Misioni “Superiore”, Tomori pret kthimin e… donatorëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2021 | 21:27

Misioni “Superiore”, Tomori pret kthimin e… donatorëve

Nuk është ende zyrtare, por zërat po përforcohen gjithnjë e më shumë. Donatori Gramoz Toto dhe grupi i tij ndihmës mund të rikthehen te Tomori. Përtej krizës që patën kohë më parë, marrëdhëniet duket sikur janë ndrequr.

Tomori Dalipi

Kur dihet që skuadra është futur në valle për misionin “Superiore”, po tentohet fuqizimi edhe në planin financiar. Skuadra është vërtet në rrugën e duhur, por në janar do të tentohen që të bëhen disa “goditje” vendimtare në merkato. Në Berat duan ngjitjen dhe shpresojnë që ky vit jubilar të kurorëzohet me sukses.

Sipas ish-portierit Bledar Dura, rikthimi i donatorëve do ta bëjë Tomorin të peshojë rëndë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai shpreson që gjithçka të marrë formë të prerë.

“Personalisht e konsideroj si një zhvillim shumë pozitiv rikthimin e mundshëm të donatorit Gramoz Toto. Të gjithë e dinë vlerën dhe peshën e tij te Tomori. Zërat po qarkullojnë këto ditë në Berat dhe urojmë që të zyrtarizohet sa më shpejt të jetë e mundur rikthimi i biznesmenit dhe ish-presidentit të njohur.

Tifozët me të drejtë insistojnë për rikthimin e tij në këto momente. Jam i bindur se pas kësaj, Tomori do të synojë hapur rikthimin në Superiore. Bashkia duhet të mos e vonojë rikthimin e donatorit. Kjo është shumë e nevojshme për moralin dhe sigurinë që Toto i jep skuadrës në rrugën e gjatë të këtij kampionati”, përfundoi ish-kapiteni i skuadrës beratase.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"