Ministria hap palestrat, gati rifillimi i sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2020 | 19:58

Ministria hap palestrat, gati rifillimi i sezonit

Nëpërmjet një videokonference “live”, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka bërë njoftimin e rëndësishëm, duke bërë me dije se nga data 1 qershor do të lejohen të gjitha kampionatet sportive pa praninë e publikut sipas protokolleve të miratuara. “Do të lejohen nga data 1 qershor kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit sipas protokolleve të sigurisë, si dhe palestrat sipas protokolleve të miratuara”, u shpreh ndër të tjera Manastirliu.
10-19-660x330
Me hapjen e palestrave, çelet kështu edhe drita jeshile për lojërat me dorë dhe për të gjitha aktivitetet sportive në salla të mbyllura, të cilat për më shumë se dy muaj e gjysmë qëndrojnë pezull. Një pjesë e madhe e federatave sportive prej disa javësh ia kanë dërguar shkresat e tyre zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë, ku kërkonin leje për rifillimin e garave.
30581833_2035703866718096_4406926561742690109_n
REAGIMI I FEDERATËS SË BASKETBOLLIT
Lidhur me këto masa lehtësuese që do të lejojnë aktivitetet sportive pa tifozë duke nisur nga 1 qershori, gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me Korab Llazanin, sekretarin e përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit. “Kjo është diçka e mirëpritur, sepse të gjithë kemi kërkuar hapjen e sallave. Megjithatë, tashmë presim që të na vijë në mënyrë zyrtare, pasi normalisht do të shoqërohet me një akt administrativ”, shprehet Llazani, i cili më pas deklaron se FSHB do të mblidhet shumë shpejt për të përcaktuar detajet për rikthimin ne parket: “Federata Shqiptare e Basketbollit do të mblidhet menjëherë, ndonëse ne paraprakisht i kemi bërë konsultat me anëtarët. Tani duhet të shikojmë se sa kohë do të duhet për t’u dhënë skuadrave, pasi po bëhen gati tre muaj pa aktivitet. Por, siç e thashë, shpejt do të mblidhet kryesia për t’i ratifikuar gjërat”. Gjatë mbledhjeve dhe diskutimeve “online” mes FSHB-së dhe klubeve, është vënë re një ndryshim mes kampionatit të femrave dhe të meshkujve. Nëse te vajzat ekipet ishin të një mendimi për t’u rikthyer në parket (kampionati të vijojë me fazë grumbullimi), te meshkujt situata është shumë e paqartë, pasi ekipet janë të ndara. Teuta, Partizani dhe B.Eagles kërkojnë që sezoni të rifillojë, ndërsa Goga Basket, Vllaznia dhe Tirana janë shprehur se kampionati duhet të mbyllet dhe nuk duhet të ketë fitues.

korab-llazani
Por Llazani bën të ditur se për ta zgjidhur këtë situatë do të mblidhet shumë shpejt asambleja: “Siç dihet, në Superligë klubet janë të ndara 3 me 3 për rifillimin apo jo të sezonit. Klubet janë të ndara, pasi problemi i tyre ka të bëjë me lojtarët e huaj, të cilët ndodhen jashtë Shqipërisë. Kështu që në një situatë të tillë është domosdoshme mbledhje e asamblesë”. Kështu, nëse më parë “topi” ishte në anën e qeverisë, ku të gjithë ishin në pritje të lejes për rinisjen e sezonit, tashmë u takon federatave, të përcaktojnë detajet dhe formulat për t’i përfunduar në fushë aktivitetet e ndërprera, ndonëse mbeten ende për tu mësuar protokollet dhe masat anti-Koronavirus.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"