Minifutbolli shqiptar gati për edicionin e ri, ja risitë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2019 | 22:37

Minifutbolli shqiptar gati për edicionin e ri, ja risitë…

Sporti i minifutbollit në Shqipëri është prej sporteve më të dashura që praktikohet masivisht në të gjithë vendin. Por prej 3 vitesh ekziston edhe Kampionati Kombëtar, një kompeticion zyrtar i organizuar nga Shoqata Shqiptare e Minifutbollit Amator.

prestigj-770x380

Është skuadra “Prestige”, ajo që ka arritur të triumfojë në dy edicionet e para, ndërkohë që tashmë është në prag edhe startimi i edicionit të tretë, që do të ngrejë siparin më 19 dhjetor. Deri më tani janë regjistruar 16 skuadra, ndërsa ekipet kanë kohë deri më 16 dhjetor për t’u regjistruar në këtë event.

Rigels Balliu, njëri prej organizatorëve të kampionatit, njëkohësisht dhe menaxher në Kombëtaren e minifutbollit, në një intervistë për “Panorama Sport” flet për kampionatin, risitë dhe përgatitjet e Shoqatës Shqiptare të Minifutbollit Amator.

 Rigels, pas pak ditësh starton sezoni i ri. Çfarë prisni nga ky kampionat?

Presim një edicion edhe më të fortë se vitin e kaluar, pasi të gjitha skuadrat janë më të motivuara, duke parë që edhe ekipet e vjetshme morën pjesë edhe në Kupat e Europës. Sezonin e kaluar, ekipi kampion u vendos në javën e fundit dhe këtë gjë presim edhe këtë vit, një kampionat me shumë rivalitet.

Cilat janë risitë që do të ketë në këtë edicion? 

Fillimisht dua të them që këtë vit do të ketë shumë ekipe të reja. Është një kampion gjithnjë në rritje dhe ne duam ta zgjerojmë edhe më shumë në nivel kombëtar. Shikojmë një interes shumë të madh të skuadrave, pasi ky është një sport shumë popullor dhe shumë i dashur në vendin tonë.

Na tregoni diçka rreth formatit. A do të ketë ndryshime këtë sezon? 

Duke parë eksperiencat e sezoneve të kaluara, disa ekipe nuk dëshironin që të përballeshin me kundërshtarët e fortë dhe fillimisht për këtë sezon bëmë një njoftim për ta ndarë kampionatin në dy kategori, në atë që ka një nivel të lartë dhe në një kategori ku do të jenë ata që luajnë më shumë për argëtim. Por megjithatë, duket që ka një interesim shumë të madh për kategorinë e parë. Jemi ende në fazën e seleksionimit për kategorinë e dytë.

Prestigj

Ku do të zhvillohen ndeshjet dhe sa do të jetë numri i skuadrave që do të marrin pjesë në Kupat e Europës? 

Siç dihet, kampionati do të nisë në datë 19 dhjetor dhe takimet do të luhen në Pezë, te “Fushat Internacional”. Për sa u përket Kupave të Europës, ekipi kampion fiton të drejtën për të marrë pjesë në Champions, ndërsa vendi i dytë, i tretë dhe i katërt do të kualifikohen për në “Euro Cup”.

Shqipëria ka ngritur edhe ekipin Kombëtar në minifutboll… 

Shoqata joni ka marrë anëtarësimin si në EMF (Europian), ashtu edhe në WMF (Botëror) dhe shpresojmë që shumë shpejt të jemi pjesë e një kampionati botëror. Niveli i lartë i Kampionatit Kombëtar si në cilësi ashtu edhe në aspektin fizik, na ka ndihmuar shumë për ndeshjet që kemi zhvilluar në arenën ndërkombëtare. Kjo u pa qartë edhe në miqësoret që zhvilluam gjatë verës në Bosnje-Hercegovinë.

Sa është shuma që do të përfitojë skuadra që shpallet kampione? 

130 000 mijë lekë (të rinj), si dhe përfaqësim në Champions.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"