EKSKLUZIVE/ Momenti pikant dhe nofka “profesori”, rrëfehet Belica: Partizani është për titull, pas 100 ndeshjeve dua…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2020 | 11:37

EKSKLUZIVE/ Momenti pikant dhe nofka “profesori”, rrëfehet Belica: Partizani është për titull, pas 100 ndeshjeve dua…

Egzon Belica, kapiteni i Partiza nit arriti 100 ndeshje me fanellën e kuqe në të gjitha kompeticionet, pikërisht në fitoren 0-3 kundër Apolonisë. Një arritje fantastike për mbrojtësin 30-vjeçar, i cili është një ndër pikat më të forta të “demave të kuq” dhe pa diskutim, një ndër lojtarët më të mirë në Superiore. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Belica rrëfeu momentet më të veçanta në një “shekull” me Partizanin, tregoi kush është shoku i tij më i mirë dhe theksoi se nuk do të ndalet me kaq, pasi synon të kapë edhe shifrën e 200 ndeshjeve dhe pse jo, edhe më shumë të tjera.

egzon belica

100 ndeshje me Partizanin. Kishit menduar se do ta arrinit një shifër të tillë?

100 ndeshje me Partizanin, për mua personalisht është një arritje shumë e madhe. E vlerësoj këtë klub aq shumë saqë edhe 1 ndeshje të kisha luajtur do kisha qenë shumë krenar.

Mund të veçoni momentin tuaj më të mirë me fanellën e kuqe?

Momenti më i mirë pa dyshim ka qenë fitimi i titullit kampion. Është moment që unë nuk do ta kisha ndërruar me asgjë tjetër. Të fitosh titullin me një klub që vërtet e ndien si familje, është diçka e mahnitshme.

Shokët e skuadrës ju kanë vendosur nofkën “profesori”. Pse?

Fajin e ka Çinari (qesh). Gjithsesi, duke u munduar t’u qëndroj pranë shumicës së lojtarëve dhe duke u munduar t’u jap këshillat e mia sado pak të vogla për rrugën e gjatë që kanë përpara, lindi edhe nofka “profesori”. Disa lojtarë janë larguar gjatë kohës suaj te Partizani.

Cili prej tyre ju mungon më shumë?

Gjatë këtyre tre viteve, kam bërë shumë shokë e miq te Partizani. Na mungojnë të gjithë ata që e kanë ndierë ekipin si familjen e tyre. Na mungojnë jo vetëm mua, por edhe ekipit.

egzon belica

Mendoni se Partizani mund të shpallet kampion këtë sezon me kontingjentin që ka?

Të them të drejtën është shumë herët për të biseduar për titullin kampion. Gjithsesi, te Partizani ka lojtarë që dinë si të luftojnë për titull dhe mos harroni se Partizani ka një ndër trajnerët më të mirë në qarkullim. Patjetër që stafi do të japë ndihmën e madhe që ekipi të rikthehet në rrugën e duhur.

Gati tre vite që jeni pjesë e Partizanit. Kush është shoku juaj i ngushtë?

Të gjithë i kam miq, por do kisha veçuar vetëm Malën, për shkak se jemi shumë të lidhur dhe shumicën e kohës, e kalojmë bashkë.

Keni marrë shumë urime për arritjen tuaj. Cili është urimi më i veçantë?

Kam pasur shumë urime, por e veçantë është kur atë mund ta festosh me shokët e ekipit. U uroj të gjithëve arritje te tilla.

Ndalesa e radhës, 200 ndeshje. Do dëshironte Belica ta arrinte këtë numër?

Patjetër. Të jesh pjesë e këtij ekipi, është diçka e madhe për mua. Nuk do doja vetëm 200, por do thosha sa me shumë që të jetë e mundur.

VERONIK ISTREFAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"