Moçka: Pas asaj penalltie skandaloze, kemi frikë nga gjykimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2020 | 16:09

Moçka: Pas asaj penalltie skandaloze, kemi frikë nga gjykimi

Shpëtim Moçka i druhet gjykimit edhe në ndeshjet e mbetura. E vlerëson si skandaloze penalltinë që iu dha kundër ndaj Vllaznisë, ndërsa qartëson se pas asaj erdhi edhe rënia psikologjike. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, portieri thotë se kur bëhet fjalë për Flamurtarin, arbitrat nuk mendohen dy herë dhe japin gjëra të paqena. Me Skënderbeun kërkon maksimumin dhe thekson se dy përballje me këtë kundërshtar janë humbur në momentet e fundit për gabimet e vlonjatëve. Shpreh dëshirën për të qëndruar në Vlorë, ndonëse të ardhmen do ta vendosë pasi të ulet me drejtuesit.
Mocka Flamurtari
Flamurtari e rifilloi me humbje sezonin. Çfarë nuk shkoi siç duhet kundër Vllaznisë?
Mendoj se pavarësisht rezultatit, loja ka qenë e barabartë. Ne jemi ndëshkuar me një penallti të paqenë. Kështu, mbas rezultatit 0-1 ekipi ra nga ana psikologjike. Më pas jemi ndëshkuar me dy gola të tjerë.

Jeni të bindur që penalltia nuk ishte?
Siç e thashë edhe më lart, ka qenë një penallti skandaloze kundër nesh. Loja ishte e qetë për gati 60 minuta. Arbitri po e mbante shumë mirë deri në momentin e penalltisë dhe më pas ndikoi shumë keq tek ekipi ynë. Kjo bëri që ne të mos e merrnim më veten pas asaj penalltie.
FLAMURTARI VLLAZNIAA
Duke parë atë që ndodhi të mërkurën, i druheni gjykimit në ndeshjet e radhës?
Patjetër që po dhe kemi shumë frikë se këto gjëra mund të përsëriten. Ne e dimë fare mirë që sa herë ndodh që ka një kontakt të lehtë në zonën tonë, arbitrat nuk mendohen dy herë dhe e akordojnë atë si pa gjë të keq.

Thuajse jeni të rënë nga kategoria, mendoni se do të arrini ndonjë fitore për ta mbyllur me nder kampionatin?
Janë edhe nëntë javë të mbetura. Ne i kemi mundësitë dhe unë kam besim se do arrijmë fitore të tjera, përveç asaj në Gjirokastër që kemi arritur këtë vit.

Ndeshja e radhës me Skënderbeun në Vlorë. Çfarë prisni?
Presim të marrim maksimumin. Jemi përballur tri herë me Skënderbeun këtë sezon, ku dy takime i kemi humbur për gabimet tona në momentet e fundit dhe një e kemi barazuar në Vlorë. Në këtë ndeshje që luajmë në shtëpi, shpresojmë të arrijmë fitoren e shumëpritur.

Me fundin e sezonit që është në prag, a keni menduar për të ardhmen?
Dëshira ime dihet, por tani jam i përqendruar të bëj më të mirën e mundshme në ndeshjet e fundit që kanë mbetur. Pastaj në mbyllje të sezonit do ulem me drejtuesit e klubit për të biseduar për të ardhmen.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"