Mirdita i nxjerr dufin Shkëndijës pas dënimit nga Disiplina

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2019 | 18:00

Mirdita i nxjerr dufin Shkëndijës pas dënimit nga Disiplina

Mirdita është penalizuar një ditë më parë me humbjen 3-0 në tavolinë për ndeshjen ndaj Selenicës, si edhe i janë hequr tri pikë nga renditja. Kjo, pasi në atë takim ka aktivizuar një lojtar që nuk kishte të drejtë të luante.

kategoria e trete

“Mirdita, për aktivizim të lojtarit, që nuk kishte të drejtë të luante në ndeshjen me Selenicën, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë 3-0 dhe zbritjen e tri pikëve nga klasifikimi”, thuhej në vendimin e Komisionit të Disiplinës.

REAGIMI

Ndërkaq, klubi i Mirditës ka reaguar dje në lidhje me dënimin e Disiplinës. “Armando Marku, për të cilin bëhet fjalë, ka pasur vetëm tre kartonë të verdhë dhe me dëshirën tonë, është aktivizuar në ndeshjen kundër Selenicës, duke e ditur se vetëm nëse një lojtar ka 4 kartonë të verdhë, nuk duhet të luajë.

Ne nuk e mohojmë, por e dimë që rregulli në të gjitha kategoritë, si në Superiore, Kategori të Parë apo të Dytë, është njëlloj, që një lojtar nuk mund të aktivizohet vetëm me 4 kartonë të verdhë. Kurrsesi, ne nuk pajtohemi me vendimin e federatës për t’i zbritur tri pikë ekipit tonë dhe për t’ia lënë ndeshjen në tavolinë ekipit të Selenicës. Në këtë mënyrë, ekipi i Mirditës të ndëshkohet, duke i hequr padrejtësisht 6 pikë”, thuhet në reagimin e klubit mirditor. Kujtojmë që Mirdita dhe Selenica janë dy klube që rivalizojnë me njëra-tjetrën për të kapur vendin e parë, që të çon në Kategorinë e Dytë.

NDESHJET

Ndërkaq, të martën ka startuar faza e dytë e Kategorisë së Tretë, ku sipari u çel me ndeshjen Mirdita-Shkëndija. Një sfidë ku mirditorët kanë shkatërruar 11-3 skuadrën e Mjeshtërisë së Tiranës, ku Taulant Gjoka ka shënuar 5 gola dhe dy dopieta të Lleshajt, Picakut dhe Përlesajt, ndërkohë që për shkollën e Mjeshtërisë realizuan Çupaj, Zhuta dhe Fillocu.

Ndeshja tjetër e luajtur dje ka qenë ajo mes Selenicës dhe Valbonës, e cila ka qenë mjaft e ekuilibruar dhe rastet nuk kanë munguar nga asnjëra palë. Fillimisht kanë qenë tropojanët me anë të Brahimajt dhe Vishkullit, ndërsa nga vlonjatët kanë rrezikuar Koçiraj dhe Baga. Madje, ky i fundit, 5 minuta para fundit, ka marrë kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë skuadrën vlonjate me 10 lojtarë.

Gjithsesi, rezultati nuk ka ndryshuar deri në fund. Deri në fund të kampionatit do të luhen edhe katër javë. Sipas rregullores, dy ekipet që renditen të parat fitojnë të drejtën që të ngjiten në Kategorinë e Dytë. Megjithatë, ato fillimisht duhet të përmbushin disa kritere siç është fusha ku do të luajnë apo edhe rregulla të tjera. Mirdita, Selenica dhe Valbona janë tri ekipet që duket se do të luftojnë fort për të zënë dy vendet e para, që të ngjisin më lart. Edhe në fazën e parë u zhvillua një garë e fortë mes skuadrave, gjë që pritet të vazhdojë edhe në fazën e dytë. Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"