Miqësore mes vëllezërve të inatosur, Shqipëri-Kosovë mund të shërbejë për pajtim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2018 | 21:18

Miqësore mes vëllezërve të inatosur, Shqipëri-Kosovë mund të shërbejë për pajtim

Kur herën e fundit u ndeshen Kosova dhe Shqipëria në nëntor të 2015-s, ishte ditë feste. Në stadiumin e qytetit të Prishtinës rreth 20 mijë tifozë përshëndetën yjet kuqezi për kualifikimin historik në Europianin “Francë 2016”. Ishte ndeshje mes dy ekipeve shqiptare: Shqipërisë që kishte arritur kualifikimin e parë të madh dhe Kosovës që kishte dhënë shumë lojtarë për këtë sukses, përfshirë edhe kapitenin legjendar, Lorik Cana.

Në atë kohë, Kosova nuk ishte e pranuar në UEFA e FIFA dhe, si rezultat i kësaj, prioritet i lojtarëve shqiptarë kudo në botë ishte Kombëtarja. Por nga ajo ndeshje festive ka ndryshuar shumëçka. Dhe, këtë mund ta nxjerrë në pah ndeshja e ardhshme ndërmjet ekipeve shqiptare, që është paralajmëruar se do të luhet më 29 maj në Zvicër.

Kosove-Shqiperi

Talentet

Me pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA në maj të 2016-s nisi një betejë e ashpër për talentet shqiptare në botë, që kryesisht janë me origjinë nga Kosova. Kosova pretendon se ka të drejtën të zgjedhë e para, pasi shumë prej tyre kanë lindur në Kosovë ose familjet e tyre janë larguar nga vendi pak vjet pa lindur ata. Shqipëria ndërkohë është e vendosur të ftojë çdo lojtar që veten e quan shqiptar, pa përjashtim. Dhe kjo politikë së fundi e ka futur në telashe me Kosovën, telashe që kanë shkuar deri aty sa Federata e Futbollit e Kosovës, FFK, ta kërcënojë FSHFnë se rastin do ta paraqesë në FIFA.

“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Federatën Shqiptare të Futbollit, por ka ardhur koha që ta kuptojnë se nuk duhet t’i ftojnë lojtarët e Kosovës pa ndonjë marrëveshje të përbashkët. Nëse një shqiptar i Kosovës nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë, përveç që është shqiptar, nuk mund të bëhet pjesë e Shqipërisë sepse ligjërisht nuk ka të drejtë. Rregullat për statusin e lojtarit nga FIFA janë të qarta. Nuk mund të marrë nënshtetësi dhe të bëhet pjesë e Shqipërisë pa pasur as edhe një person të vetëm të familjes nga Shqipëria, dhe pa pasur qëndrim së paku dy vjet në Shqipëri. Me FSHF-në do ta diskutojmë këtë çështje. Kemi nisur diskutime edhe me FIFA-n për mbrojtjen e lojtarëve të Kosovës. Nëse kemi ndonjë rast, ne do të reagojmë në FIFA”, pati thënë më herët për gazetën Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

Vëllazërorja

Kjo deklaratë dhe ky qëndrim i tij do të dukeshin absurdë një çerekshekulli më parë, kur Kosova e okupuar nga serbët rrezikoi shumë duke dërguar ekipin përfaqë- sues të luajë ndeshjen e parë me Shqipërinë. Shumë prej lojtarëve e trajnerëve u morën në pyetje pas kthimit nga Shqipëria. Ndodhi në vitin 1993 dhe Shqipëria fitoi atë ndeshje vëllazërore, 3-1. Ishte ndeshja e parë, më pas u luajt edhe një në Prishtinë më 2002-shin, sërish fitoi Shqipëria 1-0 dhe së fundi, më 2015-ën, kur ekipet u ndanë baras, 2-2. Deri këtu gjithçka ishte vëllazërore. Më pas nisi “konflikti” për lojtarë, e që shpesh u ushqye nga analistë e media.

Përplasjet

Rasti i parë i përplasjes së madhe ishte kur Milot Rashica me shokë u quajtën tradhtarë pse vendosën të luanin për vendin ku kishin lindur e ku ishin rritur – Kosovë. Ai paraprakisht ishte pjesë e Shqipërisë, por pasi nuk u mor në Europianin 2016, vendosi të luante për Kosovën. Përplasje të tilla pati në vazhdimësi. Shqipëria falë renditjes më të lartë të pjesëmarrjes në Europian dhe rezultateve jo të mira të Kosovës në eliminatore për Botëror, arriti të bindë disa lojtarë me origjinë nga Kosova.

Ndër ta edhe talentet si Liridon Latifi, Eros Grezda, Enis Gavazaj e Ylber Ramadani. I fundit që përplasi Tiranën e Prishtinën ishte Edon Zhegrova, 18-vjeçari që luan me Genkun në Belgjikë. Ai pranoi se kishte marrë ftesë nga trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi për ndeshjen e 26 marsit kundër Norvegjisë, por ndërkohë vendosi për Kosovën, pasi u takua me kreun e FFK-së, Fadil Vokrri. Kjo shtyu Panuçin ta quajë atë lojtar pa b…

Tensioni

Kjo nxiti një mal reagimesh, edhe të FFK-së, që ia kujtoi italianit se nuk e njeh dhe se nuk mund të flasë për Kosovën. “Ka edhe nga ato raste kur prindërit vendosin për të ardhmen e futbollistit, madje edhe duke e shkatërruar atë. Unë i thërras një herë dhe zgjedhjen e bëjnë ata vetë. Por nëse mua më thonë një herë jo, për futbollistë të tillë nuk ka më vend te Shqipëria. Gjithsesi dua të shtoj se këta futbollistë nuk kanë b… të zgjedhin vetë, por për ta vendosin prindërit, xhaxhai, tezja, halla”, kishte thënë Panuçi pas vendimit të Zhegrovës të luante me Kosovën.

Ashpërsia

Dhe Zhegrova mund të jetë vetëm fillimi i një konflikti më të ashpër në të ardhmen. “Ky debat do të ekzistojë gjithmonë”, thotë ish-trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki. Për të treguar se ku ka mbërritur gara mes dy ekipeve shqiptare, zbulon edhe një detaj nga koha kur ishte trajner i Kosovës: “Kam informata që në ndeshjen e vitit 2015, kur ishim bashkë në një hotel në Prishtinë, trajneri i atëhershëm i Shqipërisë, Xhani de Biazi, është futur nëpër dhoma të lojtarëve të Kosovës për t’i bindur të luajnë për Shqipërinë”, përfundon ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"