Moçka kundër të shkuarës, gardiani i Flamurtarit: Asnjë hakmarrje, por e mund Tiranën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2019 | 19:12

Moçka kundër të shkuarës, gardiani i Flamurtarit: Asnjë hakmarrje, por e mund Tiranën!

Shpëtim Moçka kërkon kthesën me Tiranën. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, portieri paralajmëron se ka ardhur koha që të shijojnë fitoren e parë në kampionat.

Kridens Meta - Muzaka - Mocka

Nuk e quan “hakmarrje” përballjen me bardheblutë, por një detyrim për tifozët vlonjatë. Gardiani u qëndron edhe akuzave që bëri pak kohë më parë për aventurën që pati te kryeqytetasit. Nuk kishte si të mos komentonte edhe krizën që ka kapluar ekipin dhe mbi të gjitha 15 golat e pësuar në 540 minuta lojë.

A mund të quhet një pikë kthese për Flamurtarin fitorja me 5 gola kundër Veleçikut?

Unë mendoj se po. Rezultatet nuk i kemi pasur të mira në kampionat dhe mendoj se ka ardhur koha që të kthehemi te rezultatet e mira. Ndeshja me Veleçikun ishte një provë që djemtë të zhbllokoheshin. Dhe kështu ndodhi. Tani, duhet të kthejmë faqen dhe të kthehemi sa më shpejt te fitoret.

Mocka2

Prisni Tiranën që vjen e humbur nga derbi, beson Moçka se fitorja e parë do të vijë pikërisht këtë javë?

Mendoj se çdo sfidë ka rëndësinë e vet. Për ne janë të gjitha finale. Ne kundërshtarin as e nënvlerësojmë, por as e mbivlerësojmë. Tirana ka një ekip të mirë, por unë kam besim të plotë se do ta kalojmë me sukses.

Aventura te Tirana s’ju ka lënë shije të mirë, do jetë ky një shans për të marrë “hak”?

(Qesh) Nuk është që unë do të marr “hak” ndaj Tiranës, por unë do të jap më të mirën dhe maksimumin tim për fanellën që mbaj veshur, për Flamurtarin. Shpresoj të rikthehemi te fitorja, pasi na mungon në kampionat. Nuk e kemi arritur ende pas 6 javësh të luajtura, ndaj shpresoj ta shijojmë të shtunën përballë bardhebluve.

Akuzat që dhatë kohë më parë kundër Tiranës kanë pasur reagime… ju ka telefonuar ndonjë?

Jo, nuk kam pasur asnjë telefonatë. Absolutisht jo. Unë ato deklarata i bëra me vetëdije të plotë dhe u qëndroj atyre që u kam thënë.

shpetim mocka kordeiro melo

Janë pësuar 15 gola në 6 javë, çfarë emri u vendosni këtyre shifrave?

Mendoj se duhet të funksionojmë si repart, pasi mbrojtja më e mirë është sulmi dhe sulmi më i mirë është mbrojtja. Nuk ka lidhje vetëm me repartin mbrojtës kjo pjesë. Ne duhet të funksionojmë në grup apo e thënë ndryshe në bllok.

Pse është në këtë gjendje Flamurtari, prej financave që mungojnë prej më shumë se një viti, apo se e nisi vonë punën për këtë sezon?

Mendoj se nga nisja vonë e përgatitjeve. Kjo është edhe arsyeja kryesore që ndodhemi në këtë gjendje. Edhe lojtarët duhet që ta gjejnë më mirë veten sa më shpejt. Kemi shumë lojtarë të rinj, nuk e kanë njohur akoma njëri-tjetrin dhe lojën e tyre. Shpresoj të rikthemi sa më parë.

Si ndihet një vlonjat kur e sheh ekipin në krizë të thellë?

Shumë, po shumë keq. Çdo vlonjat që e shikon Flamurtarin në këtë gjendje, ka një ndjesi shumë të keqe. Shpresoj që të gjithë bashkë të dalim nga kjo situatë sa më shpejt, pasi nuk është mirë për asnjë nga ne, pasi çdo lojtari i bie vlera dhe nuk është e mirë për të gjithë.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"