Minifutboll/ Leksion ATS-së, Prestige siguron gjysmëfinalet në eventin e FSHF-së

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2021 | 10:36

Minifutboll/ Leksion ATS-së, Prestige siguron gjysmëfinalet në eventin e FSHF-së

Prestige MFC vazhdon ecurinë perfekte në kampionatin kombëtar të minifutbollit, kompeticion që për herë të parë organizohet nën logon e FSHF-së. Pasi e mbylli me pikë të plota, duke regjistruar 18 fitore në po kaq ndeshje Prestige në Zonën 3 të kryeqytetit, Prestige po shkëlqen edhe në “play off”, teksa mbrëmjen e të shtunën ka siguruar edhe biletën për në gjysmëfinale falë fitores ndaj skuadrës ATS. Një ndeshje e dominuar nga Prestige, që e konfirmon edhe vetë rezultati i thellë 5-1. Çakrri, dy herë Dajti, Hysenbelliu dhe Biba ishin autorët e golave për Prestige. Ndërsa, ATS ngushtoi përkohësisht shifrat në 3- 1 në fund të pjesë së parë me anë të Bytyçit.

prestige

NDESHJA – Pritej një ndeshje me shumë rivalitet, por nuk ndodhi aspak kështu, pasi superioriteti i Prestige ishte evident në të gjitha aspektet. Që në fillim skuadra e drejtuar nga Andi Koçi e zhvendosi lojën në gjysmëfushën kundërshtare, duke krijuar disa raste shënimi. Në minutën e 7-të Prestige gjeti golin e avantazhit, me anë të Çakrrit. Ky i fundit përfitoi nga një pasiguri e portierit për ta dërguar topin në rrjetë. 10 minuta më vonë dyfishoi Dajti, i cili finalizoi saktë një asist të Shimës. Në të 25-ën, kapiteni Hysenbelliu i dërgoi shifrat në 3-0, pas një goditjeje perfekte nga pika e bardhë. Në sekondat e fundit të pjesës së parë, ATS ngushtoi në 3-1 me anë të Bytyçit, i cili gjithashtu gjuajti saktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Në pjesën e dytë Prestige e administroi më së miri avantazhin, madje e thelloi edhe më shumë atë. Në minutat e fundit, Biba shënoi golin e katërt, pas një asisti të marrë nga Shima, ndërsa Dajti vulosi fitoren 5- 1 duke konkretizuar me sukses një aksion të skuadrës së tij. Kështu Prestige siguron biletën për në gjysmëfinale, në Zonën e Tiranës, duke hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt objektivit final, që është triumfi në kryeqytet, për të vijuar më pas suksesin në rang kombëtar.

PRESS

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"