Miqësorja në Pezë, Laçi thyen minimalisht Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2020 | 8:54

Miqësorja në Pezë, Laçi thyen minimalisht Apoloninë

Apolonia dhe Laçi kanë zhvilluar një tjetër miqësore, këtë herë në Pezë-Helmës. Duke qenë se ndeshja e kurbinasve për Kupat e Europës ndaj Keshlës do të luhet në fushë sintetike, trajneri Cungu ka zgjedhur një fushë të ngjashme. Takimi ka përfunduar sërish me të njëjtat shifra, 1-0 për Laçin, por këtë herë ka qenë një lojë më e bukur dhe më e rivalizuar.

lACI aPOLONIA

Një pjesë e parë e balancuar, por diferenca bëhet nga cilësia e sulmit kurbinas. Në minutën e 14-të do të vijë dhe goli i Laçit. Nuabueze merr një top nga thellësia e mbrojtjes së tij, shmang Buzin brenda zonës dhe gjuan në kuadrat, por grushton Harizaj. Topi shkon te Lushkja që gjuan saktë dhe shënon me qetësi. Fierakët vuajnë në sulm, ndërsa Laçi shpërdoron shumë raste. Në pjesën e dytë ka shumë zëvendësime nga të dyja kampet, por me gjithë rastet rezultati nuk do të ndryshojë.

Trajner i Laçit, Armando Cungu, e komentoi kështu paraqitjen e të tijve: “Jam përgjithësisht i kënaqur me skuadrën, sidomos në pjesën e parë. Kemi shpërdoruar dhe te kjo pjesë kam rezervat e mia. Me azerët e dimë që do ta kemi të vështirë, por ne do të bëjmë lojën tonë, pa ngarkesa emocionale”. Ndërsa trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi, shkurtimisht tha: “Jam pjesërisht i kënaqur. Në pjesën e dytë prodhuam lojë dhe mund të kishim barazuar, por po vijojmë të vuajmë në finalizim. Sa i përket Filipoviçit, është hera e parë që luan me skuadrën dhe ka nevojë për pak kohë. Ndërsa Joti ka qenë në provë te ne, por nuk ka bindur dhe është lënë i lirë”.

BUJAR RAMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"