MINUTË PAS MINUTE/ Tifozët bëhen qull, koreografi e ceremoni spektakolare. Shikoni çfarë ndodhi para Shqipëri-Francë (VIDEO)
Shqipëria pret mbrëmjen e sotme Francën, kampione të Botës, në një ndeshje të veçantë, ku inaugurohet edhe stadiumi i ri Kombëtar.
Special është edhe organizimi për këtë takim, ku i ftuar është edhe vetë presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin. FSHF ka menduar që të gjithë tribunën kryesore ta ketë në dispozicion, ku ka shpërndarë bileta për shumë personalitete VIP, si dhe të gjithë ish-lojtarët e Kombëtares ndër vite.
Më poshtë, një pasqyrim minutë pas minute, për atmosferën pranë stadiumit si dhe në rrugët e Tiranës, para nisjes së ndeshjes me Francën.
MINUTË PAS MINUTE
20:45 | Koreografi spektakolare nga tifozët, ku shfaqet një shqiponjë mbi stadium.
20:43 | Besa Kokëdhima këndon himnin e Francës. Vërshëllehet nga i gjithë stadiumi. Më pas, edhe himni shqiptar, i kënduar nga Juliana Pasha.
20:35 | Ka edhe thirrje “Rama ik” nga tifozët.
20:30 | Nis në fushë ceremonia e inaugurimit të stadiumit të ri “Air Albania”. Koreografi me të rinj në mesin e fushës. Këndojnë edhe këngëtarët Flori Mumajesi, Aurela Gaçe dhe Era Istrefi.
20:25 | Në stadium lexohen formacionet. Brohoritje nga tifozët për emrat e futbollistëve.
20:15 | Në stadium, edhe drejtori i Partizanit, Olsi Rama.
19:55 | Del edhe ekipi i Shqipërisë në nxehje.
19:50 | “Shqipëri olee, unë ty të kam nënë, ti mu djalë më ke, Shqipëri olee”, ky është kori i Tifozave Kuq e Zi, që presin portierët që dolën në fushë për nxehjen.
19:45 | Gafë me sistemin e vaditjes në lagien e fushës. Dy nga hedhëset e ujit, janë shumë afër me tifozët, dhe lagin ata që gjenden në tribunën pas porte.
19:40 | Risi në stadiumet shqiptare. Ka edhe kamarierë që shesin ushqim dhe pije në tribunat e “Air Albania”.
19:35 | Tifozët kanë nisur të mbushin tribunat e “Air Albania”.
19:25 | Kaos me tifozët ndryshe të Kombëtares. Personat invalidë, që kanë marrë një ftesë nga FSHF për të qenë në ndeshjen me Francën, por për momentin janë të ndaluar jashtë stadiumit. Atyre u thonë se nuk ka ashensor, dhe për momentin nuk kanë mundësi të futen.
18:55 | Policia me qen anti-eksplozivë, e vendosur në pjesën e parkingut të stadiumit, në pjesën ku do të vijnë autobusët e të dy ekipeve.
18:50 | Në stadium mbërrijnë edhe dy aktorët e njohur, Robert Ndrenika e Arben Derhemi.
18:45 | Ndërkohë, po luan edhe Kosova, dhe në sheshin “Nënë Tereza”, në një ekran gjigant në një event tjetër, shfaqet ndeshja e “dardanëve” me Anglinë. Të shumtë janë tifozët që kanë interes për Kosovën.
18:30 | Tifozët shqiptarë fillojnë të ndezin kryeqytetin. Marshimi i tyre drejt stadiumit shoqërohet me kore e këngë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"