Miqësore me Luftëtarin, Bylisi ka një kalendar ferri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2019 | 10:08

Miqësore me Luftëtarin, Bylisi ka një kalendar ferri

Ballshiotët janë të përqendruar te sfida e radhës në kampionat dhe disfata me Skënderbeun në shtëpi në fundjavën e kaluar është harruar. 

bylis kukesi

Te Bylisi po mendojnë për kthesën, ndërsa trajneri Dovedan dhe stafi i tij janë duke u përpjekur që të mbajnë lojtarët larg presionit të humbjes me korçarët. Në Ballsh, sot do të luajnë një miqësore dhe si kundërshtar kanë zgjedhur një nga skuadrat e Superiores, Luftëtarin e Gjirokastrës.

Miqësorja, siç edhe është planifikuar mes dy klubeve, pritet që të luhet sot në orën 13:00 në qytetin e Gjirokastrës dhe me shumë gjasa në fushën me bar natyral të stadiumit bluzi. Një test i tillë është zgjedhur nga trajneri i ballshiotëve, Dovedan, edhe për të mbajtur lojtarët në tonus, duke qenë se gara ndërpritet për dy javë. Trajneri i ballshiotëve në këtë sfidë pritet që të aktivizojë të gjithë lojtarët që ka në dispozicion. Me shumë gjasa, Bylisi mund të luajë një tjetër miqësore në fundjavë, ndoshta me ndonjë skuadër të së Parës.

Stërvitja – Këtë periudhë ndërprerjeje, trajneri Dovedan do ta shfrytëzojë edhe si një mikrocikël përgatitjesh për pjesën në vazhdim të sezonit. Kujtojmë që ballshiotët kanë pasur ngarkesë ndeshjesh, ndërsa në 2-3 takimet e fundit kanë pasur edhe nga 3-4 futbollistë të dëmtuar. Natyrisht që ngjeshja e ndeshjeve ndikon në skuadrën e Bylisit. Ndaj, edhe kjo periudhë ndërprerjeje shërben edhe si rigjenerim për lojtarët me probleme shëndetësore. Frenk, Turabov, Antoni, Bicaj pritet që të jenë gati plotësisht në ndeshjen e radhës me Kukësin.

Ballshiotët kanë një kalendar jo të lehtë, ndaj edhe trajneri shpreson që ta ketë skuadrën gati deri në sfidat e mbetura zyrtare për vitin 2019. Pas Kukësit, në Ballsh vjen Partizani e më pas skuadra luan në Vlorë me Flamurtarin. Janë tri sfida delikate, ku ballshiotët duhet të marrin maksimumin e pikëve, duke parë edhe diferencën e vogël që ekziston nga vendi i dytë që mbahet prej tyre e deri në vendin e tetë.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"