Moçka dhe Ribaj mbeten te Flamurtari, në Vlorë pritet të kthehet edhe lojtari që u largua para pak ditësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2020 | 11:09

Moçka dhe Ribaj mbeten te Flamurtari, në Vlorë pritet të kthehet edhe lojtari që u largua para pak ditësh

Dritan Resuli konfirmon për gazetën rikthimin e Shpëtim Moçkës dhe Andi Ribajt. Për “Panorama Sport”, trajneri i Flamurtarit është shprehur se marrëveshja mes palëve është shumë pranë, madje ai beson se portieri dhe sulmuesi do t’i bashkohen grupit që këtë javë në stërvitje. Me rikthimin e tyre, trajneri Resuli do të qetësohej shumë, pasi janë dy elementë që mund të bëjnë diferencën në kampionat për vetë eksperiencën që kanë dhe për faktin se e njohin mjaft mirë ambientin në klub.

Mocka Flamurtari

“Këtë javë besoj se do të rikthehen edhe dy lojtarët që ishin pjesë e Flamurtarit sezonin e shkuar, Moçka dhe Ribaj. Shpresojmë që t’i mbyllim gjërat me ta dhe t’i futemi me themel kampionatit. Këta janë lojtarë që bëjnë diferencën dhe ambientin tek ekipi ynë e njohin. Janë pjesë jona, edhe pse gjatë kësaj kohe nuk kanë ardhur në stërvitje për arsyet e tyre. Me rikthimin e Moçkës dhe Ribajt mendoj se ka për të ndryshuar shumë ekipi dhe jam i bindur se ata kanë për të bërë edhe diferencën. Është afruar edhe një lojtar nga Luftëtari, Stiven Puci, i cili u aktivizua në ndeshjen e fundit miqësore me Orikun. Jemi duke u kompletuar dhe përforcuar grupin”, ka thënë trajneri Resuli. Në ndeshjen e fundjavës që shkoi, Shpëtim Moçka dhe Andi Ribaj ishin në tribunë për të ndjekur nga afër skuadrën.

RIBAJ

AFRIMET – Veç Moçkës dhe Ribajt, Flamurtari është në pritje edhe të një lojtari tjetër, të mesfushorit serb Tarik Çmajçanin. Ai ishte disa ditë në Vlorë, por nuk arriti një marrëveshje me drejtuesit e Flamurtarit dhe u kthye në Serbi, por duke e lënë të hapur pistën vlonjate.

Drejtuesit e klubit janë të bindur se edhe ky lojtar do të jetë pjesë e Flamurtarit sezonin e ri. Nëse vjen, 26-vjeçari do të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm për trajnerin Resuli, pasi ka një eksperiencë të mëparshme në kampionatin shqiptar, ku është aktivizuar me Teutën në sezonet 2016- 2018. Deri tani, tre janë lojtarët e afruar te Flamurtari, Burak Menga, Alvi Ahmetaj dhe Stiven Puci.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"