Radonjiç: E mirëpres një ofertë nga Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2012 | 13:31

Radonjiç: E mirëpres një ofertë nga Vllaznia

E ndjek vazhdimisht, madje nuk humbet asnjë ndeshje të luajtur në “Loro Boriçi”, duke përfituar edhe nga afërsia mes Shkodrës e Podgoricës. Flasim për Mojash Radonjiç, ish-trajnerin e Vllaznisë në sezonin 2010-2011. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, malazezi analizon gjendjen e kuqebluve dhe del hapur kur thotë që mirëpret një ofertë të drejtuesve për pankinën e Vllaznisë, ndonëse Duro nuk është larguar.
Profesor, e vizitoni shpesh Shkodrën, madje keni parë edhe ndeshjen me Tiranën. Kaq i lidhur jeni me Vllazninë?
Po, është e vërtetë. Unë e ndjek pa ndërprerje Vllazninë që në kohën kur u largova. Kjo ndoshta edhe për efekt të afërsisë që kanë dy qytetet tona, Podgorica dhe Shkodra. Por gjithashtu edhe për vetë faktin se unë në Shkodër dhe gjithandej ku kam punuar kam lënë një derë të hapur.
Si ju duket kjo Vllazni?

Po kalon një situatë të keqe. Dhe unë e kuptoj trajnerin aktual, e di që s’e ka të lehtë. Janë afruar shumë lojtarë, prandaj s’mund të prisni titullin që në vitin e parë, kur ekipi ende s’është konsoliduar. Por ajo për të cilën më vjen keq është se kontratat e këtyre lojtarëve janë vetëm 1-vjeçare.
Pra, mendoni se është gabuar me kaq shumë afrime?
Janë 12 dhe mendoj se sado cilësorë që të jenë, duhet kohë gjersa të ambientohen me njëri-tjetrin. Shikoni Skënderbeun që vijon të ruajë që prej tri vitesh grupin, ndërsa Vllaznia është në ndërtim e sipër. Prandaj, këto vështirësi do të hasë në vazhdim.
Kush mendoni se ka përgjegjësi në merkaton e kryer?
Me logjikë të thjeshtë i mbetet trajnerit dhe drejtorit sportiv. Por unë nuk e di sesi janë bërë blerjet, ndaj s’mund të gjykoj.
Çfarë i mungon kësaj Vllaznie?

Elementi i ri, dhe kjo është për të ardhur keq. Unë kam pasur shumë emra të spikatur, të cilët sot nuk i shikoj pranë skuadrës. Ata duhet të ishin fituar.
Ju e nisët një punë të tillë, por pas 8 javësh u larguat, çfarë ngjau? Ishin lojtarët apo trysnia e pikëve që largoi Radonjiçin?
Unë asokohe kisha një kontratë, që duhej të ndërtoja një ekip me të rinj dhe pas tri vitesh të synonim titullin. Kjo nuk u realizua, por nuk do të thotë se nuk mund të ndodhë. Nuk mund të them se çfarë ngjau, por në Shkodër kërkojnë majat brenda një periudhe të shkurtër kohore, dhe ndoshta këtu gabohen. Vini shpesh në Shkodër, mos ndoshta mendoni rikthimin? Çdo trajner është me çantë në dorë dhe në lëvizje të vazhdueshme. Duke qenë se unë u largova pa përfunduar kontrata, dëshira për t’u rikthyer nuk më mungon. Në qoftë se do të më bëhej një ofertë, jam gjithmonë i gatshëm ta mirëpres.
Nëse do të vinit në këtë periudhë në krye të Vllaznisë, çfarë mund të premtonit për të ndryshuar situatën?
Unë shpresoj që të përmirësohet sa më shpejt situata në kampin shkodran. Dhe në fakt kam besim se kështu do të ndodhë. Për mua ka shumë rëndësi që reparti i sulmit të ndryshojë sa më shpejt, në mënyrë që të shfrytëzojnë ato raste që i krijohen. Uroj që ta shikojmë Vllazninë sa më lart të jetë e mundur, pasi e them pa asnjë elozhe që e dashuroj këtë skuadër. Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"