Moçka largohet nga Laçi, zgjidh kontratën me konsensus

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Gusht 1, 2015 | 19:38

Moçka largohet nga Laçi, zgjidh kontratën me konsensus

MockaZbardhet lista e futbollistëve të Laçit, të cilët prej disa ditësh po zhvillojnë përgatitoren në Maqedoni. E ndërsa priten afrime, vetëm dje është zyrtarizuar një tjetër largim. Shpëtim Moçka nuk do të jetë më pjesë e bardhezinjve. “Lufta” për një vend titullari te Laçi duket se e ka “lodhur” vlonjatin.

Lojtari ka prishur me konsensus kontratën dhe pritet që të vihet në kërkim të një tjetër aventure për sezonin e ri, ndërsa porta e kurbinasve do të vijojë të qëndrojë “pronë” e malazezit Vujadinoviç.

Problemi

“Divorci” me mirëkuptim me Shpëtim Moçka, i ka shtuar një problem të madh kurbinasve. Vlonjati kishte një kontratë 1+1 me bardhezinjtë, por vendimi për të tentuar një aventurë të re, i detyron drejtuesit që të vihen në kërkim të zëvendësuesit të tij. Trajneri i portierëve, Kastriot Rama, gjatë një bisede me gazetën, ka deklaruar se grupi do të kompletohet shumë shpejt, përfshi edhe kuadratin.

“Moçka u la i lirë, pra nuk do të jetë më pjesë e Laçit. Pas kërkesës që bëri vetë lojtari, me mirëkuptim u zgjidh kontrata mes palëve. Në dijeninë time, presidenti Laska ia ka plotësuar këtë kërkesë, duke i dhënë edhe lejen e kalimit. Tashmë jemi në kërkim të një tjetër portieri, por jo vetëm. Laçi do të jetë aktiv në merkato edhe në reparte të tjera. Nesër (sot) është programuar miqësorja e radhës, ndërsa këtë radhë do të ndeshemi me Pogradecin. Ndoshta mund të shohim ndonjë element tjetër në provë”, tha tekniku i portierëve.

Përgatitjet

Të akomoduar në Strugë, bardhezinjtë i janë përveshur punës, duke marrë ngarkesa të larta. Axhenda e tyre, programuar nga trajneri Armando Cungu, me nga dy seanca në ditë, i ka vënë lojtarët e Laçit përpara një “sfide” të vërtetë. Aq me tepër kur mendon se sot i gjithë grupi, përpos impenjimit të paradites, do të udhëtojë drejt Pogradecit, për të zhvilluar një miqësore me ekipin vendës, që militon në Kategorinë e Parë. Sidoqoftë, informacionet që vijnë nga Struga evidentojnë faktin se kurbinasit shumë shpejt do të godasin në merkato, duke afruar kualitete që do të përforcojnë ndjeshëm grupin.

Përgatiti: Isuf Myrtaj





www.minuta90.com