Mirel Josa “on fire”, turi i forcës ndaj së shkuarës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2021 | 13:00

Mirel Josa “on fire”, turi i forcës ndaj së shkuarës

Festimi i trajnerit të Laçit, Mirel Josa, pas fitores ndaj Kukësit ka rënë në sy, si dhe ka bërë xhiron e rrjeteve sociale. Kjo ka dalë në pah për shkak të natyrës së zakonshme të 58-vjeçarit, pasi Josa shquhet si një trajner i qetë, i heshtur, madje dikur në Shkodër, kur ishte trajner Vllaznisë, i kërkonin që të buzëqeshte.

josa

Me sa duket, trajneri kryeqytetas po e shijon aventurën te kurbinasit dhe pas Kukësit u pa një Josë “on fire”, që i bie të përkthehet si entuziast, i emocionuar ose i pasionuar pas diçkaje. Edhe pse para ndeshjes për “Panorama Sport” trajneri Josa nuk e konsideroi si hakmarrje përballjen ndaj verilindorëve, suksesi u pa qartë që i ka shijuar shumë.

Si ish-trajner i disa skuadrave, i bie që në një pjesë të mirë të ndeshjeve ai t’i ketë si përballje me të shkuarën apo si duel ndaj nxënëseve të tij me statusin e kolegut. Të martën është përballja më e madhe me të shkuarën për Mirel Josën, kur Laçi pret Tiranën. Kurbinasit vijnë në superformë në turin e forcës së trajnerit të tyre ndaj së shkuarës.

Pa dyshim Josa do t’ia bëjë hyzmetin trepikëshit edhe ndaj Tiranës, e cila duket pranuar se në vitet e fundit sikur ua ka marrë dorën laçianëve duke i mundur pa probleme edhe në transfertë. Pa dyshim ky takim është edhe një busull orientuese për të ardhmen e të besuarve të trajnerit Mirel Josa në kampionat, ku Laçi ka pasur start të keq pa rrokur skenën e suksesit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"