“Momenti i keq i Egnatias kaloi”, Puja: Me Teutën u ndëshkova papritur, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2021 | 19:56

“Momenti i keq i Egnatias kaloi”, Puja: Me Teutën u ndëshkova papritur, por…

Portieri Bruno Puja ishte i pakalueshëm në përballjen e fundit ndaj Teutës duke qenë një plus më shumë drejt rezultatit pozitiv për të besuarit e Zekirija Ramadanit. Për “Panorama Sport” portieri Puja u shpreh i kënaqur që dha kontribut në atë fitore me vlera.

PUJA

FITORJA NDAJ TEUTËS

“Ia dolëm të rikthehemi sërish tek ecuria e mirë ndaj Teutës së fundmi. Zbritëm në fushë për një qëllim dhe ia arritëm. Jo vetëm ne, por edhe stafi e përgatiti me kujdes atë përballje, si dhe motivimi ishte në shkallën më të lartë të mundshme. Duhet ta fitonim patjetër atë përballje të fundit për këtë vit dhe të bashkuar ia dolëm që të tre gonim se kemi cilësi brenda reparteve. U ndjeva dyfish i kënaqur që shënuam shumë shpejt në rastet e paraqitura.

Bashkëpunimi i frytshëm nxori në pah se momenti i keq kishte kaluar dhe mund të them se jemi një skuadër që po luan sezonin e parë në elitë, por që vlerëson këdo. Çdokush ka synimet e veta dhe duhet të jemi besimplotë. Të dy golat e shënuar nga Magani na dhanë siguri maksimale.

Edhe trajnerët na kishin udhëzuar që të luanim qetësisht pa kurrfarë ndrojtjeje. Gjithçka u shpërblye dhe ishte në favorin tonë ashtu si duhej, ndërsa te goli i pësuar, më erdhi i papritur, po sërish u mundova ta shlyeja në vazhdim. Kam dhënë e do të jap më të mirën për fanellën e Egnatias. I falënderoj që të gjithë që nga presidenti, stafi e gjithashtu trajnerin Ballhysa, që mendon për sigurinë e portës duke na stërvitur me përkushtim”.

E ARDHMJA

“Kalova një moment të bukur me këdo te rrogozhinasit e kontrata me jep mundësinë që të jap akoma më shumë për këtë fanellë. Merkatoja zhvillohet kudo nëpër skuadra, por unë jam përqendruar te pushimi i shkurtër e më pas do të rikthehemi në fushë. Familja ime nga ana tjetër ka qenë një pikë kyçe që unë të jem në lartësinë e duhur në shërbim të skuadrës ku bëj pjesë”, përfundoi Puja.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"