Miratohet projekti/ FSHF-bashki, 600 milionë për terrenet e Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2022 | 10:25

Miratohet projekti/ FSHF-bashki, 600 milionë për terrenet e Lushnjës

Këshilli Bashkiak i Lushnjës, që është njëherësh është edhe asambleja e përgjithshme e “KF Lushnja 1930 sh.a” ka zhvilluar dje një mbledhje “online”.

LUSHNJA AGIM CANAJ

Mbledhja ishte jashtë radhës dhe me rend dite “Mbi miratimin e marrëveshjes midis Bashkisë Lushnjë dhe FSHF-së”. Një investim mbi 600 milionë lekë të vjetër.

Palët kanë vlerësuar se kanë qëllime të përbashkëta: rritjen e cilësisë dhe masivizimin e sportit të futbollit në Lushnje, krijimin e kushteve për rritjen e numrit të pjesëmarrësve në veprimtaritë sportive.

Bashkia Lushnjë ka në pronësi stadiumin “Roza Haxhiu”, aktualisht me një fushë futbolli të amortizuar dhe jashtë standardeve të rregullores së infrastrukturës së FSHF-së.

Në këto kushte, FSHF e përfaqësuar nga sekretari Ilir Shulku dhe Bashkia Lushnjë e përfaqësuar nga kryetarja Eriselda Sefa kanë rënë dakord si më poshtë:

1. Të bashkëpunojnë për zbatimin e projektit të rikonstruksionit, të kompleksit sportiv “Roza Haxhiu”, Lushnjë. Ja si vijon projekti:

a. Ndërhyrjen dhe sistemimin e fushës së futbollit të stadiumit “Roza Haxhiu”, përfshirë edhe riparimin e sistemit të vaditjes.

b. Mbjelljen me bar natyral të stadiumit “Roza Haxhiu”. c. Rindërtimin e tri ambienteve stërvitore. Anekse pranë stadiumit “Roza Haxhiu” me sipërfaqe dhe specifika:

c.1. Fushë me sipërfaqe 8030 m2 me mbjellje natyrale dhe sistem vaditje.

c.2. Fushë me sipërfaqe 8030 m2 me tapet sintetik.

c.3. Fushë me sipërfaqe 4900 m2 me tapet sintetik.

2. Të bashkëfinancojnë shumën totale për zbatimin e këtij projekti në masën 49% Bashkia Lushnjë dhe 51% FSHF.

3. Për shmangien e çdo keqkuptimi, vlera totale e projektit do të mbulohet fillimisht nga FSHF, ndërsa Bashkia Lushnjë do t’i rimbursojë FSHF-së pjesën takuese (49%) sipas parashikimeve të kësaj marrëveshjeje.

4. Vlera e fondit limit në këtë projekt do të jetë 60.733.773.7 lekë. Kështu, FSHF-ja ka detyrimin për supervizimin dhe kontrollin e punimeve.

Më pas, Bashkia Lushnjë do të ngrejë një komision për ta marrë në dorëzim. Fushat e stërvitjes pritet të mbarojnë në periudhën maj-qershor.

Ndërsa tapeti i stadiumit do të rikonstruktohet gjatë verës, pas përfundimit të fazës së dytë të kampionatit. Relacioni i presidentes Eriselda Sefa “Mbi miratimin e marrëveshjes midis Bashkisë Lushnjë dhe FSHF-së, për projektin ‘Rikonstruksioni i kompleksit sportive ‘Roza Haxhiu’ Lushnjë'”, u është propozuar këshilltarëve për miratim, të cilët e kanë miratuar.

DETAJET – Pjesë përbërëse e vlerës së fondit limit të projektit prej 60.733.773.7 lekësh do të jenë zërat e mëposhtëm:

a. Sistemimi dhe mbjellja e stadiumit “Roza Haxhiu”, 3.025.000 lekë, nga të cilat Bashkia Lushnjë do të financojë 907.500 lekë.

b. Ndërtimi i fushës stërvitore me bar natyral me sipërfaqe 8030 m2 – 13.279.123.13 lekë.

c. Ndërtimi i fushës stërvitore me tapet artificial me sipërfaqe 8030 m2 – 27.479.111.61 lekë.

d. Ndërtimi i fushës stërvitore me bar artificial me sipërfaqe 4900 m2 – 16,950,539 lekë. Vetëm për sistemimin dhe mbjellje në stadiumin “Roza Haxhiu” Bashkia Lushnjë do të financojë 30% të vlerës së ndërhyrjes. Në ndërhyrjet e tjera, financimi do të jetë rregullisht 49% Bashkia Lushnjë dhe 51% FSHF.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"