MINIFUTBOLL/ Prestige në gjysmëfinalet e kampionatit “5×5”, tripletë e Shimës (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2022 | 10:06

MINIFUTBOLL/ Prestige në gjysmëfinalet e kampionatit “5×5”, tripletë e Shimës (VIDEO)

Prestige MFC ka siguruar një biletë mes katër ekipeve më të mira në kampionatin kombëtar “5×5” që organizon Federata Shqiptare e Futbollit, teksa mbrëmjen e djeshme ka kaluar me sukses raundin çerekfinal.

PRESTIGE

Falë triumfit 3-2 kundër ekipit Çermenika, Prestige hedh një hap të rëndësishëm për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni. Protagonist i të tre golave për Prestige ishte Eugen Shima.

NDESHJA – Prestige e filloi takimin mjaft mirë, duke marrë komandën që në minutat e para. Shkëndijën e parë e dha Biba, i cili fillimisht u ndal nga portieri e më pas nga traversa.

Por në të 5-ën erdhi goli i avantazhit pas një aksioni model, teksa Shima finalizoi më së miri një asist të Hysenbelliut.

Prestige vijoi me sulmet e njëpasnjëshme, ndërsa traversa do t’i mohon te golin e dytë Shimës.

Në fundin e pjesës së parë Shima, pasi mori një pasim sërish nga Hysenbelliu, u rrotullua bukur dhe shkarkoi në cepin e portës një gjuajtje potente, duke mos i dhënë asnjë shans portierit kundërshtar.

Me shifrat 2-0 dhe më një dominim total nga Prestige u mbyll edhe fraksioni i parë i lojës. Në startin e pjesës së dytë, pas një kombinimi me Karatin, Shima e shkundi për herë të tretë rrjetën, duke kompletuar tripletën personale.

Çermenika provoi të reagonte dhe 15 minuta nga fundi ngushtoi në 1-3 falë një veprimi të bukur individual të një prej sulmuesve.

Goli i dha zemër dhe më shumë besim Çermenikës, që kërkoi të dytin dhe e gjeti atë 7 minuta nga fundi, pas një gjuajtjeje nga një pozicion ballor.

Çermenika provoi deri në fund, ndërsa iu afrua edhe barazimit, por u ndal nga shtylla pas një aksioni të rrezikshëm.

PR

Me gjithë përpjekjet e kundërshtarit, Prestige arriti që t’i menaxhonte minutat e mbetura dhe bëri të tijin kualifikimin në gjysmëfinale, aty ku do të gjejë skuadrën Beautiful Albania.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"