Modriç në stres, Interi bën gati një tjetër “sulm”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2018 | 10:15

Modriç në stres, Interi bën gati një tjetër “sulm”

Tri ndeshje zyrtare nga starti sezonal i Realit të Madridit: dy në La Liga (të dyja fitore, ndaj Getafes në debutim dhe të dielën ndaj Gironës); plus Superkupa, e humbur, ndaj Atletikos së Madridit (4-2). Luka Modriç, ndërkaq, pret akoma të parën si titullar. Ndoshta fakti që kroati që po qëndron në stol mund të jetë edhe pasojë e rikthimit të vonë në përgatitje (vetëm një ditë përpara përballjes ndaj “Colchoneros”), por edhe një ndëshkim i denjë nga një “komandant” si Florentino Perez.

luka modric

ËNDRRA VERORE – Siç dihet, Reali i Madridit dhe Interi, nuk kanë pasur një raport të qetë gjatë kohëve të fundit: në fakt, kreu i madrilenëve kërcënoi se do ndiqte rrugë ligjore, përmes avokatëve, me klubin zikaltër, pasi kanë kontaktuar me lojtarin 1 vit përpara se këtij të fundit t’i skadojë kontrata (nëntorin e ardhshëm), ndërsa rregullorja e FIFA-s parashikon që bisedimet të nisin së paku gjashtë muaj më parë.

E njëjta gjë edhe për menaxherët e kroatit, që mendohet të kenë qenë pjesë e “misionit” për të dërguar  mesfushorin në Milano. Interi zgjodhi rrugën e heshtjes, duke lënë të kuptohet që në këtë mes nuk ka asgjë të vërtetë. Ëndrra “Modriç”, sidoqoftë, u përkëdhel deri në fund të merkatos verore nga zikaltrit dhe ky është fakt.

POR, NË JANAR… – E nuk është e thënë që ëndrra të jetë shuar. As pasi vetë Modriç dje, në “Instagram”, postoi një foto gjatë stërvitjes me diçiturën “prej 6 vitesh në klubin më të madh në botë”: Interi, në fakt, mund të rikthehet sërish aktive në merkato pas gjashtë muajsh, në pritje të risive mes lojtarit dhe klubit spanjoll.

Veçanërisht nëse do jetë në luftë për objektiva të rëndësishëm, si titulli, apo në një fazë të avancuar të Champions-it. Në të kundërt mund të ridiskutohet pas mbylljes së sezonit, kur Modriç të ketë përfunduar kontratën me Realin. Gjithmonë nëse Perez nuk do gjejë strategjinë për ta “prangosur” në Madrid.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"