Minga-Kola-Muça, legjendarët e frikshëm të 17 Nëntorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2014 | 13:18

Minga-Kola-Muça, legjendarët e frikshëm të 17 Nëntorit

Foto kur Shkëlqim Muça lë futbollin, duke ia dorëzuar fanellën Anesti Stojes; janë Kola e Minga që e ndjekin duke e parë.

Foto kur Shkëlqim Muça lë futbollin, duke ia dorëzuar fanellën Anesti Stojes; janë Kola e Minga që e ndjekin duke e parë

Nga UVIL ZAJMI
Minga, Kola dhe Muça! Emocione dhe gola spektakolarë. Jo vetëm në kampionate e kupa, por edhe në takime ndërkombëtare, si ato ndaj Spanjës, Polonisë e Belgjikës. Nga i paharruari Arben Minga, te dy të tjerët. Ku janë sot, me çfarë merren ish-protagonistët e treshes së madhe të viteve ’80-’90?
Vitet ’80-të, rikthimi i traditës së humbur!
17 Nëntori, skuadra e fillimviteve ’80-të, ishte potente dhe e frikshme. Ajo kishte karakteristikë lojën klasike brenda traditës, të harmonizuar me aftësi individuale dhe lojën e grupit, shpirtin e lartë të garës, ritmin, përgatitjen atletike, agresivitetin, të mbështetur edhe nga tifozëria. Minga luante dhe realizonte në të gjitha pozicionet, ndërsa Kola nga e majta zhvendosej mirë në zonë në kërkim të topit që, pasi e zotëronte, godiste fuqishëm portën. Pastaj Muça për aftësi teknike, shikimin periferik, administrimin e lojës kur skuadra kishte topin. E njihnin shumë mirë lojën e njëri-tjetrit dhe çdo sulm i skuadrës finalizohej prej tyre. Sulmi fillonte nga krahët me mbrojtësit Baçi apo Naçi e Omuri, për t’u konkretizuar me harkimet në zonë për ta, lojë tipike e futbollit tiranas. Në veçanti grinta (egoja) ishte element parësor i skuadrës që tregohej e aftë të përmbyste çdo rezultat edhe kur ishte e pamundur. Gjigantët Minga dhe Kola jepnin garanci në lojën në tokë e ajër, ndërsa Muça mjeshtër i rafinuar në rolin e sulmuesit, shënuesit dhe të njeriut asist. Katër herë kampionë së bashku dhe tri herë fitues të Kupës së Shqipërisë. Kola, Minga e Muça janë edhe ndër të parët e renditjes së golashënuesve më të mirë të klubit, të cilën e komandon Indrit Fortuzi.
Minga- Muça-Kola, kur shpirti zbriste në fushë!
Të papërsëritshëm, ndonëse vinin nga një formim sportiv jo i njëjtë, po kështu dhe ai i edukimit arsimor: një merceolog, një inxhinier dhe një mësues i edukimit fizik. Inteligjencë, forcë, entuziazëm, fryma e grupit, shpirt gare: këto ishin një vazhdimësi e traditës së 17 Nëntorit të Myslym Allës. Te kjo skuadër nuk mund të luaje nëse nuk kishe këto karakteristika. Minga dhe Kola, me një staturë fizike dhe gjatësi të admirueshme, mbi 180 cm, pak më i “vogël” ishte Muça. Kola i majtë shënues, Minga në qendër shënues dhe Muça organizator, fantazist shënues. Cikli i treshes tiranase të 17 Nëntorit fillon sapo ajo e Dinamos ul siparin. Pra, u takon fillimviteve ’80-të. Pas sezonit ’69-’70, që ishte edhe triumfi i fundit tiranas dhe dominimit të Dinamos, rikthimi në dhjetëvjeçarin e sukseseve (’81-’82, ’84-’85, ’87-’88, ’88-’89) ishte kontribut i skuadrës që ndërtuan trajnerët E.Shehu, Sh.Rreli, por në veçanti i treshes. 17 Nëntori i Kolës, Mingës dhe Muçës ka dominuar me lojë e rezultate, por dhe në përfaqësimet ndërkombëtare, që patën fatin të luanin në periudhën ’80-’90-të. Në dhjetë ndeshje ndërkombëtare me ekipin kombëtar janë së bashku: takimi i parë daton më 27 tetor 1982 në Izmir, Turqi-Shqipëri 1-0 me trajner Shyqyri Rrelin. Dhe i fundit, kur trajneri i paharruar Agron Sulaj i vendos të tre kundër Spanjës, më 3 dhjetor të ’86-ës, në “Qemal Stafa” 1-2 (gol i Muçës në të 28-ën minutë). Pas Fortuzit, si i pari shënues në ranglistën e historinë e klubit, vijnë menjëherë të tre, Kola, Minga dhe Muça. Firmën e tyre kanë edhe disa nga golat më spektakolarë dhe ndër më historikët e fanellës kuqezi: ai i Kolës në Mielec, në barazimin e madh 2-2 me Poloninë; goli i dytë i jashtëzakonshëm i Mingës në fitoren 2-0 ndaj Belgjikës në Tiranë dhe goli i Muçës ndaj Spanjës në “Qemal Stafa”. Në kupat së bashku në fushë do të veçonim përfaqësimet kundër Bajernit të Mynihut, por i paharruar kualifikimi në Rumani ndaj Dinamos së Bukureshtit.
Arben Minga
I datëlindjes 1959, gjithmonë me numrin 10 në fanellë. Nga të rinjtë e Arbanës me skuadrën e parë të 17 Nëntorit, e cila drejtohej nga Fatmir Frashëri, që e aktivizoi pa hezitim. Me numër 10, me një hap galopant, vështirë t’ia merrje topin, i fortë shumë fizikisht (188 cm i gjatë), në çdo terren e kohë, shumë deciziv në ndeshjet në udhëtim, ku e tërhiqte edhe i vetëm skuadrën. Realizues i gjithanshëm me kokë e këmbë. Debutimi, 17 vjeç në gusht të vitit 1976, në miqësoren ndaj Traktorit të Lushnjës (1-1), duke realizuar edhe golin e tij të parë me skuadrën bardheblu. Nga tre golat magjikë në turnetë europiane veçojmë: 1 tetor 1986 në Bukuresht, Dinamo Bukureshti-17 Nëntori 1-2; në “Olimpia Stadion” ndaj Bajernit (3-1) 18 tetor 1989 dhe kundër Belgjikës në “Qemal Stafa”, 24 dhjetor 1984, minuta e 89-të, goli i dytë pas një aksioni dhe veprimi fenomenal. Goleador në sezonin 1984-’85 me Fakjen me 13 gola. Me 17 Nëntorin luajti nga viti 1976-1991, pastaj në Rumani te FC Brashov, Dacia, FC Giorgiu (’91-’94) dhe FK Tirana 1994-’96. 738 takime, nga të cilat 387 (266 gola të realizuar). Ndeshja e parë në Kombëtare, Shqipëri-RFGJ 0-2, Tiranë 1 prill 1981 (në fushë me Ballgjinin e Përnaskën e trajner Loro Boriçin) dhe e fundit ndaj Anglisë (0-2) në Tiranë, në marsin e vitit 1989. 28 ndeshje me kombëtaren dhe 2 gola.
Shkëlqim Muça
I datëlindjes 1960, u shfaq në vitet ’80-të si një talent i vërtetë, i zbuluar tek të rinjtë e klubit. Aftësitë individuale, driblim-pasim-shpejtësi, intuitë dhe elegancë e evidentuan shpejt nga të tjerët. Tre vite me të rinjtë dhe pastaj në 1978-ën, merret nga trajneri Frashëri me ekipin e parë të 17 Nëntorit, me të cilin luan deri në vitin 1989. Me numrin 8, ai ingranohet menjëherë me lojën dhe dinamikën e 17 Nëntorit, si dhe dyshen Kola-Minga. Duke luajtur në mes të tyre ai kompletoi dhe alternoi forcën me fantazinë. Golat e shënuar nga 17 Nëntori kishin si asist edhe Muçën në mesfushë. Tri herë doli kampion me këtë klub. Nga golat spektakolarë veçojmë atë ndaj Labinotit në “Qemal Stafa”; goli i shënuar në finalen për Kupën e Shqipërisë në Shkodër ndaj Flamurtarit, goli i jashtëzakonshëm ndaj Partizanit në “Qemal Stafa” realizuar nga mesfusha, por që nuk u vlerësua i rregullt nga arbitrat e takimit. Dhe, i paharruar ai ndaj Zubizaretës të Spanjës në Tiranë (03.12.1986) pas një kombinimi Omuri- Minga-Muça… Debutimi me Kombëtaren më 22.09.1982 në Vjenë, Austri-Shqipëri 5-0, me trajner Sh.Rrelin. Bashkë me Kolën e Mingën i gjejmë në Kombëtare, në takimin pasardhës 27 tetor 1982 në Izmir, Turqi-Shqipëri 1-0. E fundit e Muçës me fanellën kuqezi daton në tetorin e vitit 1987, kur trajneri Sulaj e aktivizon në një ndeshje të luajtur në Vlorë, Shqipëri-Rumani 0-1. Në total 16 ndeshje me kombëtaren, 2 gola.
Agustin Kola Edhe ky i datëlindjes 1959. I talentuar si akrobat dhe notar, në moshën 14-vjeçare zbulohet në Spartakiadën e Pionierëve nga trajnerët Verria dhe Rada, të cilët e rekomandojnë të vazhdojë Mjeshtërinë Sportive. Produkt i Shkëndisë, që në fund të viteve ’70-të i kishte mbetur fama dhe emri, pasi tradita po shuhej. Kola luan pak vite me skuadrën e shkollës dhe transferohet te Tirana si tipik lojtar “17 Nëntoras”, me të cilën luajti nga viti 1977-1996, gjithmonë me numrin 11. Shumë i fuqishëm në lojën në krahë, por edhe në qendër dhe polemizues me vendimet e arbitrave, kur shpeshherë ndaj tij luhej rëndë. Me një të majtë agresive, goditës i fortë me kokë dhe shumë i paparashikueshëm në zonë. Por, edhe si mbrojtës ishte i jashtëzakonshëm. Një futbollist i kompletuar, disa herë kampion e fitues i Superkupës dhe i Kupave të Shqipërisë me 17 Nëntorin, si dhe goleadar në dy sezone: ’87-’88 me 18 gola dhe ’88-’89 me 19 gola. Realizoi zyrtarisht 140 gola me 17 Nëntorin, ndërsa me Kombëtaren si titullar ishte i padiskutueshëm në 22 ndeshje, kur shënoi 1 gol me shumë vlerë në barazimin 2-2 ndaj Polonisë së Boniekut (31.10.1984). Më 6 dhjetor 1980 debuton me kombëtaren e Zyber Konçit, duke zëvendësuar Brahon ndaj Austrisë në Tiranë dhe e fundit zyrtare në Kostancë, Rumani-Shqipëri 3-0, më 20 shtator 1988. Rikthehet sërish me kombëtaren e Birçes në Athinë, në miqësoren 2-0 ndaj Greqisë, kur luante me klubin e Egalios 04.09.1991.
Raportet e treshes, rivaliteti brenda saj
Vetëm 20 deri 30 minuta, ky ishte kufiri kohor i tifozërisë së veçantë tiranase, kur nuk shënohej. Thirrjet “Tirona! Tirona!” ishin më shumë një ngacmim dhe i drejtoheshin treshes, pasi goli prej tyre pritej, në veçanti nga tifozët e tribunës “A”. Kur shënonte Minga, rivaliteti ishte në kulm, pasi egoja e Kolës njihej nga të gjithë. Shpeshherë loja e skuadrës përqendrohej te ky futbollist dhe gjithçka qetësohej kur edhe Kola realizonte. Më mirë se të gjithë këtë e dinte trajneri Enver Shehu, pasi i njihte mirë karakteret e tyre. Autobusi i skuadrës do të nisej gjithmonë pasi të garantohej se kishte hipur apo jo Agustin Kola.
Ndarja dhe bashkimi i treshes

Bashkë luajtën deri në vitin 1989. I pari që u largua nga treshja ishte Shkëlqim Muça, pas një dëmtimi kronik, kur u nda përfundimisht me futbollin. Pasi tij dyshja Minga-Kola vazhdoi për pak kohë së bashku, por pas ’90-ës morën drejtime të ndryshme me skuadra jashtë vendit. Minga në Rumani dhe Kola në Greqi. I pari u rikthye për t’u transferuar bashkë me familjen në Kanada në vitet 2000, ndërsa Kola për t’u sistemuar përfundimisht në Tiranë. Në sezonin 1994-1995 ka një të veçantë: Minga-Muça-Kola i gjejmë sërish bashkë te “SK Tirana”. Minga e Kola si futbollistë tashmë në fund të karrierës, ndërsa Muça si trajner i skuadrës. Minga e la pas një viti, ndërsa Kola vazhdoi edhe dy sezone të tjera.
Ku janë sot, çfarë bëjnë legjendarët?
Fatkeqësisht Arben Minga nuk jeton më. I diplomuar për merceologji, Minga u nda nga jeta në moshë të re, pas një sëmundjeje të rëndë më 30 janar 2007 në Uindsor Kanada, ku jetonte prej vitesh me gruan Nora Goxhi (ish-basketbolliste e njohur) dhe dy djemtë. Futbollin e la kur ishte 36 vjeç, pa e vazhduar atë si trajner, apo vende drejtuese. Edhe sot futbollit kombëtar i mungon një personalitet i tillë. E tërhiqte skuadrën edhe i vetëm në momente të vështira. Asnjë trashëgimtar nuk e pasoi karrierën e tij.
Muça, inxhinieri i gjeologjisë
Shkëlqim Muça, i diplomuar në Fakultetin e Gjeologjisë, nuk ishte produkt i Mjeshtërisë Sportive. Profesionin e inxhinierit nuk e aplikoi asnjëherë. Nuk luajti me asnjë skuadër tjetër, përveç 17 Nëntorit. U largua nga futbolli pas disa dëmtimeve të rënda, jo mirë të diagnostikuara dhe të trajtuara nga mjekësia sportive. Iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale, por nuk mundi të rikthej në fushë si futbollist, por si trajner, duke vazhduar me sukses karrierën me disa klube. Nuk pati pasues si futbollistë në familje.
Kola, i pakrahasueshëm
Mësues i edukimit fizik, nuk e ushtroi shumë profesionin. Pasi luajti disa vite në Greqi, pas ndryshimeve politike dhe në moshë të madhe u rikthye si futbollist te 17 Nëntori, duke u ndarë me të si lojtar në moshën 38-vjeçare. Më pas vazhdoi karrierën si trajner, duke drejtuar edhe 17 Nëntorin e tij. I pakrahasueshëm për angazhimin dhe atë që transmetonte në skuadër kur luante. Një lider i vërtetë. Aktualisht jeton në Tiranë dhe është i angazhuar me sistemin zinxhir të fëmijëve. Edhe Agustin Kola nuk pati vijues futbollistë në familje. Minga, Kola, Muça kanë qenë dhe mbeten një treshe që nuk të lodh asnjëherë të shkruash për ta. Madje sa më shumë t’i kujtosh, aq më mirë është. Jemi të sigurt që mund të kemi lënë mjaft detaje pa thënë lidhur me karrierën e tyre. Por, nga dëshira për t’i risjellë në kujtesën e sportdashësve, menduam se edhe me kaq rreshta diçka do të shërbejë. Për kontributin që kanë dhënë te 17 Nëntori, në skuadrën kombëtare dhe atë që kanë transmetuar në fushë, janë të papërsëritshëm në të gjitha aspektet, sportive dhe njerëzore.
Sindroma e stolit
Te 17 Nëntori sindroma e stolit ka qenë shumë e theksuar. Pra, te drejtuesit ishte krijuar ideja se nëse do të kishte stolin në pjesën jugore të tribunës skuadra do të kishte fat në ndeshje. Për këtë arsye, pavarësisht kur ishte ndeshja dhe orën e zhvillimit, që paradite rreth orës 10:00, një përfaqësues i klubit shkonte në stadiumin “Dinamo” apo stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” dhe qëndronte i ulur në stolat e boshatisur. Si rastësisht, apo me një motiv tjetër, askush s’e kuptonte dhe nuk mund ta mendonte një gjë të tillë. Pas shumë vitesh, kur ky informacion i shpërndarë rivaliteti ishte i paparë se cili do të ulej në stolin që do t’i sillte fat. Në veçanti kur luhej njëri nga tri takimet derbi dhe më shumë rivaliteti ishte në “Qemal Stafa”, pasi në stadiumin “Dinamo” ekipi i 17 Nëntorit ulej gjithmonë në stolin jugor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"