MINIFUTBOLL/ Kampionati “5×5”, Prestige regjistron goleadën e radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2023 | 9:00

MINIFUTBOLL/ Kampionati “5×5”, Prestige regjistron goleadën e radhës

Prestige MFC ka shënuar fitoren e tetë sezonale në kampionatin e futbollit “5×5”. Suksesi i radhës erdhi me goleadë mbrëmjen e djeshme kundër ekipit Marquez Caffe, takim i vlefshëm për Grupin F në Zonën e Tiranës. Prestige triumfoi me rezultatin 9-0 në një ndeshje të dominuar nga fillimi e deri në fund. Protagonistët e golave ishin Limani me “poker”, Hysenbelliu me tripletë, Shima dhe Branica.

prestige

NDESHJA – Që në çastet e para Prestige mori kontrollin e lojës, me pasime të shpejta dhe të dendura në gjysmëfushën kundërshtare, duke e vendosur menjëherë në vështirësi kundërshtarin. Baraspesha zgjati vetëm 5 minuta, me Prestige që gjeti avantazhin pas një kombinimi të bukur.

Një trekëndësh i nisur nga Shima, me Hysenbelliun që më pas shërbeu saktë në shtyllën e dytë për Limanin, ndërsa ky i fundin nuk e kishte aspak të vështirë për ta dërguar topin në rrjetë.

Disa sekonda më vonë Shima realizoi golin e dytë pas një asisti të Limanit. Ky i fundit realizoi të tretin, pas një rrotullimi të bukur të shoqëruar me një goditje potente.

Në minutën e shtatë vjen edhe goli i katërt, që ka për autor Hysenbelliun, i cili gjeti cepin e portës me një goditje të saktë.

Në të 15-ën, Hysenbelliu i dërgoi shifrat në 5-0, teksa devijoi lehtë me të jashtmen një top, mjaftueshëm sa për të nxjerrë jashtë lojë portierin kundërshtar.

Marquez Caffe provoi të dilte në sulm me disa tentativa sporadike, të cilat u ndalën nga portieri Begaj. Ndërkohë në fundin e pjesës së parë Limani pas një asisti të Hysenbelliut finalizoi me një goditje të fortë nga distanca, duke shënuar golin e gjashtë.

Prestige mbajti ritëm të lartë edhe fraksionin e dytë, ndërsa për Marquez Caffe më i miri ishte portieri Hoxha, autor i një serie pritjesh.

Goli i shtatë për Prestige kishte për protagonist Branicën, i cili realizoi nga një pozicion i prirët. Limani kompletoi “pokerin” personal, duke i dërguar shifrat në 8-0.

Ndërsa në fund ishte Hysenbelliu ai që finalizoi një aksion të shpejtë, duke vulosur kështu rezultatin 9-0, për të kompletuar tripletën personale.

Me këtë fitore Prestige shkon në kuotën e 25 pikëve, 2 pikë më pak se kryesuesit e grupit, Kf Erniku, por këta të fundit kanë zhvilluar një ndeshje më shumë.

11

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"