Momenti i shpërdoruar kundër Dinamos, Mensah: Humba rast të artë, e tmerrshme!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2021 | 15:48

Momenti i shpërdoruar kundër Dinamos, Mensah: Humba rast të artë, e tmerrshme!

Nuk po e kapërdin dot rastin e humbur në fundin e ndeshjes së të mërkurës, barazuar 0-0 përballë Dinamos në “Elbasan Arena”. Sulmuesi i Skënderbeut, Alfred Mensah, ndihet në faj që i ka hequr dy pikë skuadrës me atë shpërdorim në minutën e 94-t përballë portierit blu. Në një bisedë për “Panorama Sport”, ganezi komenton rastin, ndërsa nuk e beson që s’ka arritur të shënojë.

alfred mensah

“Edhe tani që po flasim, nuk më besohet që kam humbur një rast të tillë. Të them të drejtën më shumë jam zhgënjyer kur e pashë në përsëritje se çfarë rasti flagrant kam shpërdoruar. Me të vërtetë i kam hequr ekipit dy pikë të rëndësishme nga duart. Gjithçka ishte e qartë, Nikaj ka bërë një super aksion duke marrë me vete mbrojtjen e Dinamos. Në momentin e pasimit topi nuk më është bindur duke m’u larguar më shumë se ç’duhej nga këmba dhe më ka detyruar të dal në një pozicion diagonal.

Atje i ndodhur në një moment të vështirë, pasi pashë edhe daljen e portierit, mendova të gjuaj me forcë për të bërë të pavlefshme ndërhyrjen e tij dhe për ta gjetur në kundërkohë. Por, ishte afruar shumë dhe ishte zgjedhje e gabuar nga ana ime. Me të vërtet ishte një rast flagrant që nuk mund të harroj kollaj.

Shokët me qëndruan pranë duke më dhënë forcë, po ashtu edhe trajneri, që më motivoi për vazhdimësinë, duke mos më lënë peshë faji, edhe pse është e pashmangshme pasi i sheh ato pamje. Nga ana tjetër mund të them se na mungon edhe një gol i minutave të para.

Nuk ka pasur faull të shkaktuar nga unë atë moment dhe për këtë jam i bindur 100%”, ka thënë fillimisht Mensah për gazetën, i cili është golashënuesi më i mirë i Skënderbeut deri më tani me 6 gola. Në fund ganezi bëri edhe një koment për 15 javët e para. “E kemi nisur keq kampionatin, por u desh ajo fitore me Kukësin që të na rikthente besimin.

Atje ishte pika e kthesës dhe menduam se mund t’ia dalim me këdo kundërshtar, pasi cilësitë i kemi. Ishim në një moment të mirë dhe kemi rikuperuar shumë. Do të doja që kampionati të mos mbyllej tani për të vijuar me formën e mirë që po kalonim”, përfundoi Mensah.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"