MINIFUTBOLL/ Kampionati “5×5”, Prestige koleksionon triumf të dyfishtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2021 | 11:20

MINIFUTBOLL/ Kampionati “5×5”, Prestige koleksionon triumf të dyfishtë

Ndonëse me një kalendar të ngjeshur ndeshjesh, Prestige vazhdon të shkëlqejë në të gjitha kompeticionet edhe në sezonin 2021-2022.

PRESTIGE

Mbrëmjen e djeshme Prestige siguroi sukses të dyfishtë në kampionatin “5×5” që organizon Federata Shqiptare e Futbollit, teksa triumfuan si skuadra e parë, gjithashtu edhe skuadra B.

Ekipi i parë i Prestige regjistroi fitoren e tetë në nëntë ndeshje që ka zhvilluar në Grupin 6, teksa mundi skuadrën Jata Market me rezultatin 4-1.

Ndeshja ishte e bukur dhe e luftuar nga të dyja kampet. Prestige e nisi disi i relaksuar dhe Jata Market bëri befasinë, duke gjetur avantazhin që në minutat e para.

Por me kalimin e minutave, Prestige filloi ofensivën dhe në fund të pjesës së parë u shpërblye me golin e barazimit, falë një gjuajtje potente nga Mërtiri nga një pozicion ballor.

Në pjesën e dytë nuk kishte më histori, pasi dominimi i Prestige ishte absolut. Hysenbelliu me një gjest të lartë teknik, realizon nga një kënd zero, duke ia kaluar topin mes këmbëve portierit, për t’i përmbysur shifrat në 2-1.

Më pas, Gjoni me një veprim të bukur individual realizon edhe golin e tretë. Në fund është Lleshi ai që i vulos shifrat në 4-1, teksa bën një depërtim të bukur nga e majta drejt qendrës, për të shkarkuar më pas një të djathtë të fuqishme, pa i dhënë asnjë shans portierit.

PRE

PRESTIGE B – Ndërkohë skuadra e dytë koleksioni fitoren e saj të gjashtë në Grupin 2, teksa mundi me rezultatin 4-2 ekipin Tech Team.

Ndonëse dy herë në disavantazh, Prestige B diti të reagojë mjaft duke futur në kasafortë 3 pikët e radhës. Tech Team gjeti gjolin që në minutat e para, por menjëherë Prestige B u përgjigj me Xhaferin, i cili vendosi baraspeshën.

Por, në fundin e pjesës së parë, Tech Team goditi sërish duke rimarrë avantazhin. Në fraksionin e dytë Prestige B ndryshon ritëm, me Kurpalin që gjen golin e barazimit.

Më pas Kurpali kompleton dopietën personale, duke finalizuar një kombinim të bukur me Çakrrin, për t’i përmbysur shifrat në 3-2. Në fund Zaimi realizon golin e katërt, duke hipotekuar fitoren.

PRE 1

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"