Shqipëria e De Biazit, në një 1 vit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2012 | 16:20

Shqipëria e De Biazit, në një 1 vit

Shqipëria ka ndryshuar shumë në një vit dhe sot është më e fortë dhe më e ekuilibruar. Ky është përfundimi i trajnerit të Kombëtares, i cili pas ndeshjes miqësore me Kamerunin në Gjenevë i ka bërë një “skaner” vitit 2012, duke thënë se skuadra kuqezi ka ndryshuar për mirë dhe se në të ardhmen do të jetë akoma më solide.
Analiza
“Jam i bindur se sot Shqipëria është një skuadër më e ekuilibruar. Nëse i referohemi ndeshjes së parë, asaj të luajtur më 29 shkurt në Gjeorgji, ku unë e njihja shumë pak skuadrën, mund të them se sot kemi një skuadër ndryshe, – ka deklaruar trajneri italian në konferencën për shtyp, – sepse gjatë një viti kemi një bilanc pozitiv sa u përket rezultateve të ndeshjeve, por edhe bilancit të golave. Kemi shënuar 9 gola dhe kemi pësuar 8. Pra kemi pësuar më pak se një gol për ndeshje. Skuadra është e balancuar dhe ka nisur t’i vërë në zbatim ‘ne bëjmë, ne mundemi, ne luftojmë, ne mendojmë’ duke hequr dorë nga motoja ‘unë bëj, unë di, unë mundem, unë provoj’. Dua të them se jemi një skuadër më solide. Jemi më mirë, sepse tani kemi formuar një grup prej 36 futbollistësh, sepse jo vetëm që kemi rikuperuar lojtarë të rëndësishëm si Curri dhe Vangjeli, por kemi testuar edhe lojtarë të rinj. Nëse Shqipëria deri një vit më parë kishte si objektiv primar të sulmonte topin dhe të mos e lejonte kundërshtarin ta vinte nën presion, sot kjo skuadër jo vetëm që sulmon topin, por edhe e qarkullon mirë atë. Kjo ka ardhur falë një ekuilibri që kanë gjetur repartet mes tyre”.
Të rinjtë “Kur mora drejtimin e Shqipërisë, kjo skuadër ishte në një tranzicion të plotë, sepse ishte larguar Lala, Skela, Beqaj e Duro. Ishte larguar edhe Bushi (qesh… bëj shaka). Na u desh të kërkonim lojtarë dhe mendoj se i kemi gjetur ata. Janë afruar Mavraj, Meha, Kukeli, Berisha, Sadiku, Arapi, Vajushi, Bala dhe Zeqiri. Janë përmirësuar ndjeshëm Roshi dhe Sabien Lilaj. Pra jemi një skuadër, që ka të paktën nga dy futbollistë për çdo rol dhe mbi të gjitha jemi një skuadër që lufton shumë dhe përpiqet deri në fund për atë që kërkon trajneri. Mua më kënaq tej mase kjo gjë. Unë nuk e di të them se deri ku do të arrijmë, por di t’ju them se po ndërtojmë diçka të mirë dhe me një të ardhme të madhe. E them këtë, sepse kemi disa futbollistë që janë në kulmin e tyre si Cana, Mavraj, Lila, Kukeli dhe Agolli. Kemi disa të tjera si Bogdani dhe Bulku, që kanë shumë eksperiencë, dhe kemi gjithashtu disa të rinj të talentuar si Sadiku, Vajushi e Roshi që mund të bëjnë gjëra të mëdha në të ardhmen. Po ju them se kjo skuadër është fryt i punës dhe impenjimit të madh nga ana e stafit, nga ana e vetë lojtarëve dhe e bashkëpunimit të ngushtë që kemi pasur me FSHF-në. Po ju them gjithashtu se skuadra ime është tepër demokratike dhe se aty luajnë gjithnjë ata që e meritojnë dhe ata që janë më në formë. Nuk kam pasur kurrë ndërhyrje, përkundrazi, kam pasur gjithnjë një mbështetje të madhe nga federata”, – ka deklaruar trajneri.

PENGU I VITIT
“Keqardhja më e madhe është që nuk luajtëm dot në Tiranë përballë Kamerunit. Ndërsa pengu i vitit vazhdon të mbetet Islanda. Ndonjëherë, kur dëgjoja miqtë e mi që më thoshin se meritonim të paktën 1 pikë, më vinte të hidhesha nga dritarja, sepse ajo ishte ndeshja ku ne meritonim plotësisht ta fitonim”, – ka thënë trajneri.

VËSHTIRËSIA
“Kundër Kamerunit mendoj se në fillim vuajtëm stilin e tyre të lojës. Ia pata thënë skuadrës se nuk duhej të binte në manovrën e tyre, pasi dihet se Kameruni fizikisht është shumë lart, por ka edhe lojtarë me teknikë të mirë. Megjithatë, vuajtëm disi vetëm 20 minuta, por më pas arritëm t’i merrnim frenat e lojës në dorë”, – është shprehur trajneri.

NDESHJET E XHANI DE BIAZIT
Gjeorgji-Shqipëri 2-1 (Miqësore)
Katar-Shqipëri 1-2 (Miqësore)
Shqipëri-Iran 1-0 (Miqësore)
Shqipëri-Moldavi 0-0 (Miqësore)
Shqipëri-Qipro 3-1 (Kualifikuese)
Zvicër-Shqipëri 2-0 (Kualifikuese)
Shqipëri-Islandë 1-2 (Kualifikuese)
Shqipëri-Slloveni 1-0 (Kualifikuese)
Shqipëri-Kamerun 0-0 (Miqësore)
BILANCI: 9 ndeshje; 4 fitore, 2 barazime, 3 humbje. Golat: 9-8.

Bushi: Besoj te projekti, ne mund t’ia dalim
Alban Bushi është optimist për të ardhmen e Kombëtares, madje nuk kursen as batutat se kuqezinjtë mund të mbërrijnë deri në Brazil 2014. Menaxheri i përgjithshëm i ekipit përfaqësues i beson projektit për të ardhmen, por thotë se skuadra dhe tifozët duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe duhet t’i vlerësojnë me nota reale mundësitë që kanë. “Unë mendoj se ne jemi në rrugën e duhur, sepse po punohet me impenjim nga stafi dhe nga federata për të ardhmen e Kombëtares. Projekti aktual, ku një vend të rëndësishëm zënë të rinjtë, mua më bën të ndihem optimist. Shqipëria ndërkohë është gjithashtu edhe brenda objektivave sa u përket pikëve. Madje, po ju them se nëse ne barazojmë me Norvegjinë jashtë dhe e mundim atë në shtëpi, rikthehemi në luftë për t’u kualifikuar. Por duhet të jemi realistë dhe të pranojmë se ne ende nuk jemi 100 për qind gati për hapin e madh. Gjithçka mund të ndodhë gjatë rrugës, por nuk duhet të harrojmë mundësitë dhe kufizimet që kemi. Ne jemi Shqipëria dhe duhet të japim gjithnjë 120 për qind për të realizuar diçka”, – ka thënë ish-bomberi i kuqezinjve.

Duka, elozhe kuqezinjve për testin
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e ka cilësuar si pozitiv testin që Shqipëria zhvilloi ndaj Kamerunit. “Ky ishte një takim që i shërbeu shumë trajnerit De Biazi për të parë gjendjen e lojtarëve të rinj, që kishte grumbulluar. Këta futbollistët sigurisht që duhet të punojnë shumë për të pasur një rol të rëndësishëm edhe në të ardhmen. Miqësorja e ndihmoi trajnerin për të pasur një ide sa më të qartë dhe frytdhënëse për ndeshjet e ardhshme eliminatore”, – ka thënë fillimisht Duka për “Supersport”. Më pas ai foli edhe për takimin me kreun e UEFA-s, Mishel Platini, në Gjenevë: “Na garantoi mbështetjen financiare që investimi i Federatës, në bashkëpunim me FIFA-n dhe UEFA-n, të arrijë shifrën 10 milionë eurove, ndërsa pjesa tjetër do të sigurohet me investitorë privatë. Brenda dy muajsh do të jepen detajet e projektit, si dhe një datë për fillimin e punimeve”.

Berisha: Doja sfidë me Etonë, i lumtur që e ndala
Portieri kosovar, Etrit Berisha, ka mbetur i pamposhtur edhe pas ndeshjes së tij të katërt me Kombëtaren e Shqipërisë. Por, në dallim nga tri ndeshjet e para, kur nuk u ballafaqua me emra të mëdhenj, në të katërtën Berisha përballë kishte një sulmues të njohur si Samuel Eto. Të mërkurën në mbrëmje kosovari e ruajti për 90 minuta portën e Shqipërisë, që barazoi pa gola me Kamerunin në miqësoren e luajtur në Gjenevë të Zvicrës. Sulmi i Kamerunit udhëhiqej nga futbollisti më i paguar në botë, Eto, dhe shtatlarti Berisha është i lumtur që ka dalë fitimtar në sfidën me lojtarin, me të cilin kishte ëndërruar që të luante. “Në kohën kur Eto luante për Barcelonën, ëndërroja që të luaja me të në një ekip. Rastin e kisha që të luaja në një fushë me Etonë, por si kundërshtar i tij. Kjo natyrisht më nderon. Jam shumë i lumtur që dola fitimtar ndaj tij. Arrita që, së bashku me skuadrën, ta ruanim të paprekur portën, çka për mua si portier është fitore. Edhe në një situatë, kur Eto doli përballë meje, e prita gjuajtjen e tij”, – ka thënë Berisha të enjten për gazetën kosovare “Koha Ditore”. Berisha ka debutuar për Shqipërinë në fund të majit në miqësoren e fituar kundër Iranit me rezultatin 1- 0. Më pas luajti edhe në miqësoren pa gola me Moldavinë dhe në ndeshjen eliminatore kundër Sllovenisë (1-0). 23- vjeçari shpreson që do ruajë portën e Kombëtares edhe në ndeshjet e ardhshme. “Kam motiv jashtëzakonisht të madh për ndeshjet me Kombëtaren. Çdo ndeshje e marr si vendimtare dhe natyrisht gëzohem kur së bashku me mbrojtjen ia dalim të mos pësojmë gol. Nga reparti i mbrojtjes kam ndihmë shumë të madhe, ndërsa shpresoj se do të konsolidohemi edhe më shumë në të ardhmen si ekip kombëtar”, – tha ai.
E ardhmja Në fillim të vitit 2008 Berisha kaloi në Kalmar të Suedisë nga 2 Korriku i Prishtinës. Ai llogaritet ndër portierët më të mirë në Suedi. Berisha tashmë pret që në afatin kalimtar të janarit që të largohet nga Kalmari për t’u transferuar në Serinë A të Italisë apo në Premier League të Anglisë. Ai është duke negociuar për largim nga Kalmari. “Është thuajse e sigurt se nuk do të jem më pjesë e Kalmarit. Një ligë interesante për mua është ajo e Anglisë, por duhet të shikohet nëse ka mundësi që të luaj atje me pasaportë shqiptare”, – ka thënë portieri kuqezi. Për Berishën mësohet se ka një interesim konkret nga klubi i Fulhemit.

“Ju tregoj takimin me menaxherin italian”
Gjatë qëndrimit në Zvicër me ekipin kombëtar, portieri Etrit Berisha është takuar me menaxherin e njohur italian, Klaudio Vigoreli. Ky i fundit përfaqëson lojtarë të njohur botërorë dhe së fundmi është interesuar edhe për Berishën. “Jam takuar me Vigorelin. Ai më ka thënë se janë disa skuadra të interesuara në Serinë A, por më ka kërkuar që t’i jap pak kohë. Tashmë ka mbetur që ai të kontaktojë me skuadra dhe të më jap një lajm. Besoj se çështja e transferimit nuk do të marrë shumë kohë”, – ka treguar Berisha. Mësohet se ndërmjetës për një kalim të mundshëm të Berishës drejt ekipeve italiane është bërë edhe trajneri De Biazi.

Katania dhe Apoeli duan Çanin, Bazeli piketon Sadikun
Merkato “e çmendur” për kuqezinjtë. Dhjetori dhe janari pritet të jenë muaj vendimtarë për disa nga titullarët e Kombëtares shqiptare. Në fokusin e klubeve të ndryshme evropiane janë vënë sulmuesit Edgar Çani dhe Armando Sadiku. Miqësorja e fundit e Shqipërisë kundër Kamerunit, bëri që të ketë një dyndje menaxherësh në stadiumin e Gjenevës. Kësisoj, burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë agjentëve treguan dje se përfaqësues të klubit italian të Katanias dhe atij qipriot të Apoel Nikosias, kanë qenë në stadium enkas për Çanin. Ky i fundit pritet të prishë kontratën me Polonia Varshavën, ndërkohë që interesim për të ka edhe nga dy klube angleze, por që emrat nuk bëhen të ditur për efekt tratative. Deri më tani bisedimet mes palëve janë në fazën fillestare. Nga ana tjetër, për Sadikun, i cili duhet thënë se është i shumëkërkuar, së fundmi ka dalë në skenë edhe Bazeli. Dje mediat zvicerane konfirmonin se klubi kampion në fuqi kërkon shërbimet e sulmuesit të Luganos. Më parë për Sadikun janë përfolur Borusia Dortmund, Mynih 1860, Fiorentina dhe Siena, të cilat interesohen për 20-vjeçarin. Gjithçka tashmë është në dorë të Luganos, klubit që disponon kartonin e talentit shqiptar.
Të tjerët – Renato Arapi dhe Sabien Lilaj kanë qenë gjithashtu në fokusin e menaxherëve të ndryshëm. Të dy janë pëlqyer, teksa ndaj Kamerunit kanë spikatur me lojën e tyre. Nga sa mësohet, për lojtarët e Skënderbeut ka një interesim nga klube në Azerbajxhan dhe Qipro. Gjasat më të mëdha janë që në janar të ketë bisedime konkrete për të ardhmen e mbrojtësit dhe mesfushorit.

Arapi: Duel special me Etonë
Renato Arapi ka bërë një debitim mbresëlënës kundër Kamerunit, aq sa edhe De Biazi e pranoi se tashmë ai është një alternativë e mirë në të majtë të mbrojtjes. “Jam i lumtur, sepse luajta me Kombëtaren, që është ëndrra e çdo futbollisti. Mendoj se debutimi ishte i mirë, por duhet ta pranoj se para se të luash kundër Etosë, natyrshëm mund të kesh edhe pak frikë, por kur zbret në fushë gjërat ndryshojnë krejtësisht. Sigurisht që të përballesh me lojtarë si ai është speciale”, – ka thënë futbollisti i Skënderbeut.

Lilaj: Ndjehem i rëndësishëm
Mesfushori i Skënderbeut, Sabjen Lilaj, ka pohuar se tani ndihet gjithnjë e më shumë pjesë e Kombëtares shqiptare. Ai thotë se u shqetësua disi kur ndjeu dhimbje në shpatull, por ndërkohë është i lumtur që po kuptohet gjithnjë e më mirë me shokët në fushën e lojës. “Gjatë ndeshjes u ndjeva më mirë se herët e tjera. Ndjehem pjesë e ekipit dhe kuptohem si duhet më pjesën tjetër të skuadrës. Nëse do të shënonim gol, do ishte perfekte. Me forcën e grupit Etoja nuk u ndje shumë, edhe pse atje i kishim sytë në fillim”, – ka thënë mesfushori 23-vjeçar.

 

NDESHJA MIQESORE
Shqipëria ndal edhe Etonë, “flirton” me fitoren

Shqipëria ndal “luanët” e Afrikës, ndër sa De Biazi fiton të ardhmen. Në Gjenevë kuqezinjtë luajnë si të barabartë ndaj një superskuadre si Kameruni, madje s’do të kishte qenë aspak mëkat, edhe nëse do të kishim fituar, kjo referuar rasteve të shumta dhe dominimit në mesfushë për një pjesë të mirë loje. Në fakt, pakkush kishte besuar te kjo Shqipëri dhe ca më pak te disa të rinj të ardhur rishtazi në Kombëtare. Por, 90- minutëshi i djeshëm, më shumë sesa rezultati, tregoi se me teknikun italian kemi fituar një skuadër edhe për të ardhmen. Etrit Berisha është një konfirmim në katërkëndor, aq sa tekniku nuk tentoi as t’i jepte pak minuta Ujkanit. Arapi bëri një debutim të jashtëzakonshëm në krahun e majtë të mbrojtjes, aq sa i lejon vetes një 90-minutësh të plotë. Lilaj, edhe pse u aktivizua vetëm një pjesë loje, ishte perfekt jo vetëm në rikuperimin e topit në mesfushë, por edhe në fantazinë që i jepte lojës së kuqezinjve. Ndërsa, Sadiku dhe Çani treguan edhe një herë se Shqipëria nuk mund të varet vetëm nga Bogdani dhe Salihi (të pagrumbulluar për këtë ndeshje). Debutim pozitiv edhe për Balën dhe Vajushin, dhe konfirmim i mbrojtjes me një Mavraj të pakalueshëm dhe Canën të kudogjendur.

SHQIPERI-KAMERUN  0-0
SHQIPËRIA: E.Berisha, Lila, Cana, Mavraj, Arapi, Roshi (Vangjeli 77′), Lilaj (Curri 46′), Bulku (Dallku 59′), Vila (Bakaj 59′), Sadiku (Vajushi 70′), Çani (Bala 77′). Trajner: Xhani de Biazi
KAMERUNI: Asembé, Niom (Bong 57′), Nkoulou, Bijik, Bedimo, Matip, Makoun (Mevoungou 78′), Emana (Ngomo 57′), Olinga (Songo 62′), Uebo, Eto’o. Trajner: Zhon-Pol Akono
KARTONË TË VERDHË: Bedimo 38′
GJYQTARE: Stefan Studer, Johanes Vogel, Zhon-Iv Visht (Zvicër)

MINUTAT
3′ Nkoulou në zonë, gjuan me të parën, por për fatin tonë jashtë.
12′ Eto, pasi shmanget bukur në të djathtë, jep një pas në zonë për Emana, por ky i fundit gjuan jashtë.
19′ Bulku provon nga një goditje dënimi nga 25 m, topi përplaset në murin e kamerunasve.
20′ Eto në hyrje të zonës sonë, gjuan bukur, topi devijohet në korne nga Mavraj.
35′ Kombinime shumë të bukura të Lilaj, Çanit dhe Sadikut në hyrje të zonës së Kamerunit, por ndërhyn në momentin e fundit portieri. Gjithsesi, lojë e bukur e kuqezinjve.
38′ Bulku kroson në zonë, Cana me kokë, pret portieri.
44′ Emana kroson në zonë, topi kalon gjithë pasqyrën e zonës dhe për fatin tonë nuk preket nga Eto. 45′ Sadiku shkarkon të djathtën nga 20 metra, jashtë.
49′ Vila, pasi rikuperon një top në mesfushë, ecën përpara drejt zonës, por gabon fatalisht në krosim.
50′ Bulku ul një top me gjoks në zonë, por sfera ndalet me dorë nga një mbrojtës, arbitri vazhdon lojën. Ishte penallti për kuqezinjtë.
53′ Cana gjuan fort nga jashtë zonës, jashtë.
54′ Bulku gjuan fortë nga jashtë zonës, grushton portieri.
55′ Mavraj kroson bukur në zonë, Çani gjuan, bën mrekullinë portieri, duke e çuar topin në goditje këndi.
60′ Eto shmang bukur në zonë Mavrajn dhe Dallkun, përballë portierit, por në fund është sërish Dallku që ia heq sferën nga këmba.
65′ Kroson nga këndi Bakaj, Sadiku me kokë, topi kalon ngjitur me shtyllën pingule.
68′ Kros në zonën tonë, Matip gjuan në formë parabole, por topi përplaset në tra.
75′ Bakaj kroson në zonë, Çani me kokë, me portën bosh se portieri kishte dalë nga zona, por fatkeqësisht përfundon jashtë.
83′ Vajushi kros në zonë, Bala me kokë, hidhet fluturimthi dhe grushton portieri i Kamerunit. 85′ Bakaj jep një asist në zonë për Vajushin, i cili përballë portierit gjuan mbi tra.

Ndeshja – Shqipëria e nisi në mbrojtje takimin, kjo edhe nga emri i madh i kundërshtarit, ndaj minutat e para flasin për Kamerunin. Gjithsesi, Eto & CO nuk arrijnë për asnjë çast të çajnë mbrojtjet e kuqezinjve, duke bërë që me kalimin e minutave të kishim një spostim të skuadrës sonë në drejtim të mesfushës së afrikanëve. Bulku provon nga jashtë zonës, ndërsa kombinimet e bukura dhe të sakta të Lilajt, Çanit dhe Sadikut i japin një tjetër fizionomi lojës së kuqezinjve. Na mungon vetëm finalizimi, aty ku mbrojtësit e Kamerunit janë gjithnjë një kohë më shpejt se sulmuesit kuqezinj. E megjithatë është një Shqipëri, që i kalon parashikimet e prag-miqësores. Në fund të pjesës së parë provon Cana dhe Sadiku nga larg, por në të dy rastet sfera s’pranon të prekë rrejtën.
Debutuesit – E njëjta skenë edhe në fraksionin e dytë të lojës, por me një ndryshim më thelbësor, pasi për minuta të tëra janë kuqezinjtë që imponojnë me lojën e tyre. Madje kemi edhe një penallti të qartë për Shqipërinë, porse fatkeqësisht nuk shihet nga arbitri zviceran. Sakaq, provon Cana, Bulku, Çani dhe në të tri rastet portieri i Kamerunit tregon instinktet fenomenale që zotëron. Ndërkohë, afrikanët e rrezikojnë vetëm një herë seriozisht portën e Berishës dhe natyrisht këtë e bëjnë me Samuel Etonë. Këtij të fundit i mjafton vetëm një moment dalldisje të kuqezinjve për të shmangur me radhë dy mbrojtës, por në momentin e fundit i ndërhyn saktë Dallku. Shqipëria kalon këtë moment të keq dhe menjëherë reagon me Sadikun: krosim perfekt i Bakaj dhe sulmuesi i Luganos nuk arrin për vetëm pak milimetra të gjejë portën. Gjithashtu Bakaj tregon edhe një herë momentin e mirë që po kalon pas dëmtimit dhe servir dy herë radhazi, për Çanin në fillim dhe më pas për Vajushin, dy pasime perfekte, porse nuk shfrytëzohen në maksimum nga dy shkodranët. Gjithsesi, është një Shqipëri punëtore, me lojtarë që vrapojnë vazhdimisht, edhe pse një pjesë e tyre si Lila, Cana, Arapi apo Mavraj u lanë në fushë deri në fund. Barazim i bardhë, që ngroh jo vetëm për faktin se u arrit ndaj një kundërshtari shumë të fortë, por edhe se prova e kuqezinjve (sidomos të rinjve) ishte më shumë se bindëse.

DEBUTUESIT
Renato Arapi, Armando Vajushi dhe Bekim Bala janë tri prurjet e reja të Xhani de Biazit. Që të tre lojtarët kanë bërë dje në mbrëmje debutimin zyrtar me fanellën e Kombëtares. Për sqarim, Arapi dhe Vajushi kanë qenë me kuqezinjtë edhe në ndeshjen e 20 qershorit të vitit 2011 ndaj Argjentinës, ku kanë luajtur, por duhet saktësuar se ajo ndeshje nuk njihet nga FIFA, sepse është luajtur në një datë të paprogramuar nga kjo e fundit. Pikërisht për këtë arsye, si debutim për këta dy lojtarë mbahet takimi ndaj Kamerunit. Sakaq duhet thënë se që të tre pa përjashtim kanë treguar nivel loje, ndaj mund të konsiderohen pa frikë si tre të rinj të fituar tashmë nga tekniku italian i përfaqësueses kuqezi.

Vonohet Kameruni, sfida nis me 8 minuta vonesë
Bëhej fjalë për një miqësore, por gjithsesi e programuar dhe zyrtare nga FIFA, ndaj ishte e pakuptueshme vonesa e skuadrës së Kamerunit në ndeshjen e mbrëmshme. Ndonëse të dyja skuadrat duhej të ishin në ambientet e stadiumit 1 orë e gjysmë para fillimit të sfidës, pra më orën 19:15, afrikanët kanë mbërritur me plot 45 minuta vonesë, pra në orën 20:00. Një gjë e tillë është vënë re jo vetëm nga gjyqtari i katërt, por edhe nga vëzhguesi i FIFA-s. Kamerunasit janë futur me vrap të bëjnë nxemje dhe natyrisht më pas e kanë pasur të pamundur që ta nisnin lojë në orarin e vendosur më parë, pra në 20:45. Kësisoj, ky takim ka nisur ekzktësisht në orën 20:53, me rreth tetë minuta vonesë. Sakaq nuk është kuptuar, ose më mirë nuk është dhënë asnjë informacion mbi këtë incident.

De Biazi: Duhej të fitonim, hymë të trembur në fushë
Xhani de Biazi e mbylli me një bilanc pozitiv një vit kalendarik në krye të Kombëtares shqiptare. Në miqësoren e djeshme u tregua i kujdesshëm, veçanërisht për të mos e humbur ndeshjen, por në disa raste të mira kuqezinjtë edhe mund ta kishin fituar atë. “Skuadra luajti mirë dhe tregoi personalitet në fushë. Meritonim të fitonim, sidomos në pjesën e dytë, kur u bëmë ne zotër të fushës”, – ka deklaruar trajneri i kuqezinjve pas ndeshjes për “Supersport”. Ai ka thënë se ishte një test që i duhej ekipit, por ndërkohë nuk ka hyrë në analizë të hollësishme sa i përket aktivizimit të lojtarëve të rinj, apo faktit se e la gjatë gjithë takimit në stol Samir Ujkanin. “Jam shumë i kënaqur. Ishte një test që më duhej shumë për këtë grup. Më pëlqyen shumë të rinjtë. Vuajtëm pak në fillim, por ishte normale, sepse po luanim kundër një kundërshtari me një eksperiencë të madhe dhe me një përgatitje fizike shumë të lartë. Patëm probleme në qarkullimin e topit dhe preferuam të luanim me topa të gjatë, kjo nuk më pëlqeu. Mendoj se hymë pak të frikësuar në fushë. Në pjesën e dytë u përpoqëm të ndryshonim diçka dhe mendoj se lëvizjet dhanë efekt, pasi edhe mund ta kishim fituar këtë ndeshje. Madje, mendoj se duhet ta kishim fituar, nëse u referohemi rasteve që patëm për të shënuar. Unë mendoj se ky ishte një vit pozitiv për të gjithë ne dhe për këtë mjafton të shohësh golavarazhin: kemi shënuar 9 gola dhe kemi pësuar tetë. Pengu im i vetëm për këtë vit është vetëm ndeshja me Islandën, ku për fat të keq humbëm, edhe pse meritonim të fitonim”, – është shprehur trajneri italian. Kur është pyetur për të rinjtë ai ka evituar të përmendë emra. “Unë jam i kënaqur për atë çka pashë në këtë ndeshje nga lojtarët e rinj që u aktivizuan. Megjithatë, është në dorën e tyre në të ardhmen se çfarë do të bëjnë dhe çfarë jo”, – tha De Biazi.

Hafizi: Po vuajmë në sulm
Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Astrit Hafizi, duke komentuar miqësoren ndaj Kamerunit, theksoi ndër të tjera se kuqezinjtë po vuajnë shumë në fazën sulmuese. “Po shikoj që nuk kemi një ekuilibër nga mbrojtja në sulm. Më shumë i japim theks repartit të prapavijës, çka bën që edhe sulmuesit të detyrohen të mbrojnë thellë. Në veprimet e sulmit na mungon befasia dhe sot (dje) duhet të shënonim, por u konfirmua sërish që kemi një ngërç. Kur skuadra nuk shënon, normalisht që nuk mund të fitosh. Mendoj se ndaj Kamerunit duhet t’i zgjidhnim më mirë ato situata që na u krijuan. Mirëpo, duhet ta pranojmë se sulmuesit tanë nuk janë të aftë përpara portës për të krijuar apo zgjidhur situata. Këto gjëra na krijojnë probleme sepse, duke luajtur gjithnjë në mbrojtje, sigurisht që një herë do të gabosh. Nuk mund të mbajmë gjithnjë rezultate të tilla”, – ka thënë Hafizi për “Supersport”.
LEONARD KARAJ

ANALIZA
De Biazi po përgatitet për “katenaço”
Nga SULEJMAN STAROVA
Xhani de Biazi po përpiqet të ndërtojë gjithnjë e më shumë një Shqipëri mbrojtëse, sepse po projekton që në transfertat e vështira që e presin në eliminatore të vërë në jetë “katenaçon” tipike italiane. Kështu gjykoj, duke parë me vëmendje të gjitha lëvizjet që bëri trajneri i Shqipërisë në ndeshjen e djeshme.
Ndeshja Paraqitja e Shqipërisë kundër Kamerunit ishte me dy tablo të ndryshme. Në pjesën e parë ishte Kameruni skuadra që dominoi, dhe nuk e bëri këtë falë ndonjë agresiviteti të madh, por e bëri sepse Shqipëria hyri në fushë me idenë që të mbrohej më tepër sesa të luante e balancuar. Kjo ndodhi ngaqë skuadra jonë kishte si objektiv primar rezultatin, dhe për aq kohë sa mendon më shumë për rezultatin sesa të provosh të rinj, apo të tentosh ta fitosh ndeshjen, atëherë rrjedhimisht mbron me shumë forca, sepse kërkon të shmangësh humbjen. Në pjesën e parë ishim solidë në mbrojtje, pasi mbronim me 7-8 futbollistë, por pak ose aspak efikasë në sulm, sepse nuk arrinim të ndërtonim. Skuadra në fazën sulmuese tentoi pasimet e gjata për Sadikun dhe Çanin, por të dy ata treguan se nuk e bënin dot diferencën vetëm me këtë sistem loje dhe për pasojë nuk i fituan duelet me mbrojtësit kundërshtarë. Mungoi kreativiteti, sidomos pas vijës sulmuese, edhe pse Lilaj u përpoq në disa raste të ndërtonte diçka nga para mbrojtjes. Por duhet thënë se mesfushori i Skënderbeut ishte shumë larg sulmuesve dhe për rrjedhojë u bë i lexueshëm në të gjitha rastet. I vetmi aksion tipik ishte një dalje e Lilës nga e djathta, që nuk u shfrytëzua si duhet në fund. E theksoj se në pjesën e parë Shqipëria hyri me objektivin primar për të marrë rezultat edhe në një miqësore krejt normale si kjo, ndaj edhe u kushtëzua në lojën e saj.
Pjesa e dytë
Pa dyshim që skuadra bëri një paraqitje më të mirë. Kjo për dy arsye: së pari, ekipi ishte çliruar disi dhe u distancua paksa nga ideja për rezultat dhe së dyti, sepse mbrojtja u spostua më lart. Pra, Shqipëria vendosi të mos mbrohej aq në thellësi dhe kur e pa se Kameruni ishte i pasigurt në fazën ofensive, guxoi disa herë dhe madje mund të kishte fituar. Nëse në pjesën e parë Sadiku dhe Çani nuk mund të kritikoheshin për shkak të sistemit të lojës, në të dytën mendoj se nuk ishin në lartësinë e duhur. Nuk ishin të qartë e as këmbëngulës kundrejt mbrojtësve, si dhe në ndjekjen e aksioneve. Gjithsesi, duhet theksuar se një element që nuk la shije të mirë ishte fakti se Shqipëria në shumë raste nuk e bazon lojën sulmuese tek aksionet logjike, por tek rrëmbimi i topit në gjysmëfushën e kundërshtarit duke shfrytëzuar befasinë. Kjo jo gjithnjë sjell atë që kërkohet dhe shpesh e bën skuadrën të vuajë. Në pjesën e dytë Shqipëria për disa minuta të konsiderueshme prishi vendosjen numerike në mbrojtje, duke kaluar më shumë forca në sulm dhe u bë e rrezikshme. Megjithatë, të gjithë e pamë se në fund Dr Biazi e mbylli ndeshjen me Currin në qendër të mbrojtjes dhe me Canën, Vangjelin e Lilën në mesfushë. Nuk ishte e rastësishme. Ai po përgatit një skuadër mbrojtëse, ku kërkon të forcojë krahët jo në aspektin sulmues, por në atë mbrojtës. Mendoj se kjo është një manovër që ka lidhje me transfertat e vështira që e presin Shqipërinë në eliminatore.

Të rinjtë Dua të theksoj se një barazim me Kamerunin nuk është aspak keq, paçka se nuk është skuadra që jemi mësuar të shohim vitet e fundit. Mendoj se fakti që nuk humbën shërben në aspektin psikologjik, ndonëse në kësi ndeshjesh rezultati nuk duhet të jetë objektiv primar. Lojtarët që u aktivizuan për herë të parë si Vajushi e Bala dhanë sinjale pozitive. Ashtu sikundër edhe Arapi. Ky i fundit tregoi se mund të shtojë konkurrencën në të majtë, edhe pse në fazën sulmuese ka shumë për të rregulluar. Sa i përket Bakajt, mendoj se De Biazi duhet të heqë dorë njëherë e mirë nga nxjerrja e lojtarëve jashtë roleve. Bakaj e nisi lojën si mesfushor dhe nuk u pa fare për disa minuta, ndërkohë që kur u spostua si sulmues tregoi gjithë vlerat e tij. Vajushi gjithashtu nuk është mesfushor. Gjithsesi, unë mendoj se pas dysheve Bogdani-Salihi dhe Sadiku-Çani, mund të kemi edhe një alternativë tjetër në të ardhmen që mund të jetë Bala-Bakaj. Kjo mbetet e gjitha në dorën e tyre…

Munden Qipro e Sllovenia, fiton Zvicra
Përveç Shqipërisë, dje kanë zhvilluar ndeshje miqësore edhe pesë skuadrat e tjera që bëjnë pjesë në grupin tonë kualifikues. Kështu, Qipro u mund thellë 0-3 në fushën e vet nga Finlanda (golat: Puki 14′, Hetemaj 28′, Kolehmainen 86′). Humbje shënoi edhe Sllovenia në fushën e Maqedonisë me rezultatin 3-2. Për vendësit shënuan Tasevski (27′), Jahoviç (41′) dhe Ibrahimi (51′), ndërsa për sllovenët shënoi Pecnik (49′, 63′). Liderja e grupit, Zvicra, fitoi 2-1 në Tunizi falë golave të Derdijok dhe Shaqirit në minutën e fundit të shtesës së lojës. Për vendësit shënoi Harbaoui (59′). Ndërsa kanë fituar me të njëjtin rezultat 0-2 dhe në transfertë si Islanda ndaj Andorrës dhe Norvegjia ndaj Hungarisë.



NDIQE LIVE "PANORAMA TV"