“Mjafton të përsërisim sfidën me Dinamon, Tomori meriton tri vendet e para”, Arbëri: E thyejmë Skënderbeun!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2022 | 10:35

“Mjafton të përsërisim sfidën me Dinamon, Tomori meriton tri vendet e para”, Arbëri: E thyejmë Skënderbeun!

Pas tri javësh pa fitore, në Berat presin vetëm kthesën. Luajnë me Skënderbeun dhe vështirësia dihet, por objektivi është i qartë. Skuadra do të jetë e plotë për këtë ndeshje, pasi në portë rikthehet Klement Boje. Afrikani ka hedhur pas krahëve dëmtimin që mori kundër Dinamos dhe sot do të jetë ai titullar.

Arberi

ARBËRI – Klodian Arbëri nuk i quan të pakalueshëm korçarët, përtej vlerësimit që ka për ta. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri rrëfen edhe merakun e vetëm që ka.

“Këtë përballje duhet ta fitojmë. Këtë detyrë kemi dhe ua kam bërë të qartë lojtarëve. Objektivi nuk është i parealizueshëm, për aq kohë sa kemi forcën dhe potencialin në organikë.

Nuk pres asgjë më shumë, veçse të përsërisim ndeshjen me Dinamon. Ai ishte Tomori i vërtetë, që di të bëjë diferencën në fushë edhe ndaj ekipeve emër dhe me pretendime.

Me aq sa kemi dhënë në fushë këto 5 javë, duhet të ishim në tri vendet e para. Ne e respektojmë kundërshtarin, por e dimë që mund të thyejmë këto vetëm nëpërmjet lojës, grintës dhe besimit.

Për fatin tonë të keq, disa gjykime tendencioze na kanë dëmtuar në rezultate dhe në renditje. Por përballë korçarëve do të tregojmë se kush jemi ne. Në Berat pastaj, nuk do të falim asnjë kundërshtar”, deklaroi tekniku i beratasve.

SHAQE – Në radhët e Tomorit ka edhe një korçar. Bëhet fjalë për Klevis Shaqen, që hapur e thotë që dëshiron t’i shkaktojë humbjen Skënderbeut.

“Është ndeshja e radhës për ne. Nuk ka asnjë mbivlerësim për Skënderbeun, pasi në fund të fundit edhe Tomori është një skuadër po aq e njohur sa ne.

Do të tregojmë në fushë se midis dy ekipeve nuk ka asnjë diferencë. Kemi punuar shumë gjatë gjithë javës dhe nuk e fshehim, në fushë do të zbresim për trepikëshin.

Këtë na e dikton edhe kalendari, pasi më pas kemi dy transferta radhazi.

Unë jam korçar dhe për këtë jam krenar. Jam formuar dhe aktivizuar deri në 18 vjeç me ekipin e moshave të Korçës, por si profesionist kam një detyrë: t’i shkaktojmë humbjen Skënderbeut dhe pse jo të jemi shembull në fushë për Tomorin.

I detyrohem shumë klubit beratas, për respektin dhe mikpritjen, por edhe për vlerësimin financiar”, përfundoi mbrojtësi.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"