Shqipëria dinjitoze, humbje fatkeqe në Xhenova

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2014 | 20:35

Shqipëria dinjitoze, humbje fatkeqe në Xhenova

Konte dhe De Biazi

Sinjalet janë të qarta: kjo kombëtare ka të ardhme. Ndoshta në miqësoren e luajtur në Gjenova dolëm tek egoizmi ynë, për shumë arsye, edhe për shkak të menaxherëve që kanë qenë në stadium dhe merkatos që po afron. Në momente të caktuara donim të tregonim më shumë se sa kemi mundësi reale, sidomos teknike. Por, ky ekip që ka ftilluar De Biazi dhe po bën paraqitje për t’u vlerësuar ka një veçori, që është grupi. Ndaj Italisë ishin veprimet individuale, mbajtja e topit, humbja e tij, që sollën ndëshkimin. Por edhe fati nuk ishte me ne, ndoshta, sepse goli i Okaka në minutën e 82-të u “sheqeros” edhe nga Salihi, për të bërë të mundur mposhtjen e heroit të mbrëmjes, portierit Etrit Betrisha, në të vetmen herë. Fizikisht dhe taktikisht, Shqipëria luajti thuajse e barabartë me Italinë eksperimentale të Kontes, jo atë të vërtetën, e cila barazoi 1-1 me Kroacinë në “San Siro”. Gjithsesi, kuqezinjtë ishin disi larg nga loja që zhvilluan me Francën. Kjo edhe për lodhje fizike, sepse iu desh të sfidonte në tri ditë dy kombëtare elitare europiane, pa llogaritur këtu edhe peripecitë e udhëtimit nga Rëne në Milano e pastaj drejt Xhenovës, apo stërvitjet e pakta, që i kryen dhe në mjedise të mbyllura për shkak të motit të keq në fqinjin tonë të përtej Adriatikut.  Trajneri De Biazi ka marrë përgjigjet e duhura për skemat taktike dhe rolet e lojtarëve në fushë, duke nisur tashmë të mendojë për kualifikuesen e marsit të vitit tjetër, me Armeninë, e cila do të jetë kyce për ecurinë e kuqezinjve në këto eliminatore.
Fotogaleria e ndeshjes

ITALI-SHQIPERI  1-0
Golat: Okaka  82′
ITALIA (4-4-2):
Sirigu (Perin 71′), De Silvestri, Bonucci Accerbi 81′), Moretti, Antonelli, Cerci (Gabbiadini 77′), Parolo, Sturaro, Bonaventura (Bertolaci 70′), Destro (Okaka 64′), Giovinco ((Matri 64′). Trajner: A.Conte
SHQIPERIA (4-5-1): Berisha, Agolli, Mavraj, Cana, Hysaj (Ajeti 73′), A.Lila (Rama 89′), Lenjani (Bala 86′), Memushaj, Kukeli, (Kukeli 65′) Abrashi (Shala 71′), Cikalleshi (Salihi 77′). Trajner: De Biazi
Gjyqtare: Harkam, Staudinger, Witschnigg (Austri)

C_4_articolo_2080075__ImageGallery__imageGalleryItem_34_imagePjesa e parë Ndeshja nis e fortë, me dyluftime në mesfushë. Italianët duan të imponohen që në start, por ndeshin në prapavijën kuqezi, të vendosur mirë para portës së Berishës. Cana dhe Mavraj kontrollojnë zonën e tyre dhe i japin një dorë kombëëtares sonë për të dalë në fazën sulmuese. Cerci është shqetësim me driblimet e tij nga e djathta në 15 minutat e para të miqësores, Destro mbetet disi në hije në rolin e “pykës”, ndërkohë që kuqezinjtë hasin vështirësi në filtrimin e topave dhe ndërttimin e aksioneve të rrjedhshme në mesfushë. Topi është më së shumti në këmbët e vendasve, që e qarkullojnë dendur dhe e shpërndajnë në të dyja krahët. Presingu axurr nuk ndalet, sa vjen dhe rritet, ndaj kombëtarja shqiptare është e destinuar të pozicionohet me forca të shumta në gjysmëfushën e vet. Synimi i parë i De Biazit është për të mos pësuar gol dhe pastaj, me daljen në kundërsulm, të tentojë të zërë në befasi axurrët. Cikalleshi është I vetmuar në mes dy-tre mbrojtësish vendas, porn ë dy raste në pjesën e parë arrin të clirohet dhe të sjellë aromë goli në stadiumin e Xhenovës, që është i veshur kuq e zi. Xhovinko vjen rrezikshëm nga e majta e ofensivës italiane, duke tentuar të zhbilancojë mbrojtjen shqiptare. Mavraj e ndalon me një ndërhyrje të parregullt shtatshkurtërin e Juventusit në minutën e 16-të, duke e mbajtur të paarritshme portën tonë. Pak minuta më pas Bonuci nis një top të gjatë për Cercin në të djathtë. Sulmuesi italian pozicionohet mirë dhe godet, por Berisha pret pa probleme. Në minutën e 30-të Italia kopjon skemën me të cilën Hamdi Salihi shënoi atë supergol ndaj Norvegjisë. Xhovinko është iniciatori i kësaj skeme, por lojtari që godet, Cerci, nuk është i saktë. Shpëton nga një rrezik serioz porta kuqezi. Destro i shpëton markimit të mbrojtësve shqiptarë dhe godet rreptë nga distanca, duke “prekur” golin. Topi kalon ngjitur me shtyllën e majtë pingule të Berishës. Minuta e 37-të është e mrekullueshme për Shqipërinë. Axurrët humbasin një top në mesfushë dhe Cikalleshi vihet në zotërim të tij, përparon disa metra e godet nga distanca. Topi trondit trekëndëshin e portiere Sirigu e kthehet në lojë. Godet po aq bukur edhe Lenjani, por “sfera” kalon paksa jashtë kuadratit italian.Cikalleshi bëhet sërish protagonist në minutën e 40-të, kur driblon bukur Bonucin dhe godet fluturimthi, por topi është i lehtë për portierin italian. Pjesa e parë mbyllet me një pritje shpëtimtare të Berishës, që goditjen e kalibruar të Cercit e devijon në këndore.
C_4_articolo_2080075__ImageGallery__imageGalleryItem_47_imagePjesa e dytë Nis pa zëvendësime, por me dy raste të pastra shënimi. Fillimisht është Xhovinko që driblon bukur dyshen e qendrës së mbrojtjes kuqezi, por gjuan dobët, në duart e Berishës, fare pranë. Që aty niset aksioni i tanëve, gabon në largimin e topit portieri Sirigu, që ia dhuron si asist Lenjanit. Anësori i kombëtares kuqezi heziton në gjuajtje, duke vonuar e shpërdoruar një mundësi të shkëlqyer shënimi. Tashmë loja është më e hapur, sepse Shqipëria ka dalë nga “llogorja” dhe e hedh vështrimin më shumë drejt portës italiane. Cana është vendimtar në spastrimet e tij, duke superuar gabimet e shokëve të skuadrës, që në nisjen e aksioneve nuk kanë qetësinë e duhur. Xhovinko sa vjen dhe bëhet me problematik për portierin Berisha, si nga inkursionet personale, edhe nga goditjet standarde. Fati është me kuqezinjtë në minutën e 60-të. Cerci i jep një asist Destros, që ka tërë hapësirën e duhur për të goditur dhe shënuar. I vetëm me Berishën bën më të vështirën, e gjuan topin jashtë. Edhe Lenjani gabon në një mundësi tjetër të mirë, duke goditur keq në një pozicion të favorshëm. Në minutën e 64-t nisin zëvendësimet. Antonio Konte bën dy të tilla në sulm, duke freskuar repoartin e përparmë, ndërsa De Biazi hedh në lojë Roshin për Kukelin. Memushaj “flirton” me golin në minutën e 68-të, teksa godet shkëlqyeshëm nga goditja e dënimit. Portieri Sirigu devijon me shumë vështirësi në këndore. Hero bëhet edhe Berisha me pritjen e goditjes me shpinë të Okaka. Loja bëhet shumë interesante, aq sa në minutën e 70-të një tifoz shqiptar me flamurin kuqezi futet në fushë dhe shkon te Cana, duke festuar në mënyrën e tij.
Hysaj pëson një dëmtim në minutën e 73-të dhe detyrohet ta lërë lojën. Në vend të tij aktivizohet Ajeti. Pak më herët është aktivizuar edhe Shala në vend të Abrashit. De Biazi sheh lodhje fizike te të tijtë, ndaj rifreskon sa të mundet, për të përballuar furinë e sulmeve axurre. Në minutën e 77-të ka vend edhe për Hamdi Salihin. Ulet në stol Cikalleshi. Kur pritej që shkodrani të sillte më shumë rrezik te porta italiane, bën thuajse një autogol në minutën e 82-të. Goditjen e këndit, që Okaka e prek paksa me kokë, Salihi e devijon si një sulmues axurr, duke nxjerrë blof Berishën në ndërhyrjen e tij. Ndëshkim fatkeq për Shqipërinë, kur kishte nisur të festonte para kohe së bashku me tifozët e shumtë kuqezinj një barazim të mundshëm dhe të merituar në Xhenova. Sidoqoftë, rezultati në një ndeshje të tillë nuk përkthehet në pikë, më shumë rëndësi ka paraqitja, e cila ishte dinjitoze ndaj një Italie eksperimentale, pa yjet e saj, por me lojtarë që luajnë në klube të rëndësishme europiane, gjithsesi.

tifozet kuqezi ne FranceRekord tifozësh kuqezinj në Itali
Rekord shqiptarësh në stadiumin “Luixhi Ferraris” të Xhenovës për ndeshjen Itali- Shqipëri. Ishin afro 21 mijë tifozë kuqezinj, në një kohë që Federata e Futbollit të Italisë kishte vendosur në dispozicion të Shqipërisë vetëm katër mijë bileta. Dje, mediat italiane kishin konfirmuar atë që ndodhi realisht, se interesimi i emigrantëve shqiptarë për të ndjekur miqësoren ishte i jashtëzakonshëm. Agjencia italiane ANSA kishte raportuar se mbi 10 mijë bileta u ishin shitur tifozëve shqiptarë, në një kohë që numri i tyre mund të jetë rritur gjatë ditës së martë, para ndeshjes. Fakti që Kombëtarja kuqezi përballej për herë të parë në historinë e saj me Italinë, por mbi të gjitha simpatia që tifozët shqiptarë kanë për klubet në shtetin fqinj, ka bërë që interesimi të jetë maksimal. Kjo transfertë mund të vendosë një rekord sa i përket pranisë së tifozëve kuqezinj në një ndeshje jashtë Shqipërisë të përfaqësueses. Qëllimi i miqësores Itali-Shqipëri ishte parë nga vendësit më shumë për bamirësi, teksa të ardhurat e biletave do të shkojnë në ndihmë të familjeve të të përmbyturve në qytetin e Xhenovës. “Emigrantë shqiptarë që jetojnë prej vitesh në pjesën jugore, veriore e qendrore të Italisë, si dhe shumë të tjerë nga Zvicra, Franca, Gjermania e Belgjika, kishin prenotuar me kohë biletat për miqësoren në Xhenoa”, citonin mediat italiane. Kapaciteti i stadiumit “Luixhi Ferraris” është 36.703 vende të ulura, ndërsa një biletë për ndeshjen në tribunat enkas për tifozët shqiptarë kushtonte vetëm 10 euro. Policia xhenoveze kishte siguruar të gjitha kushtet e nevojshme të rendit publik. Ata tre tifozë shqiptarë që kaluan rrethimin dhe u futën në fushë me flamuj shqiptarë, duke takuar futbollistët e kombëes si idhuj, ishin krejt paqësorë dhe si të tillë u trajtuan nga forcat e sigurisë. Pra, ishte një festë e vërtetë mes dy tifozërive, por edhe mes skuadrave në tapetin e blertë, pavarësisht dëshirës së madhe për fitore nga të dyja palët.

a.espncdn.comSkuadrat e grupit tonë kualifikues
Edhe skuadrat e grupit tonë kualifikues për në “Euro 2016” janë të angazhuara me miqësore këtë të martë. Përvec kuqezinjve që sfidojnë kombëtaren axurre në stadiumin e Xhenovas, luajnë edhe Danimarka, Serbia e Portugalia. Dy kryesuesit e grupit, danezët dhe luzitanët, provuan veten në transferta; respektivisht në Rumani dhe Angli (Kristiano Ronaldo dhe të tijtë mundën 1-0 Argjentinën e Mesit në fushë asnjanëse). Serbia luajti e para në orën 18:00 një “derbi” ballkanik, që e fitoi 2-0 ndaj Greqisë, dy skuadra që kanë shkarkuar trajnerët e tyre para pak ditësh. Nuk mungoi djegia e flamurit shqiptar në stadium, si shenjë e armiqësisë së këtyre dy vendeve ndaj ngjyrave kuq e zi. Nordikët ishin mysafirë në Bukuresht dhe u mundën 2-0. Kujtojmë se Grupi I, ku bën pjesë edhe Shqipëria, kryesohet për momentin nga Danimarka, me 7 pikë, e ndjekur nga Portugalia me 6 pikë. Kombëtarja e Morten Olsenit ka luajtur një ndeshje më shumë se të tjerët, katër të tilla. Shqipëria pozicionohet në vendin e tretë, me 4 pikë, ndërsa mbyllin klasifikimin përkatës Serbia dhe Armenia me nga një pikë, pasi kanë luajtur tri ndeshje kualifikuese. Në fakt, kuqezinjtë kanë zhvilluar të plota vetëm dy eliminatore, sepse ajo e 14 tetorit u ndërpre në Beograd, në minutën e 41-të. Komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s mori vendim që t’ia japë 3 pikët në tavolinë Serbisë, port ë dyja skuadrat kanë qenë të pakënaqura nga verdikti i këtij organi disiplinor të UEFA-s. Për pasojë, ato kanë apeluar në Komisionin e Apelit, që do të mblidhet më 2 dhjetor. FSHF-ja ka paralajmëruar se të drejtën do ta kërkojë deri në KAS, si organi i fundmë ku mund të ankohet një sportist, institucion sportiv, skuadër klubi apo kombëtare.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"