“Minga i ri”, Bushi flet për sulmuesin e Panioniosit: Durmishaj ka dhënë garanci që do zgjedhë Shqipërinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2018 | 23:00

“Minga i ri”, Bushi flet për sulmuesin e Panioniosit: Durmishaj ka dhënë garanci që do zgjedhë Shqipërinë

Ekipi kombëtar U-21 ka zgjedhur stadiumin e ri të sapopëruruar të Librazhdit për t’u stërvitur në kuadër të miqësoreve që do të zhvillojë në datat 16 dhe 19 nëntor kundër Maltës. Prej së hënës, Kombëtarja Shpresa është akomoduar në një prej hoteleve të zonës dhe zhvillon normalisht dy seanca stërvitore në ditë. Takimi i parë do luhet në “Selman Stërmasi” dhe takimi tjetër në “Loro Boriçi”. Në seancën stërvitore të zhvilluar paradite në qytetin e Librazhdit tekniku Alban Bushi e nisi me një seancë stërvitore të lehtë. Jo shumë ngarkesë fizike.

Alban+Bushi+Italy+U21+vs+Albania+U21+International+MtdmdoAMy5al

Trajneri – Vetë Bushi komenton rreth dy takimeve të radhës. “Në ndeshjet e kaluara kemi bërë mirë dhe kam bindjen se do vazhdojmë duke u ngritur edhe në ndeshjet e radhës. Pres të plotësohemi në sulm dhe në mbrojtje, pasi shoh të nevojshëm një sulmues të mirëfilltë, i cili na mungon dhe një mbrojtës të majtë. Jemi në pritje edhe të disa lojtarëve të tjerë që luajnë në kampionatet e huaja, të cilët po të na bashkoheshin do na bënin goxha punë, pasi i kam vënë re se në ekipet e tyre kanë luajtur goxha minuta dhe gëzojnë formë të mirë.

Në këto dy miqësore me interes do shoh edhe disa lojtarë që në optikën time janë goxha të talentuar, mirëpo në ekipet e tyre e kanë pasur konkurrencën e madhe dhe nuk kanë pasur shumë minuta. Për këtë arsye jam detyruar të lë jashtë disa emra të kampionatit shqiptar, të cilët i kam më të thjeshtë t’i shoh dhe studioj sesa këta futbollistë që vijnë nga kampionate të huaja dhe i vlerësojmë vetëm me anë të disa videove”, shprehet fillimisht trajneri i Kombëtares U-21.

Durmishaj – Trajneri ka prekur edhe çështjen e talentit shqiptar Fiorin Durmishaj që militon me Panioniosin në Greqi dhe që në të shkuarën e ka krahasuar me legjendën Minga. “Kam marrë garanci nga vetë Durmishaj që do t’i bashkohet Kombëtares shqiptare pa asnjë hezitim. Pjesa e shërbimit ushtarak që është i detyruar të kryejë është bërë pengesë për të ardhur në këto dy ndeshje që Kombëtarja ka nevojë, por kjo nuk do të thotë se futbollisti ka nevojë për t’u menduar lidhur me vendimin e tij për të qenë pjesë e Shqipërisë. Për ne, ardhja e Durmishajt do jetë një privilegj pasi Fiorini është një lojtar që të gjithë do ta lakmojnë”, ka deklaruar Alban Bushi që ka komplimentuar kushtet në stadiumin e ri modern dhe pritjen që u është bërë kuqezinjve të vegjël në Librazhd.

Ledion Qoshku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"