Milunoviç: Me Egnatian do të jetë ndryshe nga Kupa e Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2021 | 14:28

Milunoviç: Me Egnatian do të jetë ndryshe nga Kupa e Shqipërisë

Luka Milunoviç mbërriti te Kukësi në fundin e merkatos së verës, por duket se verilindorët kanë goditur në shenjë, pasi serbi është kthyer në një lojtar të rëndësishëm për ekipin e Longos. Goli ndaj Tiranës në ndeshjen e fundit, por edhe paraqitjet e tij në fushë gjatë kësaj faze të parë, kanë treguar për cilësitë e tij, që po i vë në shërbim të skuadrës në majën e sulmit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 28-vjeçari flet për ardhjen e tij në Shqipëri dhe ambientimin e shpejtë. Në Kategorinë Superiore i bën përshtypje që nga dhjetë skuadra, pjesa më e madhe luftojnë për kreun, fakt ky që e bën më të fortë këtë kampionat. Goli ndaj bardhebluve, i cili është i treti në këtë sezon, i ka dhënë më shumë besim në vetvete, teksa beson se do të vazhdojnë me ecurinë pozitive edhe ndaj Egnatias këtë fundjavë.

MILUNOVIC

Luka, si po shkon ambientimi juaj në Shqipëri dhe te Kukësi? Përshtypja e parë ishte vërtet e bukur. Të gjithë nga klubi më pranuan mirë dhe më kanë ndihmuar shumë që të përshtatem sa më shpejt në një vend dhe klub të ri.

Si ju është dukur futbolli shqiptar gjatë këtyre muajve dhe sa ndryshon nga vendet e tjera ku keni luajtur?

Ndoshta Superiorja shqiptare nuk është e një niveli të lartë, por e mira është se nga 10 skuadra shumë luftojnë për të qenë në krye. Nga ana tjetër, luhet me katër faza dhe e bën akoma më të vështirë për çdo ekip.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në futbollin shqiptar?

Më pëlqen fakti që klubet filluan të ndërtojnë stadiume dhe fusha të reja. Për të ngritur nivelin në Shqipëri, besoj se kjo është më e rëndësishmja.

Jeni preferuar nga trajneri në rolin e një sulmuesi. A është ky pozicioni ku jepni maksimumin apo ju pëlqen më shumë pas sulmuesve?

Në fakt, në shumicën e ndeshjeve kam luajtur si sulmues, por edhe pozicionin e mesfushorit mund ta bëj. Gjithçka varet se si e vendos trajneri dhe unë jam gati të ndihmoj skuadrën në çdo pozicion që të më kërkojë stafi.

Në ndeshjen e fundit shënuat një gol të rëndësishëm ndaj Tiranës, si ndiheni pas suksesit që arritët?

Sigurisht që ai gol më dha besim dhe jam i lumtur. Gjithnjë duhet të punoj më shumë që ta ndihmoj skuadrën edhe me shumë gola në të ardhmen.

Fazën e parë e mbyllët në vendin e dytë me 17 pikë, a është Kukësi brenda pritshmërive me këtë ecuri?

Ne kemi treguar se Kukësi ka shumë cilësi dhe po mundohemi të luajmë futboll në stil modern. Mund të jemi të kënaqur deri tani me këtë fazë që kemi prodhuar. Gjithsesi, do të përpiqemi të përmirësojmë lojërat tona dhe të jemi edhe më të mirë në sfidat e radhës që kemi përpara.

Ndeshja e radhës me Egnatian, që ju ka eliminuar nga Kupa, si e prisni këtë duel?

Ndeshjet e Kupës dhe të kampionatit janë shumë ndryshe. Tashmë kemi luajtur tri herë me Egnatian, kështu që do të jemi gati 100% për atë ndeshje, pasi tani e njohim edhe më mirë. Ndoshta eliminimi nga Kupa do ta motivojë edhe më shumë skuadrën, duke luajtur me stilin tonë në fushë, stil i cili na ka dërguar në këtë pozicion gjatë kësaj faze.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"