Mjeshtër i kundërsulmit, Ançeloti presion Bilbaos/ Karlo, alla Murinjo: Kush s’luan në kundërsulm është i marrë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2022 | 13:45

Mjeshtër i kundërsulmit, Ançeloti presion Bilbaos/ Karlo, alla Murinjo: Kush s’luan në kundërsulm është i marrë…

Pep Guardiola dhe Ksavi Hernandez janë dy tra jnerë që e kuptojnë dhe madje shumë mirë futbollin. Filozofia e tyre është zotërimi i topit, kontrolli i lojës dhe presingu në fushë kundërshtare për t’i rrëmbyer sa më shpejt topin rivalit.

ANCELOTI

Në prill 2014, i pari vuajti jo pak mjeshtërinë e Karlo Ançelotit, i cili shfrytëzoi në maksimum një ide fikse të futbollit italian, kundërsulmin. Në “Bernabeu” dhe në “Allianz Arena”, në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, asokohe trajneri i Bajernit të Mynihut, Pep Guardiola, shihte skuadrën e tij të shkërmoqej nga Reali i Ançelotit në etapën e tij të parë në Madrid.

“Mbretëria” e Pepit u shemb pikërisht nga kundërsulmet e jashtëzakonshme të Realit që triumfonte 4- 0 në Mynih me gola të Di Marias, Bejlit, Ronaldos dhe Benzemasë. Asokohe, shtypi gjerman nuk i kurseu asgjë Guardiolës, duke e cilësuar atë të paaftë të ndalonte atë çfarë kishte thënë në konferencë për shtyp: “Reali është një skuadër shumë e fortë, më të mirët në kundërsulm”! Tetë vjet më vonë, fatin e Guardiolës e ka pasur Ksavi, ndjekësi “par excellence” i ideve të Pepit. Përsëri “vrasësi” është i njëjti, Reali i Madridit dhe Karlo Ançeloti.

“Mjeti i krimit” është po ai, kundërsulmi. Me disa nuanca më ndryshe, me dy skuadra të ndryshme në përbërje, rezultati ka qenë po i njëjtë. Ksavi e ka pranuar në fund se Reali e ka dërrmuar në kundërsulm. “E dinim se kështu do të ndodhte, ata do të luanin në tranzicion dhe na kanë vënë në vështirësi”, ka shpjeguar Ksavi pas ndeshjes.

MURINJO – Ançeloti ka pasur të drejtë. Edhe ai pas ndeshjes deklaronte se: “Barcelonën e shkatërruam në kundërsulm. I gjetëm pikat e dobëta dhe i goditëm”. E siç ka të drejtë Ançeloti, të drejtë ka pasur dhe Zhoze Murinjo, një tjetër mjeshtër i kundërsulmit. Jo më kot mediat spanjolle i kanë kujtuar Ksavit postulatin e trajnerit portugez, që tani drejton Romën.

anceloti

“Nëse nuk luan në kundërsulm, kjo do të thotë se je i trashë, je budalla. Kundërsulmi është një pjesë fantastike e futbollit, një armë që mund ta përdorësh përballë një rivali të ç’ekuilibruar, që të çon drejt një mundësie të artë për të shënuar”. Në filozofinë e Ançelotit nuk ekziston koncepti i të luajturit vetëm në një mënyrë. “Më pëlqen të kem alternativa të ndryshme loje, alternativa që na japin mundësi të interpretojmë lojën tonë në forma të tjera”, ka thënë Ançeloti kur është pyetur mbi modelet e ndryshme të të luajturit.

JO “CATENACCIO” – Futbolli italian njihet shumë për katenaçon. Por kundërsulmi i cili aplikohet në Itali është po aq domethënës për futbollin e këtij vendi. Në Spanjë, skuadrat që e aplikonin më mirë kundërsulmin ishin ato të drejtuara nga Luis Aragones. Për Ançelotin, kundërsulmi është një element që e ka përdorur edhe në të kaluarën. Ai mund të tingëllojë si një trajner italian me shumë nuanca spanjolle, por ai vetë në vitin 2013 thoshte: “Jam italian dhe më pëlqen kundërsulmi”. Mënyra më e mirë për të kuptuar atë çfarë kundërsulmi përfaqëson për Ançelotin është të lexosh librin e tij “Pema ime e Krishtlindjes”.

anceloti

“Flasim për kundërsulmin si një taktikë të organizuar. Kundërsulmi i organizuar na mundëson që pas rikuperimit të topit, të shfrytëzojmë epërsinë tonë duke e gjetur kundërshtarin në kundërkohë. Kjo strategji konsiston në të sulmuarit e hapësirave dhe vertikalizimin. Kjo është një zgjidhje që rezulton efektive vetëm në rast se realizohet me lëvizje kolektive dhe korrekte”, ka shpjeguar Ançeloti. Nëse analizohen golat ndaj Barcelonës, të tre kanë ardhur në kundërsulm, gjithçka ishte e përgatitur deri në imtësi prej strategut italian.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"