Moçka tregon arsyet e rikthimit te Flamurtari: Refuzova disa oferta, zgjodha zemrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2021 | 22:38

Moçka tregon arsyet e rikthimit te Flamurtari: Refuzova disa oferta, zgjodha zemrën

Shpëtim Moçka u rikthye te Flamurtari pas një pauze disamujore. Ai mund të luajë pa problem, pasi ka qenë i federuar që në nisje të këtij sezoni. Edhe pse ka pasur oferta të tjera, 31- vjeçari ka bërë zgjedhje zemre. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” ai tregon arsyet që e çuan drejt këtij vendimi. Nuk kishte si të mos fliste për garën dhe merkaton. E quan të ashpër kampionatin e Kategorisë së Parë, ndërsa mendon se disa afrime janë të domosdoshme.

Flamurtari Mocka

Si u bind Moçka që të rikthehej te Flamurtari?

U bënë ditë që jam kthyer. Kam folur me presidentin Idrizi dhe kam rënë dakord të vazhdoj të jem pjesë e Flamurtarit tim.

Keni pasur oferta gjatë kësaj kohe që keni qëndruar pushim?

E vërteta është se kam pasur oferta gjatë kësaj periudhe, por i kam refuzuar. Mendja më punonte te Flamurtari. Kisha një ndjesi të fortë, që nuk më la të largohesha dhe kjo ishte një zgjedhje zemre.

Si po shkon faza përgatitore?

Në këtë periudhë po punojmë fort, që të jemi të gatshëm ta përballojmë sa më mirë këtë fazë të mbetur të kampionatit.

A ju bind ky Flamurtar?

Ka lojtarë të talentuar, por këta duan kohën e duhur. Pozitive është që kanë dëshirë dhe pasion për të dhënë maksimumin për këtë fanellë.

Mendoni se ekipi ka nevojë për përforcime?

Normalisht që ka nevojë për përforcime, por mendoj se duhet të jenë të pakta sepse grupi është mjaft i mirë.

Cili është objektivi i klubit këtë sezon dhe deri ku mund të shkoni?

Objektivi i klubit është të punojmë dhe të vazhdojmë sa më lart në renditje. Të gjithë bashkë do të japim maksimumin për ta ngjitur Flamurtarin aty ku i takon të jetë.

Si ka ndikuar ndërprerja e kampionatit për Flamurtarin?

Mendoj se ndërprerja e kampionatit nuk ndikon mirë për asnjë ekip.

Ndeshja e parë e vitit është në Cërrik. Çfarë synoni?

Do të jetë një ndeshje e fortë. Ne do të udhëtojmë në këtë transfertë për të marrë maksimumin. Janë të gjitha mundësitë për ta nisur mbarë këtë fazë.

Do të luani në këtë ndeshje?

Mendoj se po. Jam duke u stërvitur fort për fillimin e kampionatit dhe i gatshëm për të dhënë maksimumin për këtë skuadër, ashtu sikundër e kam bërë gjithmonë sa herë që më është kërkuar. Unë këtu jam në shtëpinë time. Plotësisht i gatshëm edhe në nisje të kësaj faze.

Si ju duket gara në Kategorinë e Parë?

Është garë e ashpër dhe shumë e fortë, por ne jemi Flamurtari. Kështu që, duhet të shkojmë para me kokën lart e me respekt maksimal për këtë ekip dhe këtë klub me emër dhe traditë të madhe.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"