Mobilizimi i grupit dhe njohuritë e Starovës, 10 arsyet e fitores së Partizanit në Kukës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2017 | 21:19

Mobilizimi i grupit dhe njohuritë e Starovës, 10 arsyet e fitores së Partizanit në Kukës

Partizani ka dhënë sinjale rikthimi, pikërisht aty ku pakkush e kishte menduar, në transfertën e Kukësit, ku mori një fitore me përmbysje. Janë disa arsyet që ndikuan në këtë sukses të “demave”:

Partizani

1-Si asnjëherë tjetër në këtë sezon, skuadra që luajti në fushë tregoi karakter, grintë dhe dëshirë për të fituar nga fillimi në fund.

2-Efekti “Starova” ka nisur të japë frytet e tij, pasi si një njohës i mirë i futbollit shqiptar, “Bobi” me grupin që pati në dispozicion ndërtoi një formacion për t’i bërë ballë kundërshtarit dhe fushës së tij.

3-Tradita është një faktor që ndikon zakonisht në futboll dhe Kukësi mbetet nga ata kundërshtarë që, në përgjithësi, i ka sjellë fat Partizanit, me përjashtim të sezonit të shkuar që nuk e mundi asnjëherë.

4-Presioni i ushtruar nga drejtuesit para ndeshjes, kryesisht në mbledhjen e bërë pas humbjes me Laçin, sikur i ka shkundur lojtarët, gjë e cila u pa qartë dje në fushën e stadiumit “Zeqir Ymeri”.

5-Dëmtimi i papritur i portierit Enea Koliçi në nxehmjen para ndeshjes, ishte një plus për të kuqtë, pasi kundërshtarit i mungonte një lojtar me eksperiencë.

6-Mbrojtja e Kukësit e ka humbur shkëlqimin e sezonit të shkuar dhe shembulli më konkret është mbrojtësi Albi Alla, i cili dje u bë protagonist, kryesisht te goli i dytë ku i dhuroi topin Bardhit.

7-Mobilizimi në kampin e kuq ka qenë jashtëzakonisht i madh në takimin e djeshëm, ku të gjithë kërkonin të jepnin më të mirën. Duke ditur dëmtimet dhe mungesat, ky takim për disa lojtarë ishte një shans për të treguar veten dhe shembulli konkret ishte paraqitja e Jurgen Bardhit, që rrallë ndodh ta nisë një ndeshje si titullar.

8- Presingu ndaj kundërshtarit ishte i dukshëm te futbollistët e Partizanit, të cilët mundoheshin që ta bllokonin kundërshtarin në cep të fush- ës. Mesfusha e Kukësit u vu në vështirësi, pasi të kuqtë nuk i lanë hapësirë për të luajtur. Gjithashtu, presioni fillonte që kur Kukësi e niste topin nga zona e tij, duke i shqetësuar dy qendërmbrojtësit për të vertikalizuar, si dhe për të dhënë topa të gjatë për Gurin.

9-Skema e re që kishte parashikuar Starova në këtë takim funksionoi shumë mirë. Ndonëse ishte thënë se ekipi do të luante me një modul 4-4-2, në fushë u rreshtuan 3-5-2. 3 mbrojtës në një vijë, 5 mesfushorë dhe me Prognin dhe Bardhin të përshtatur në vijën sulmuese. Me shtimin e forcave sulmuese në radhët e Kukësit në pjesën e dytë, të kuqtë përfunduan me skemën mbrojtëse 5-1-3-1.

10- Mbështetja e ultrasve të kuq, edhe pse bëhej fjalë për ditën e parë të javës, nuk i ka munguar ekipit në transfertën e Kukësit. “Guerrils” kurrë nuk e lënë vetëm Partizanin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"