“Moldavët të fortë”, kapiteni Arapi: Kanë më shumë shanse se ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2021 | 0:15

“Moldavët të fortë”, kapiteni Arapi: Kanë më shumë shanse se ne

Renato Arapi pranon se Sherif Tiraspoli ka më shumë shanse për kualifikim se Teuta në përballjet për turin e parë të Ligës së Kampioneve. Pas shortit të hedhur dje në Nion të Zvicrës, durrsakët kanë mësuar rivalin, ndërsa ndeshja e parë do të luhet më 7 korrik në stadiumin “Niko Dovana”.

Duka Arapi

Kapiteni i kampionëve të Shqipërisë, në bisedën për “Panorama Sport”, theksoi se shorti e vuri Teutën me një prej ekipeve më të forta nga katër të mundshmet. “Në fakt, kur mësuam katër ekipet e mundshme në turin e parë, klubet që personalisht doja ta shmangnim ishin Sherif Tiraspoli dhe Ludogorets. Këto mendoj se ishin më të fortat, por shorti na vendosi përballë një prej tyre dhe nuk kemi se çfarë të bëjmë tani”, ka thënë fillimisht mbrojtësi.

FAVORITËT

Kapiteni i Teutës shfaqet realist kur pyetet për shanset që kanë durrsakët për të kaluar turin e parë në Champions. Ai mendon se ekipi duhet të bëjë gjithçka për të sfiduar moldavët. “Normalisht, nëse flasim për shanse, të jemi realistë Sherifi është favorit kundër nesh.

renato-850x450

Duhet të jemi me këmbë në tokë, për vetë faktin se kundërshtari ka më shumë eksperiencë dhe një buxhet të madh për lojtarë që ka. Gjithsesi, ne do të mundohemi t’i analizojmë në detaje gjithë këto ditë dhe do të bëjmë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv, që të gjithë e duan, edhe pse do të jetë shumë e vështirë”, deklaroi 34-vjeçari, i cili në tri sezone radhazi me fanellën e skuadrës së vendlindjes, arriti të fitojë gjithçka: titull, Kupë dhe Superkupë.

EUROPIANI

Në fund mbrojtësi që udhëhoqi Teutën drejt titullit foli edhe për emocionet që po i jep Europiani, ndërsa zbuloi edhe për cilin ekip simpatizon. “Tifo në kampionatin Europian bëj për Gjermaninë, pasi jemi rritur me lojtarë si Klinsman, Mateus, Hasler, Samer etj. Kjo ka qenë arsyeja që jam bërë edhe me Gjermaninë”, përfundoi Arapi.

Z.QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"