“Minimumi duhet të kishit shënuar dy gola ndaj Lushnjës”, Bizhdili kritika te Besa: Më thoni çfarë nuk shkon mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2021 | 12:00

“Minimumi duhet të kishit shënuar dy gola ndaj Lushnjës”, Bizhdili kritika te Besa: Më thoni çfarë nuk shkon mirë

Barazimi me Lushnjën nuk është kapërdirë nga Nexhat Bizhdili. Ai është shfaqur dje në stërvitje dhe para se të niste seanca, ka urdhëruar ekipin të futej në sallën e analizave. I pyetur pas mbarimit të kësaj analize, presidenti ka kërkuar heshtje shtypi deri pas takimit me Pogradecin. Numri një i klubit dukshëm kërkon kthesën, gjë që e qartësoi edhe për “Panorama Sport”: “Besa nuk është duke shkëlqyer. Do ta porosis grupin që askush të mos prononcohet deri pas ndeshjes me Pogradecin. Preferoj që stafi e lojtarët të flasin më shumë aty ku duhet, në fushë”.
Bizhdili-2

ANALIZA
Presidenti nuk ka kursyer askënd në këtë analizë. Nga burime brenda ekipit, gazeta është munduar që të zbardhë një pjesë të asaj që është diskutuar me dyer të mbyllura. Bizhdili ka kërkuar llogari mbi atë barazim me verdhejeshilët, ndërsa i është dukur e tepërt që të mos shënohet asnjë gol kur dominon lojën më shumë se 45 minuta. “Mund të më thotë dikush nga ju se sa minuta duhet të dominosh kundër një kundërshtari, për të shënuar fitoren?! Ju e patët shansin mbi 45 minuta dhe nuk arritët të shënonit të paktën 2 gola. Sigurisht që nuk po ju kritikoj se luajtët keq, pasi zotëruat takimin me një ekip si Lushnja dhe treguat se jemi më lart se ata. Problemi qëndron te rezultati pas kësaj epërsie. Disa kënaqen me fitoret edhe pa lojë të mirë, kurse unë mendoj ndryshe. Ju i keni të dyja mundësitë, të luani mirë dhe të fitoni. Javët ikin njëra pas tjetrës dhe lojërat e mira, dominimet harrohen. Ato që mbeten janë pikët. Dua ta dëgjoj nga ju se çfarë nuk shkoi”, mësohet të ketë thënë fillimisht numri një i klubit.
Besa-Lushnja
Disa nga titullarët, ata te të cilët Bizhdili ka besim dhe u ka kërkuar të marrin më shumë përgjegjësi, i janë përgjigjur pyetjes. Më pas, presidenti ka kërkuar që ekipi të reagojë duke nisur nga takimi i radhës ndaj Pogradecit. “Se si i zgjidhni situatat nëse kundërshtarët sulmojnë, mbrohen apo mblidhen para zonës së tyre të rreptësisë, sikurse bëri Lushnja, është puna e stafit dhe juaja. Mua më interesojnë dy gjëra, loja bindëse dhe rezultati. E keni stafin, grupin, kualitet për ta dëshmuar këtë dhe e keni bërë në shumë takime. Kështu, pa ju marrë më shumë kohë, pres reagimin tuaj në përballjen në Pogradec”, e ka mbyllur presidenti i kavajasve.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"