Si e shikoni garën për titull dhe kush mendoni se do të jetë rivali kryesor i Kukësit?

Kemi fituar kundra rivalëve direkt dhe kjo na jep të drejtën të pretendojmë për titullin kampion. Gara do jetë e fortë deri në fund, sepse diferencat janë të vogla mes Partizanit, Tiranës e Teutës. Ka rëndësi që ne të bëjmë punën tonë, të vlerësojmë njëlloj çdo ekip dhe të ecim përpara.

Duke parë që kur ka dëmtime apo mungesa, alternativat nuk janë të shumta, ka Kukësi nevojë për përforcime? 

Çdo skuadër ka nevojë për përforcime. Siç e thatë dhe ju, alternativat janë të pakta, por që analizën e bën klubi e janari po afron. Unë di them që ne kemi një ekip të mbushur me mjaft lojtarë cilësorë, jo vetëm në emra, por realisht në fushë. Tashmë kemi rreth 3 muaj që luajmë bashkë dhe besoj që të gjithë lojtarët e ardhur rishtazi janë ambientuar, po njohin lojën e gjithsecilit dhe të skuadrës dhe presim vetëm që të shpërthejnë.

Jam i bindur që ky ekip, me këta lojtarë, në momentin që të gjithë të ardhurit e rinj do të kapin formën, gjë që nuk është e largët, do të jetë i frikshëm për këdo. Lutem që mos të kemi mungesa dhe jemi gati për të bërë hapa të mëdhenj. Që nga ndeshja e radhës, shpresoj që secili të japë më shumë se 100 për qind dhe të shikojmë përpara.

Çfarë nxorët nga analiza e pasndeshjes së Laçit? Jeni të qartë tani për atë çka duhet të bëni më mirë dhe atë që duhet të kërkoni? 

Me Laçin u mbrojtëm mirë, plus që kishim shumë mungesa si dhe vendosi vetëm një episod që të gjithë e pamë. Gjithsesi, punojmë çdo ditë për t’u përmirësuar e për të bërë më mirë.

Kukësi ka një potencial mjaft të madh në ekip, të paktën në emra, çfarë nuk ka shkuar që ky ekip të shkëlqejë?

Siç e ceka dhe më lart, lojtarët e ardhur gjatë merkatos së verës nuk kishin kohën e mjafton që të shikoni organikën. Jam i bindur që Kukësi do të arrijë formën e duhur e do të sjellë shkëlqimin që e presim të gjithë.

S. Sulozeqi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"