“Momenti të provoj një aventurë të re”, futbollisti largohet nga Flamurtari tek Oriku

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2020 | 15:22

“Momenti të provoj një aventurë të re”, futbollisti largohet nga Flamurtari tek Oriku

Shaqir Haruni nuk është më një lojtar i Flamurtarit. Është largimi i radhës nga vlonjatët, të cilët duket se po braktisen edhe nga ata që konsideroheshin si kolonat e sezonit të ri. E njëjta gjë ndodhi kohë më parë dhe me Arinaldo Rrapajn, tashmë pjesë e Skënderbeut. Mesfushori Haruni u stërvit me Flamurtarin dhe u mendua pjesë e tij në Kategorinë e Parë, por trajneri Resuli e ka humbur edhe një titullar të rëndësishëm. Është i habitshëm fakti që ky lojtar ka lënë Flamurtarin për Orikun. Vetë Haruni nuk jep detaje për arsyet e divorcit me ekipin vlonjat, por tashmë është fakt që ai ka ndërruar fanellë.
haruni

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Shaqir Haruni shprehet: “Është e vërtetë që nuk jam më pjesë e Flamurtarit. Kontratën e kam zgjidhur me mirëkuptim dhe dua të falënderoj presidentin Sinan Idrizi që më la të lirë. Kam kaluar momente shumë të mira te Flamurtari dhe i kam shërbyer me të gjitha fuqitë dhe mundësitë e mia. Tani erdhi momenti të provoj një tjetër aventurë. I uroj shumë suksese ekipit në sezonin e ri. Është një ekip që më dhemb, pasi aty jam rritur”. Haruni ka fituar përvojë me fanellën kuqezi sezonin e shkuar, kur ka luajtur si titullar në Superiore.
flamurtari
MERKATO – Duke parë atë që po ndodh në Vlorë, Flamurtari jo vetëm nuk po zyrtarizon asnjë afrim, por rrezikon të humbasë të tjerë lojtarë të rinj vendës. Haruni mendon se Flamurtarin e shpëton vetëm një merkato e fortë për kthimin në Superiore. “Për të ardhmen e Flamurtarit nuk mund të flas, sepse situata mund të ndryshojë në çdo moment, por për t’u ngjitur në Superiore patjetër duhet merkato. Ka në ekip djem të rinj të akademisë dhe kjo është një gjë shumë e mirë, megjithatë, për të pretenduar rikthimin në elitë natyrisht duhen përforcime”, shton Haruni.
DINAMO ORIKU
ORIKU – Në fund mesfushori ka folur edhe për ekipin e ri. “Zgjodha Orikun si një trampolinë për të ardhmen time. Mendoj se Oriku është një ekip shumë simpatik, ndaj dhe vendosa të jap kontributin tim në të. Kam bindjen se Oriku do të bëjë një kampionat të mirë”, përfundoi Haruni.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"