Lika dhe Duro mundin Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2013 | 14:22

Lika dhe Duro mundin Teutën

Partizani me Liken e SallakunHasan Lika ka mundur Teutën, duke u “hakmarrë” pas largimit nga stoli i durrsakëve gjatë fazës së parë. Por, meritë për fitoren e djeshme të Partizanit ka edhe Shpëtim Duro. Trajneri, që u largua dy ditë më parë nga Shkodra, dje ka qenë në pankinën e kuqe dhe ka ndjekur me vëmendje të gjithë ndeshjen. Ai nuk ka dhënë orientime pasi atë gjë e ka bërë Lika. Pritet që këto dy ditë, trajneri Duro të zyrtarizohet në stolin e kryeqytetasve. Goli i vetëm i sfidës u shënua nga Iliazi në minutën e 86-të. Një ndeshje më shumë se miqësore, gjatë të cilës trajnerët respektivë i dhanë shumë rëndësi anës taktike, çka u pa edhe në fushë, ku skuadrat nuk është se prodhuan shumë lojë. Një pjesë e parë e një niveli mesatar, ku vendësit kishin një dominim të lehtë, ndërsa e dyta foli për kryeqytetasit.

TEUTA-PARTIZANI 0-1
GOLI: Iliazi 86′
TEUTA: Hoxha, Sheta, Jakupi, Sakaj, Da Silva, Tahiri, Veliaj, Hyshmeri, Nika, Mancaku, Xhafaj. (U aktivizuan: Tepshi, Dosti, Eminhazeri, Stafa, Muriqi, Memini, Pajaziti). Trajner: G.Begeja
PARTIZANI: Adroviç, Tafaj, Prençi, E.Tafaj, Pasha, Devolli, Thana, Lala, Malo, Petro, Ishka. (U aktivizuan: Frashëri, Duqi, Lundraxhiu, Xhepa, Sulce, Branica, Iliazi, Santiago, Llakaj). Trajner: H.Lika
GJYQTARË: K.Shahini, H.Ilisaku, F.Ibrahimi

Ndeshja Trajnerët kishin vendosur që të hidhnin në fushë formacionet më të mira, ku dominuan emra të mëdhenj të futbollit. Minutat e para të ndeshjes nisën me një lojë shumë të shpejtë nga të dyja skuadrat, ndërsa nuk mungojnë rastet për shënim. Gjatë një aksioni të shpejtë durrsakët fitojnë penallti. Është Mancaku, i cili e merr përsipër ta gjuajë, por ajo pritet nga portieri serb i Partizanit. Edhe miqtë krijojnë rastet e tyre me Malon, Ishkën dhe Devollin, por pa ndonjë rrezikshmëri të lartë. Disa aksione u shkatërruan nga mbrojtja vendëse me në krye Arjan Shetën, i cili thjesht me praninë e tij në fushë i jep qetësi të jashtëzakonshme këtij reparti. Pavarësisht rasteve të shumta, portierët Sulejman Hoxha i Teutës dhe Zllatan i Partizanit nuk u detyruan ta nxjerrin topin nga rrjetat. Siç ndodh shpesh, gjatë pjesës së dytë, një pjesë e mirë e lojtarëve u zëvendësua. Titullarët u lanë hapësira të rinjve, por kishte edhe nga ata që u zëvendësuan pak më vonë. Zëvendësime, të cilat ndikuan në nivelin e lojës, që cili me kalimin e minutave po binte. Edhe në këtë pjesë të dytë nuk munguan rastet e pastra. Goli i vetëm i ndeshjes erdhi vetëm në minutat e fundit. “Demat e kuq” përfitojnë nga një përgjumje e kundërshtarit dhe brenda zonës është Iliazi, i cili hyri në pjesën e dytë dhe arriti të shënonte në minutën e 86-të. Pak minuta më vonë, vendësit kishin mundësi të barazonin, por gjuajtja e fortë e Muriqit u ndal nga pjesa ku bashkohet shtylla pingule me traversën. Ndërkaq, të dy ekipet kanë parashikuar që në ditët në vazhdim të zhvillojnë edhe takime të tjera miqësore për të parë formën e çdo futbollisti.

Lika: Kjo skuadër më kënaq
Pas ndeshjes së djeshme miqësore, trajneri i Partizanit, Hasan Lika, u shpreh: “Ishte një ndeshje mjaft e rëndësishme për të dyja skuadrat, pasi patëm mundësi të shikonim gjendjen e tyre. Zhvilluam një lojë relativisht të mirë dhe krijuam raste të shumta, ndërsa skuadra luajti mirë taktikisht. Ekipi iu përgjigj kërkesës që unë kisha, ndërsa më kënaqi edhe gjendja e lojtarëve. Tashmë duhet t’i vazhdojmë me këtë ritëm përgatitjet, ndërsa na presin të tjera sfida miqësore. Deri në startin e kampionatit kam bindjen se gjendja jonë do të jetë optimale. Gjithashtu, merkato është e hapur dhe do të vazhdojmë të afrojmë lojtarë të tjerë”, – përfundoi Lika.

Duro, pritet vetëm zyrtarizimi
Pas largimit nga Vllaznia dy ditë më parë, tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i Shpëtim Duros në krye të stolit të Partizanit. Burime pranë klubit të kuq bëjnë të ditur se tekniku do ta marrë zyrtarisht detyrën brenda këtyre ditëve. Ai do të zhvillojë fazën përgatitore, si dhe do të ulet me presidentin Lulëzim Sallaku për të diskutuar për merkaton. Deri tani janë afruar shumë futbollistë, ndërsa drejtuesit synojnë që deri në fund të kampionatit të kenë siguruar ngjitjen në Kategorinë Superiore. Ndërkaq, stafi teknik ka programuar që në ditët në vazhdim të zhvillojë edhe ndeshje të tjera miqësore.
LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"