Molotov, zinxhirë e shkopinj. Policia parandalon luftën mes tifozerive para derbit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2017 | 10:27

Molotov, zinxhirë e shkopinj. Policia parandalon luftën mes tifozerive para derbit

Përpara ndeshjes së derbit, e cila do të zhvillohej në orën 19:00, në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit, ka pasur incidente, dhunë dhe një valë arrestimesh nga ana e policisë, që ka qenë në një numër mjaft të madh, rreth 100 policë nga të gjitha strukturat, ku nuk kanë munguar as forcat e FNSH (Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë), Shqiponja dhe atyre të rendit.

fanatics policia

Shumë prej tifozëve kanë pasur me vete edhe shishe benzine të tipit molotov, ku dy prej tyre janë hedhur në këmbët e policëve. Gjithashtu nuk kanë munguar shkopat e bejsbollit, zinxhirë, doreza hekuri e të tjera mjete të forta që këta tifozë do t’i përdornin brenda ambienteve të pallatit të sportit. Duke u nisur nga këto rrethana, forcat e rendit kanë arrestuar dhjetëra tifozë, ku nuk i është shmangur as zëvendëstrajneri i ekipit bardheblu, Melzin Lazimi.

Që më parë ishte bërë me dije se do të kishte trazira gjatë kësaj ndeshjeje, pasi ashtu si dhe në takimin e parë të luajtur në “Fahrie Hoti”, kur ndeshja u ndërpre në periodën e tretë pas incidenteve mes tifozëve “Fanatics” dhe lojtarëve të Partizanit, edhe në këtë përballje të dytë, tensioni ka qenë mjaft i lartë, shumë kohë përpara se ky takim të niste.

guerrils

Ekipi i basketbollit Tirana, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ka bërë me dije: “Përpara ndeshjes ka pasur mjaft incidente. Zëvendëstrajneri i ekipit bardheblu është shoqëruar në komisariat nga forcat e rendit pa asnjë arsye. Ndërkohë që 4 lojtarë të Tiranës kanë qëndruar për rreth 20 minuta jashtë pallatit të sportit, në shi dhe nuk janë lejuar të hyjnë, duke u kërkuar kartat e identitetit. Klubi bardheblu e konsideron këtë incident një skandal, duke deklaruar se kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë.

policia asllan rusi

Madje as në ndeshjet që janë luajtur në fushën e saj, duke i mirëpritur tifozët kundërshtarë”. Policët jashtë pallatit të sportit kanë qenë të shumtë në numër dhe tifozët u lejuan të hyjnë vetëm me mjete identifikimi. Kjo ka bërë që policia të infiltronte të gjithë tifozët që do të hynin në pallatin e sportit. Ajo ka meritën se shmangu incidentet, por u është mohuar një e drejtë tifozërive që të ishin të pranishme në ndeshje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"