Miqësore luksi për Lushnjën, më 3 gusht vihet përballë Barit të Migjen Bashës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2017 | 18:31

Miqësore luksi për Lushnjën, më 3 gusht vihet përballë Barit të Migjen Bashës

Miqësore luksi për Lushnjën. Skuadra e Artan Banos do të luajë më 3 gusht ndaj Barit, që militon në Serinë B italiane. “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në klub se dje është konfirmuar zyrtarisht që takimi mes ekipit italian dhe Lushnjës së sapongjitur në Superiore do të luhet në stadiumin e Leçes, më 3 gusht, ora 20:30.

lushnja

Mësohet se shkes për organizimin e kësaj miqësoreje luksi është bërë ish-sulmuesi i njohur i Lushnjës, Arlind Nora. Gjirokastriti prej dy vitesh ka marrë licencën e drejtorit sportiv dhe njëkohësisht bën rolin e skautit, teksa punon për llogari të agjencisë “PPA World”. Kjo e fundit menaxhoi në sezonin e kaluar Luftëtarin e Gjirokastrës, që arriti të ishte mes katër më të mirëve të kampionatit.

Me sa duket, mes kompanisë greke të menaxhimit që udhëhiqet nga Paskal Papadopulos dhe Lushnjës ka lindur një bashkëpunim. Nuk dihet nëse marrëveshja do të jetë thjesht në kuadër të organizimit të miqësoreve luksi.

Shpresat janë që Lushnja të afrojë edhe disa lojtarë që kjo kompani menaxhon, edhe pse bëhet fjalë për emra që kanë paga të papërballueshme për buxhetin e lagunarëve. Megjithatë, për momentin është e sigurt që Lushnja do të luajë ndaj Barit, aty ku prej një vit e gjysmë aktivizohet mesfushori i Kombëtares shqiptare, Migjen Basha.

RINOVIMET

Te Lushnja vijon procesi i firmosjes së kontratave të reja për sezonin e ri futbollistik 2017-2018. Këto kontrata sezonale rivendosen midis ekipit të futbollit dhe Bashkisë së Lushnjës. Kështu, qendërmbrojtësi Erion Xhafa ka pohuar për “Panorama Sport” se ka firmosur kontratën dhe është zyrtarisht lojtar i Lushnjës. Futbollisti 31-vjeçar shprehet:

“Po, e kam firmosur kontratën. Jam shumë i kënaqur me atë që më është ofruar dhe për faktin që do të luaj në Kategorinë Superiore”, është shprehur mbrojtësi Xhafa, që për herë të fundit ka luajtur në elitë me Apoloninë, në pjesën e parë të sezonit 2014-2015.

“Ekipi përgatitet i përkushtuar. Kemi motivim, entuziazëm dhe besoj se Lushnja do të bëjë një kampionat të mirë. Falë punës dhe përpjekjeve tona kemi bindjen se do të prezantohemi mirë”, është shprehur Xhafa. Mbrojtësi lushnjar ka luajtur në disa periudha te Lushnja dhe është prezantuar në kampionat më 25 shtator 2004 (Tirana-Lushnja 3-0).

Mbrojtësi 31-vjeçar ka luajtur edhe për Shkumbinin, Kastriotin, Apoloninë dhe Bylisin. Pas aktivizimit te ballshiotët, Xhafa është stabilizuar në Lushnjë, ku pret të luajë sezonin e tretë radhazi. Edhe qendërmbrojtësi tjetër Alban Byzhyti ka pohuar se ka firmosur kontratën.

Kështu, mbrojtësi “veteran” i verdhejeshilëve po përgatit sezonin e shtatë radhazi te Lushnja. Byzhyti ka nisur të luajë në Superiore që në moshën 18-vjeçare, më 13 prill 2002 (Flamurtari-Lushnja 1-1). Pas aktivizimeve te Shkumbini e Tomori, mbrojtësi lushnjar luan prej disa vitesh te verdhejeshilët duke qenë një nga “veteranët” e kësaj skuadre.

Te Lushnja ka firmosur edhe portieri Ibrahim Bejte që rikthehet në “Roza Haxhiu” pas pesë vjetësh. Ndeshja e tij e fundit ka qenë “play-off”-i me Apoloninë (0-3) më 20 maj 2012. Pas aktivizimeve te Shkumbini, Besa, Besëlidhja e Sopoti, Bejte rikthehet në Lushnjë, ku ka luajtur vetëm një sezon (2008-2009). Hyrja në Superiore i përket 2 nëntorit të vitit 2008, Lushnja-Teuta 1-1.

Firmën në kontratë e ka hedhur edhe mesfushori Ledjan Taullau. Një tjetër futbollist i stabilizuar në Lushnjë në vitet e fundit. Duket se pas pushimeve, lushnjarët janë duke marrë formë dhe të gjithë lojtarët janë duke rinovuar, me radhë si dhe po vijnë futbollistë të rinj, që janë piketuar nga trajneri Bano, për sezonin e ri futbollistik.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"