Miqësore mes ekipeve të Kategorisë së Parë, Besëlidhja triumfon ndaj Erzenit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2021 | 20:38

Miqësore mes ekipeve të Kategorisë së Parë, Besëlidhja triumfon ndaj Erzenit

Besëlidhja likuidon Erzenin. Miqësorja e zhvilluar dje në Pezë-Helmës është mbyllur me shifrat 1-2. Shijakasit kanë vendosur që stërvitjet t’i kryejnë në kryeqytet, ndaj kanë nxituar që të sigurojnë të parën ndeshje testuese.

ERZENI BESELIDHJA

Duhet thënë që bindi Albi Xhebrahimi, i prezantuar si afrim vetëm ditën e mërkurë. Ai shënoi gol në debutim, duke i dhënë më shumë garanci për ofensivën skuadrës së Dorjan Bubeqit. E megjithatë, vend për festë nuk kishte. Ishin lezhjanët ata që fituan, falë rrjetave të Arsen Hajdarit e Nikol Milanoviçit. Ndeshja ka nisur e shpejtë dhe nën kontrollin e skuadrës së Sinan Bardhit, që u hodh direkt në sulm. Pas disa rastesh të mira, në të 14-ën do të zhbllokoheshin shifrat. Një top i nisur nga mesfusha shfrytëzohet nga Hajdari, që e dërgon drejt e në rrjetë dhe 0- 1.

Shijakasit nisin që të organizohen, por pa finalizuar. Atë që s’e bën kundërshtari, e realizon Besëlidhja në të 27-ën me Milanoviçin. Pas dyfishimit të shifrave, lezhjanët e ulin ritmin dhe kjo i jep mundësi Erzenit që të shkurtojë diferencën në të 35-ën me anë të Xhebrahimit. Fraksioni i parë nuk sjell më asgjë, por as i dyti. Ndërrimet e shumta e ulin disi tempin e lojës. Megjithatë, Besëlidhja dukshëm mbetet më superiore. Vazhdojnë të krijojnë, por pa pasur “shënjestrën” e duhur.

skeda

TRAJNERËT

Bubeqi- Dorjan Bubeqi pret afrime në mbrojtje. Gjatë deklaratës së dhënë pas miqësores, trajneri i Erzenit tha: “Të dy golat i kemi pësuar aksidentalisht, ndaj dua që të shohim edhe repartin e mbrojtjes. Shpresoj që përveç transferimit të një qendërmbrojtësi, të na kthehet edhe Dikson. Me Xhebrahimin, faza sulmuese është e plotësuar”.

Bardhi– Sinan Bardhi nuk i jep rëndësi rezultatit, por paraqitjes së lojtarëve. “Miqësore e suksesshme dhe nuk e them prej rezultatit. Më bindën të gjithë futbollistët e mbi të gjitha serbët e ardhur në këtë merkato. Skuadra e kontrolloi mirë lojën, zhvilluam volum, krijuam raste dhe shënuam dy herë”, u shpreh trajneri i Besëlidhjes.

P.GJIKOLA/ E.DERVISHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"