Milionat, si Leo rrënoi Barçën/ Zbulohen kontratat e Mesit me klubin, gjithçka nisi nga 2001

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2022 | 0:05

Milionat, si Leo rrënoi Barçën/ Zbulohen kontratat e Mesit me klubin, gjithçka nisi nga 2001

Gazeta “El Mundo” nuk është mjaftuar vetëm me nxjerrjen e korrespondencave mes përfaqësuesve të Lionel Mesit dhe Barcelonës. Gazeta spanjolle ka publikuar dhe kontratat e yllit argjentinasit me klubin që nga dita e parë kur shkeli në Barcelonë. Lionel Mesi firmosi kontratën, ose le të themi parakontratën e tij të parë me Barcelonën kur ishte vetëm 14 vjeç, teksa gazeta “El Mundo” ka pasur akses në të.

Mesi Leo

Në momentin e firmosjes më 5 dhjetor 2001, Mesi ka qenë i shoqëruar me familjarët e tij, duke qenë se ishte nën moshë. Në atë kohë, Mesi ishte një “futbollist jo-profesionist, i përfshirë në skuadrën e futbollistëve amatorë të FC Barcelonës”. Kjo përbënte një marrëveshje të parë ku përfshihej dhe kohëzgjatja e kontratës, që arrinte për 9 sezone. Gjithashtu, në këtë kontratë të parë të Leos me klubin parashikohej dhe një detyrim nga ana e Barcelonës prej 150 mijë eurosh në rast se klubi nuk do të zgjidhte t’i ofronte argjentinasit një kontratë profesionale në vitin 2003, dy vjet pas firmës së tij.

Nga ana tjetër, nëse Mesi do të refuzonte të firmoste për Barcelonën në vitin 2003 dhe do të transferohej në një klub tjetër ai do t’i detyrohej 5 milionë euro klubit. Përfitimet e para të Mesit si lojtar jo-profesionist arrinin në vlerën e 5409 eurove për sezon përtej shpenzimeve të tjera, që ishin të mbuluara nga klubi. Një kontratë e tillë natyrisht që ishte diskriminuese për argjentinasin, pasi të ardhurat e tij ishin në proporcion të zhdrejtë me detyrimet e tij ndaj klubit për prishje të njëanshme të kontratës. Në Spanjë, kjo kontratë u cilësua si një kontratë skllavërie.

mesi

VITI 2003 – Pas parakontratës të nënshkruar në vitin 2001, palët nuk e patën të vështirë të arrinin një marrëveshje dy vjet më vonë siç dhe kishin rënë dakord. Gjithçka u konkretizua më 1 korrik 2003 kur Leo Mesi nënshkroi kontratën e parë profesioniste me klubin blaugrana.

Përfaqësues të Barcelonës ishin asokohe, presidenti, Joan Laporta (edhe sot president), zëvendësi i tij, Ferran Soriano dhe zëvendësi tjetër Sandro Rosell. Nga ana tjetër ishte Mesi i shoqëruar nga familjarët e tij, të asistuar nga avokati argjentinas Ivan Horacio Hernandez. Kontrata zgjaste për 9 vjet, deri më 30 qershor 2012.

1500 EURO PËR NDESHJE – Në kontratë u përfshinë dhe kushtet ekonomike, qesharake po të krahasohen me shpërblimet që mori gjatë sezoneve të fundit në klub, por të larta për një lojtar të moshës së tij. Mesi ra dakord të fitonte një shumë fikse prej 45,977 euro gjatë sezonit 2003-2004 dhe 1,503 euro për çdo ndeshje zyrtare. Këto shuma u rritën ndjeshëm me kalimin e kohës.

Në sezonin në vijim, Mesi fitoi një shumë fikse prej 64,368 euro dhe 1,653 euro për ndeshje. Në sezonin 2005- 2006, tarifa fikse ishte 82,759 euro dhe shuma për ndeshje zyrtare ishte 1,803 euro. Në sezonin 2006-‘07, paga kishte arritur në 96,553 euro dhe pagesa për ndeshje zyrtare të luajtur në vlerën e 2,104 eurove.

Kapërcimi i madh me pagën e Leo Mesit erdhi në sezonin 2007-2008 ku ai kishte një rrogë fikse 275,865 euro dhe 6,010 euro për çdo ndeshje. Shifrat e kontratës së tij vinin në rritje derisa në sezonin 2011-2012 ai do të përfundonte duke përfituar një shumë fikse prej 432,188 euro dhe 8,414 për ndeshje zyrtare. Kjo e fundit nënkuptonte “të gjitha ato ndeshje zyrtare në të cilat lojtari luan për një minimum prej 45 minuta”.

“Në rast se ai do të luante më pak kohë, minutat do të grumbulloheshin deri në plotësimin e 45 minutave që do t’i jepnin të drejtën për të marrë vlerën e lartpërmendur”, përcaktohej në kontratë.

9015 EURO PËR TË DREJTËN E IMAZHIT – Në të njëjtën kohë, u ra dakord me Mesin që ai të përfitonte një bonus për të drejtën e imazhit. Ky bonus varionte ndërmjet 5,109 euro në vit në sezonin 2003-2004 dhe 48,021 euro në sezonin 2011-2012. Nga ana tjetër, ai paguhej 9,015 euro në vit për transferimin e të drejtave të imazhit në sezonin e tij të parë dhe 84,743 euro në vitin e fundit të kontratës. Shuma më e rëndësishme lidhej me praninë e tij në ekipin e parë të Barcelonës.

Sipas kontratës “nëse Mesi do të kishte luajtur 25 ndeshje” me ekipin e parë, ai do të fitonte një bonus prej 901.518 euro. Nëse do të luante 45 ndeshje, do t’i paguhej i njëjti bonus për të njëjtën shumë”. Klauzola e përfundimit të kontratës ishte, pa dyshim, pjesa më e rëndësishme e kësaj marrëveshjeje të parë. Nëse luante në ekipin e parë dhe shkonte në një klub tjetër, duhej të paguante 150 milionë euro si dëmshpërblim ndaj Barcelonës.

Nëse do të luante për “Barça B”, do t’i detyrohej klubit 80 milionë euro; dhe nëse ai do të luante për ekipin C të Barcelonës, çmimi “i lirisë” u vendos 30 milionë. Në rast se do të ishte Barça ajo që do të hiqte dorë nga shërbimet e tij paraprakisht, kompensimi që klubi do t’i paguante Mesit shkonte nga 180,304 euro deri në 300,506 euro. Përsëri, një disproporcion abuziv.

KONTRATA E MESSIT

DEBUTIMI – Mesi bëri debutimin e tij me ekipin e parë të Barçës në tetor 2004 dhe qëndroi te Barcelona deri në skadimin e kontratës së tij të fundit, në vitin 2021, e nënshkruar në 2017.

Në atë kohë, ai fitoi atë që asnjë sportist në botë nuk e kishte fituar më parë: 138 milionë euro në sezon mes pagesës fikse dhe bonuseve. Leo shënoi 672 gola dhe fitoi 35 tituj me Barcelonën: 10 tituj në La Liga, 7 Kupa të Mbretit, 8 Superkupa të Spanjës, 4 Champions, 3 Superkupa Europiane dhe 3 Kupa të Botës për Klube.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"